SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në kuadër të shënimit të Javës Globale të Parasë 2026, ka zhvilluar aktivitete edukative me nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” dhe Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) “Isa Boletini” – drejtimi ekonomik, në Podujevë.

Gjatë këtyre aktiviteteve, nxënësit u informuan mbi rolin e BQK-së në ekonominë e Kosovës, funksionet dhe përgjegjësitë e saj, si dhe mbi funksionimin e sistemit financiar në vend. Po ashtu, u trajtuan koncepte kyçe ekonomike dhe financiare, me fokus në menaxhimin e financave personale, rëndësinë e kursimeve dhe përdorimin e produkteve dhe shërbimeve financiare.

Në kuadër të aktivitetit, me të dyja Shkollat u organizuan debate interaktive mbi temën “Pro apo kundër një shoqërie pa para të gatshme (cash vs cashless)”, gjatë të cilave nxënësit analizuan përparësitë, rreziqet dhe sfidat që lidhen me përdorimin e formave të ndryshme të pagesave.

Këto diskutime kontribuan në nxitjen e mendimit kritik dhe në angazhimin e të rinjve për të reflektuar mbi një sërë çështjesh ekonomike dhe financiare, përfshirë vlerën e parasë, sigurinë e sistemit financiar në Kosovë, normat dhe tarifat e aplikuara nga sektori financiar, rëndësinë e sigurimit të produkteve dhe shërbimeve financiare, çështjet që lidhen me evazionin fiskal, si dhe cilësinë e monedhave dhe kartëmonedhave në qarkullim në Kosovë.

Gjithashtu, në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe aspekte të tjera të rëndësishme që lidhen me përdorimin e parasë së gatshme dhe pagesave digjitale, si qasja në shërbime financiare për të gjitha grupet e shoqërisë (përfshirja financiare), siguria dhe mbrojtja e të dhënave në pagesat elektronike, rreziku nga mashtrimet dhe krimet kibernetike, transparenca e transaksioneve, si dhe ndikimi i digjitalizimit në sjelljen financiare të konsumatorëve dhe në zhvillimin e sektorit financiar.

Me përformancën e lartë të treguar në këto debate të organizuara me nxënësit e të dyja Shkollave të Mesme të Podujevës , ata na shfaqen njohuri të tyre për Financat dhe sistemin financiar dhe kulturën qe po krijojnë në sferën e edukimit financiar që gjithsesi do u ndihmon në trasimin e rrugetimit të tyre edhe në profesionet e se ardhmes se tyre , siç mund te jenë ajo e bankingut dhe financave në veçanti .

Këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të BQK-së për promovimin e edukimit financiar dhe rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë, me qëllim fuqizimin e tyre me njohuri dhe aftësi për marrjen e vendimeve të informuara financiare dhe për kontribuimin në një sistem financiar të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Guvernatori Ismaili ligjëroi para studentëve të RIT Kosovo (AUK) mbi rolin e BQK-së në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik BQK mban ligjëratë për studentët e Universitetit të Prishtinës: Informohen mbi rolin e institucionit në ruajtjen e stabilitetit financiar, funksionet dhe mandatin kushtetues e ligjor