SQ
Mbyll

Një delegacion nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), i përbërë nga zyrtarë Departamentit për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar dhe Zyrës së Guvernatorit, ka realizuar vizitë zyrtare në Bankën e Francës në Paris në fund të dhjetorit 2025. Vizita u organizua në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale, me fokus të veçantë në fushën e edukimit financiar, komunikimit dhe protokollit.

Gjatë vizitës, zyrtarët e BQK-së zhvilluan takime pune me ekspertë të Bankës së Francës dhe u njohën me Strategjinë Kombëtare të Edukimit Financiar të Francës (EDUCFI), si dhe me strukturën dhe misionin e Drejtorisë së Edukimit Financiar. Programi i vizitës përfshinte prezantime profesional të dedikuara për edukimin financiar të të rinjve dhe nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve, grupeve të cenueshme, sipërmarrësve dhe bizneseve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua platformave digjitale edukative dhe përdorimit të mjeteve inovative të komunikimit, përfshirë video edukative, lojëra interaktive dhe materiale të përshtatura sipas audiencës. Gjatë vizitës u prezantuan gjithashtu praktika dhe programe të suksesshme për trajnim dhe informim të publikut të gjerë.

Në kuadër të vizitës, u trajtuan tema të ndryshme të rëndësishme, si ndërtimi i buxhetit personal, parandalimi i mashtrimeve dhe skemave financiare, edukimi financiar për grupet e cenueshme, roli i degëve të Bankës së Francës në zbatimin e strategjisë së edukimit financiar, si dhe protokolli dhe organizimi i ngjarjeve zyrtare. Këto takime dhe diskutime profesionale u zhvilluan me synimin e përfitimit të praktikave më të mira që mund të adaptohen në kontekstin e Republikës së Kosovës.

Programi i vizitës përfshiu gjithashtu vizitë në Muzeun e Bankës së Francës – Cité de l’économie (Citéco), ku u prezantua qasja e Bankës së Francës për edukimin ekonomik dhe financiar të publikut të gjerë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e vlerëson këtë vizitë si shumë të rëndësishme për zhvillimin institucional dhe zgjerimin e iniciativave për edukim financiar në Kosovë, sipas standardeve dhe praktikave më të mira evropiane. Gjithashtu, vizita ka krijuar mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera të veprimtarisë së BQK-së, përmes aktiviteteve të përbashkëta profesionale në të ardhmen.

BQK përmbyll fushatën “Ekonomia për të gjithë – Java e Vetëdijesimit për Qasje në Financa për personat me aftësi të kufizuara”  BQK priti studentë ndërkombëtarë nga The Geneva Graduate Institute në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe edukimit financiar