SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës se Kosovës (BQK) shpall konkurs për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë në Kosovë, për realizimin e një loje edukative ose kuizi edukativ, i cili mund të zhvillohet si platformë digjitale (web), e realizuar përmes teknologjive të ndryshme, bazuar në njërën nga temat e mëposhtme:

· Menaxhimi i financave personale, buxheti, kursimi dhe planifikimi financiar

· Siguria financiare dhe parandalimi i mashtrimeve

· Zgjedhja e duhur dhe përdorimi i produkteve dhe shërbimeve financiare

· Roli i Bankës Qendrore dhe i sistemit bankar (vetëm në formë të kuizit edukativ)

Për qëllime orientuese, nxënësit mund të zhvillojnë, ndër të tjera, lojëra ose kuize edukative si:

– një lojë kreative për menaxhimin e buxhetit personal, ku lojtari merr vendime mujore për shpenzime, kursime dhe prioritete financiare;

– një lojë për kursimin dhe planifikimin financiar, ku lojtari synon të arrijë një qëllim (p.sh. blerje, udhëtim, studime) përmes vendimeve të zgjuara financiare, si individ apo edhe si familje;

– një lojë të thjeshtë edukative për investime, ku lojtari mëson dallimin mes kursimit, investimit dhe rrezikut, përmes skenarëve simulues;

– një lojë ose kuiz për sigurinë financiare, ku lojtari identifikon mashtrime, oferta të rreme ose sjellje të pasigurta financiare;

– një lojë edukative për zgjedhjen e produkteve dhe shërbimeve financiare, ku krahasohen llogari bankare, kredi, karta apo shërbime digjitale;

– një kuiz edukativ mbi rolin e Bankës Qendrore dhe sektorin financiar, funksionet kryesore dhe rëndësinë e stabilitetit financiar.

Qëllimi i konkursit

Qëllimi i këtij konkursi është të nxisë pjesëmarrjen aktive të të rinjve në edukimin financiar, të kontribuojë në ngritjen e njohurive për menaxhimin e parave dhe vendimmarrjen financiare, si dhe të inkurajojë krijimin e lojërave ose kuizeve edukative të bazuara në tema e koncepte ekonomike e financiare, të kuptueshme dhe të përshtatshme për publikun e gjerë.

Vlerësimi dhe çmimet

Lojërat e pranuara do të vlerësohen nga një komision i posaçëm, i cili do të përzgjedhë pesë (5) lojërat më të mira, të cilat do të shpërblehen si më poshtë:

· Çmimi i parë: 600 euro

· Çmimi i dytë: 500 euro

· Çmimi i tretë: 400 euro

· Çmimi i katërt: 300 euro

· Çmimi i pestë: 200 euro

Rregullat e pranimit dhe kriteret e vlerësimit

· Loja mund të realizohet individualisht ose në grup.

· Loja duhet të jetë punë origjinale dhe kreative, që përcjell qartë mesazhin e temës së zgjedhur.

· Loja duhet të ketë cilësi të përshtatshme vizuale dhe audio për përdorim edukativ.

· Loja duhet të jetë kreative dhe tërheqëse për audiencën.

· Loja duhet të jetë në gjuhën shqipe, serbe ose angleze.

· Kohëzgjatja e lojës/kuizit nuk duhet të tejkalojë 5 minuta për t’u luajtur.

Dorëzimi i punimeve

· Nxënësit duhet të vendosin një emër për lojën / kuizin e tyre, i cili është i qartë, i kuptueshëm dhe i përshtatshëm për publikun e gjerë.Loja duhet të dorëzohet në formë digjitale, si fajll i kompresuar (.ZIP) që përmban të gjithë materialin e nevojshëm për funksionimin e saj (HTML, CSS, JavaScript, media, etj.)

· Madhësia maksimale e fajllit për dorëzim nuk duhet të tejkalojë 200 MB.

· Loja duhet të jetë plotësisht funksionale, pa nevojë për instalime shtesë apo programe të licencuara.

· Së bashku me lojën, duhet të dorëzohet edhe një dokument shoqërues (PDF ose DOCX, max. 2 faqe) që përmban:

– Emrin e lojës

– Përshkrim të shkurtër të idesë dhe temës

– Udhëzime të shkurtra për përdorim

– Emrin e autorit/autorëve, shkollën dhe klasën

– Kontaktin

· Punimet dorëzohen: përmes emailit: [email protected], ose përmes platformës: https://wetransfer.com

Për:

Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun dhe Edukim Financiar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës

Rr. Luan Haradinaj nr.2 Prishtinë, Kosovë

Informacione shtesë

· Pjesëmarrësit garantojnë se punimi i dorëzuar është punë origjinale dhe se nuk cenon të drejtat e autorit të palëve të treta.

· Lojërat fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si materiale edukative.

· Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues.

· BQK rezervon të drejtën që të mos ndajë të gjitha çmimet, nëse komisioni vlerëson se punimet nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara

· Data e fundit për dorëzim: 04 mars 2026

Suksese të gjithëve!

BQK priti studentë ndërkombëtarë nga The Geneva Graduate Institute në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe edukimit financiar Përmbledhje për Ekspozitën Paraja rrëfen 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë 1925 – 2025