SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të angazhimeve për edukim financiar dhe në përputhje me Planin Strategjik 2024-2028, për gjithëpërfshirje financiare, ka realizuar fushatën “Ekonomia për të gjithë – Java e Vetëdijesimit për Qasje në Financa për personat me aftësi të kufizuara”.

Fushata u organizua në bashkëpunim me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe me mbështetje financiare nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE).

Lansimi i Fushatës u mbajt në Prishtinë, ku u theksua se përfshirja financiare mbetet një ndër  objektivat kryesore të BQK-së, me fokus të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, edukimin financiar dhe qasjen e barabartë në produkte e shërbime financiare.

Pjesëmarrësit u njoftuan me nisma konkrete, si zbatimi i Llogarisë me Shërbime Bazike, e cila u ofrohet pa pagesë konsumatorëve të cenueshëm, përfshirë personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu, u prezantua krijimi i Këndit të Edukimit në Gjuhën e Shenjave, i cili përmban materiale informuese dhe edukative në format audio-vizual dhe në gjuhën e shenjave. Ky kënd do të pasurohet në vazhdimësi me përmbajtje e materiale shtesë për edukim financiar.

Fushata u vazhdua me aktivitete informuese dhe edukative për personat me aftësi të kufizuara në Gjilan, Gjakovë, Prizren dhe Pejë. Përveç prezantimeve dhe materialeve audio-vizuale, pjesëmarrësve iu shpërndanë edhe libra për edukim financiar të përgatitur në alfabetin Braille. Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve me aftësi të kufizuara dhe kontributi i tyre me ide, sugjerime dhe komente mbi sfidat dhe mundësitë në qasjen financiare e bënë fushatën të vlerësohet si e nevojshme dhe domethënëse.

Përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuara e cilësuan këtë nismë si shembullin e parë të këtij lloji në rajon dhe më gjerë, duke e konsideruar si hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes financiare për këtë kategori.

BQK mbetet e përkushtuar ndaj avancimit të edukimit financiar gjithëpërfshirës dhe mbrojtjes së konsumatorit përmes përshtatjes së materialeve informuese, përmirësimit të kuadrit rregullativ dhe zhvillimit të shërbimeve digjitale. Duke e integruar mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm në mbikëqyrjen e sjelljes së tregut, BQK siguron qasje të barabartë, informim të qartë dhe shmangie të çdo forme diskriminimi.

BQK shpreh përkushtimin e saj për harmonizimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse me standardet e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar gjithëpërfshirjen financiare si parakusht thelbësor për zhvillim të qëndrueshëm financiar dhe ekonomik, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Në Prizren u zhvillua ligjëratë sensibilizuese në kuadër të Fushatës “Ekonomia për të gjithë” për kategoritë e personave me aftësi të veçanta Ekipi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në vizitë zyrtare në Bankën e Francës lidhur me praktikat e edukimit financiar