Shqip
Mbyll

BQK përmbylli me shume aktivitete Javën Ndërkombëtare të Parasë 2022, në Kosovë

Motoja: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, tashmë në mënyrë tradicionale është bërë pjesë e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë që nga viti 2013. Edhe  JNP e 2022 e gjeti BQK-në me një varg të aktiviteteve të ndryshme edukativo-financiare.

Përmes këtyre aktiviteteve, BQK-ja vendos Kosovën në fushatën ndërkombëtare mbi rëndësinë e edukimit financiar, fushatë kjo e cila  udhëhiqet dhe koordinohet nga OECD-ja, e në të cilën morën pjesë 170 vende te botës.

Rrjedhimisht këtë vit, nisur nga data 21 deri më 25 mars 2022, BQK-ja zhvilloi aktivitete të edukimit financiar për fëmijë dhe të rinj nëpër disa qytete të Kosovës për grup-mosha të ndryshme, duke filluar nga nxënësit e shkollave fillore, cikli i ulët deri te studentët e universitetit.

Aktivitetet u zhvilluan si në vijim:

21 mars, Prishtinë – U bë hapja e “Javës Ndërkombëtare të Parasë 2022” në Kosovë ku z. Labinot Preniqi, Koordinator për Funksione të Përgjithshme në BQK,  foli në Radio Televizionin e Kosovë për rëndësinë e edukimit financiar dhe gjithë përfshirjes financiare, e me fokus të veçantë për fëmijët dhe të rinjtë, për aktivitetet me të cilat BQK do të shënojë JNP-në, e për tema relevante të sektorit financiar. Për të folur për rëndësinë e edukimit financiar si një nga komponentët më të rëndësishëm të funksioneve të BQK-së në frymën e shpërndarjes së njohurive që ndërlidhen me çështjet e edukimit financiar, përfshirjes financiare, aktiviteteve dhe organizimeve që bën institucioni, gjatë shënimit të kësaj Jave ka pasur prani edhe në mediat e ndryshme të vendit ku Koordinatori për Funksione të Përgjithshme , ishte i pranishëm duke shtjelluar  kryesisht rolin dhe rëndësinë e çështjeve të edukimit dhe përfshirjes financiare për të gjitha grup-moshat.

Banka Qendrore edhe kësaj radhe për  shënimin e JNP-së ka organizuar garën  me një konkurs për fëmijët e  klasave IV-V të shkollave të Kosovës. Në këtë garë morën pjesë nxënës të shkollave të Kosovës të cilët me idetë dhe imagjinatën e tyre, sollën punime konkurruese  ku komisioni profesional nga BQK ka vlerësuar këto punime.

Me këtë rast gjatë ditës së 21 marsit  u realizua ceremonia e ndarjes së çmimeve fituese të konkursit të klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” ku pesë nxënësit fitues të kësaj gare u pritën në BQK dhe i morën shpërblimet për punimet e tyre të vlerësuara.

22 mars, Prizren- Në “Qendrën e Edukimit Financiar” të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prizren, u pritën nxënësit e klasave të 6-ta të shkollës fillore “Loyola” të kësaj komune.. Nxënësit patën mundësi të dëgjojnë një ligjëratë nga zyrtarët e BQK-së mbi: vlerën e parasë, historikun e parasë; rëndësinë e të pasurit një mjet shkëmbimi/tregtimi të pranueshëm për të gjithë; rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; përdorimin e euros në Kosovë, e shumë tema të tjera me rendësi ekonomike.

Aktiviteti u zhvillua kryesisht në formë të një bashkëbisedimi ku interesimi dhe kurioziteti i  nxënësve për të ditur më shumë mbi çështjet financiare dhe ekonomike ishte shumë i lartë.

23 mars, Shtime- Zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës vizituan sh.f.m.u ”Emin Duraku” në Shtime ku edhe zhvilluan aktivitetin me nxënësit e klasave të katërta të kësaj shkolle. Nxënësit dëgjuan ligjëratë nga zyrtarët e BQK-së rreth temave të ndryshme relevante për moshën e tyre, çka nënkupton edukimi financiar, sa është e rëndësishme që në të ardhmen nxënësit të jenë të edukuar financiarisht, duke filluar nga menaxhimi i financave personale, sjellja/ raporti me institucione financiare, kursimet, menaxhimi i shpenzimeve, etj. Nxënësve ju shpërndanë seti prej 5 Librash të Edukimit Financiar dhe materiale të  tjera edukative.

25 mars, Gjakovë- Traditën e ligjëratave në universitetet publike dhe private të Kosovës, me rastin e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë,  këtë vit BQK-ja e ka realizuar  në Gjakovë. Me këtë rast  ekipi i BQK-së  janë mirëpritur nga stafi akademik dhe studentët  e Universitetit “ Fehmi Agani “ në Gjakovë,  ku u mbajt ligjëratë për studentët e Fakultetit të Edukimit, me ç’rast Këshilltari i Guvernatorit në BQK, z. Blerim Terziqi foli për rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në ekonominë e Kosovës, për strukturën dhe funksionimin e sektorit financiar në Kosovë, si dhe tema të tjera relevante. Ligjërata u mirëprit nga studentët dhe u zhvillua në formë të bashkëbisedimit me shumë pyetje e kërkesa të adresuara  për fusha të ndryshme të lidhura me sektorin financiar.

BQK shënon “Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve” me aktivitet edukativ në SHFMU “Asim Vokshi”, në Prishtinë Ndahen çmimet për punimet me temën: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”