SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në kuadër të angazhimeve të saj për edukim financiar dhe promovim të gjithëpërfshirjes financiare, ka vazhduar realizimin e aktiviteteve edukative me institucione të ndryshme arsimore, me qëllim rritjen e njohurive financiare dhe zhvillimin e shprehive të përgjegjshme financiare tek fëmijët dhe të rinjtë.

BQK zhvilloi një aktivitet informues në Shkollën Profesionale “Hoxhë Kadri Prishtina” në Fushë Kosovë, ku morën pjesë rreth 60 nxënës të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta. Gjatë sesionit, nxënësit u njohën me rolin dhe funksionet e BQK-së, funksionimin e sistemit financiar në Kosovë, si dhe me konceptet kryesore të menaxhimit të financave personale, menaxhimin e duhur të buxhetit dhe kursimet.

Aktivitete edukative u zhvilluan edhe me nxënësit e SHFMU “Naim Frashëri”, ku morën pjesë rreth 50 nxënës të klasave të dyta. Përmes një qasjeje të përshtatur për moshën e tyre, fëmijët u njohën me konceptet bazë financiare, rëndësinë e parasë dhe kursimit, si dhe me mënyrat e menaxhimit të saj në jetën e përditshme.

Në kuadër të promovimit të gjithëpërfshirjes financiare, BQK, në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, organizoi një aktivitet në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, me pjesëmarrjen e rreth 50 fëmijëve dhe stafit të qendrës. Përmes diskutimeve dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth konceptit të parasë, kursimeve, planifikimit të shpenzimeve dhe përdorimit të produkteve financiare.

Një tjetër aktivitet u zhvillua me nxënësit e Shkollës fillore “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, ku morën pjesë rreth 30 nxënës. Përveç temave që lidhen me edukimin financiar dhe menaxhimin e financave personale, nxënësit u njohën edhe me karakteristikat dhe elementet e sigurisë së kartëmonedhave dhe monedhave euro.

Të gjitha aktivitetet u karakterizuan nga pjesëmarrje aktive, interesim i lartë dhe diskutime interaktive, duke krijuar mundësi që nxënësit të zgjerojnë njohuritë e tyre mbi konceptet bazike financiare dhe rëndësinë e marrjes së vendimeve të informuara financiare që në moshë të hershme.

Përmes këtyre iniciativave, BQK vazhdon të kontribuojë në avancimin e edukimit financiar në Kosovë, duke nxitur ndërgjegjësimin financiar, zhvillimin e aftësive praktike dhe përfshirjen financiare të të gjithë qytetarëve.

BQK shënon 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me aktivitet edukativ për nxënësit