SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), më 3 shkurt 2026, priti në një vizitë studimore një ekip studentësh ndërkombëtarë nga The Geneva Graduate Institute (Genevë, Zvicër). Vizita u realizua në bashkëpunim me zyrën e International Finance Corporation (IFC) në  Kosovë – pjesë e Bankës Botërore, dhe kishte për qëllim thellimin e njohurive akademike të studentëve mbi funksionimin e bankës qendrore, si dhe mbi zhvillimet institucionale dhe strukturore të sektorit financiar në Kosovë.

Gjatë vizitës, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me mandatin ligjor, objektivat dhe funksionet kryesore të BQK-së, përfshirë rolin e saj në ruajtjen e stabilitetit financiar, mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe kontribuimin në zhvillimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Vëmendje e veçantë iu kushtua sektorit bankar, si komponenti kryesor i sistemit financiar të Kosovës. Përfaqësuesit e BQK-së prezantuan strukturën, madhësinë dhe performancën e sektorit bankar, duke përfshirë të dhëna mbi asetet totale, portofolin e kredive, nivelin e depozitave, si dhe u theksua se sektori bankar në Kosovë karakterizohet nga stabiliteti financiar, kapitalizimi i mirë dhe likuiditeti adekuat, duke luajtur një rol të rëndësishëm në financimin e ekonomisë reale.

Në kuadër të diskutimeve tematike, studentët u informuan gjithashtu për rëndësinë e financimit të projekteve të qëndrueshme dhe rolin e institucioneve financiare në mbështetjen e investimeve afatgjata dhe projekteve të mëdha zhvillimore, si dhe rolin që ka sistemi bankar në këtë kuptim.

Një pjesë e veçantë e prezantimeve iu kushtua Strategjisë për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike dhe Mjedisore në Sektorin Financiar (2025–2027), përmes së cilës BQK synon të avancoj kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës për adresimin e rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike dhe faktorët mjedisorë. Studentët u njohën me objektivat kryesore të strategjisë, si dhe me rolin e bankës qendrore në nxitjen e transparencës, integrimin e rreziqeve klimatike në mbikëqyrjen financiare dhe ndërtimin e kapaciteteve në sektorin financiar.

Vizita u realizua në kuadër të aktiviteteve të edukimit financiar dhe bashkëpunimit akademik të BQK-së, të cilat synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe thellimin e njohurive mbi çështjet financiare dhe ekonomike, si dhe avancimin e dialogut me institucionet akademike dhe partnerët ndërkombëtarë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të vazhdojë angazhimin e saj në informimin e publikut, promovimin e edukimit financiar dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Ekipi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në vizitë zyrtare në Bankën e Francës lidhur me praktikat e edukimit financiar Konkurs për Lojë Edukative