Në kuadër të aktiviteteve të edukimit financiar, të organizuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, për ndërgjegjësimin dhe edukimin financiar të nxënësve, në “Qendrën e Trajnimit dhe Edukimit Financiar” të BQK-së, në Prizren, u mirëpritën 30 nxënës të klasave të IV-ta, të komunitetit turk, të shkollave fillore, në Prizren.
Nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë rreth historisë e vlerës së parasë, rëndësisë së menaxhimit të duhur të financave personale, krijimit të shprehisë së kursimit qysh në moshën e hershme, rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e tema të tjera relevante, të shpjeguara në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre.
Si funksionon sektori financiar në Kosovë, si funksionon një bankë, si funksionojnë kartelat bankare e si i ruajnë paratë bankat, ishin vetëm disa nga pyetjet e shumta, të cilat ju drejtuan zyrtarëve te BQK-së nga nxënësit. Kureshtja e shfaqur përmes pyetjeve të panumërta, tregoi vullnetin e nxënësve për të mësuar sa më shumë rreth këtyre temave.
Organizimi i aktivitetit u mundësua me mbështetjen e z. Agron Dida, Koordinator i Qendrës së Vazhdimësisë së Funksioneve të BQK-së, në Prizren, i cili në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit siguruan pjesëmarrjen e nxënësve në këtë aktivitet. Pas përfundimit te ligjëratës nxënësve ju adresua edhe z. Levent Buş, Zëvendëskryetar i Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Nxënësve ju dhurua koleksioni prej 5 librash për edukim financiar në gjuhën turke, te cilat janë përgatitur nga bashkëpunimi i BQK-se dhe EFSE-S, te cilët e mbështetën realizimin e Librave në gjuhën shqipe dhe në të gjitha gjuhët e komuniteteve në Kosovë.