Shqip
Mbyll

Banka Qendrore dhe “EFSE Development Facility” (EFSE DF) zgjerojnë qasshmërinë në librat e edukimit financiar të fëmijëve

Në një projekt të përbashkët, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e mbështetur nga EFSE DF, ka prodhuar serinë e librave të edukimit financiar për fëmijët e moshës shkollore. Seria prej pesë librash ka synuar klasat 1-5 dhe i njohu nxënësit me përdorimin e përgjegjshëm të parave, duke përfshirë kursimet, ndjekjen e shpenzimeve dhe më shumë.

Ministria e Arsimit e Kosovës njohu cilësinë dhe vlerën e materialeve dhe më 29 shtator 2020, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Bankën Qendrore për t’i miratuar këto libra në planprogramin e arsimit publik. Gjatë vitit 2021, librat janë shpërndarë në 900 shkolla në mbarë Kosovën.

Për të zgjeruar shtrirjen e këtij projekti, BQK dhe EFSE DF ranë dakord të printojnë dhe shpërndajnë serinë e librave të edukimit financiar në alfabetin Brail dhe formatin B5 për të përfshirë fëmijët me shikim të dëmtuar në këtë projekt.

Librat, të cilët promovojnë praktika të përgjegjshme financiare dhe përmirësojnë edukimin financiar, u shpërndanë fëmijëve në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, nga BQK dhe EFSE DF në një ngjarje të organizuar më 3 nëntor 2021.

Me këtë rast shefi i kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari tha se qëllimi i aktiviteteve të edukimit financiar të BQK-së është të inkurajojë fëmijët dhe të rinjtë që të informohen dhe të mësojnë sa më shumë për produktet, konceptet dhe shërbimet financiare dhe të aplikojnë praktika të mira financiare në jetën e tyre të përditshme. Sa më të informuar dhe të edukuar financiarisht të jenë qytetarët tanë, aq më të aftë do të jenë në rritjen e mirëqenies së tyre ekonomike dhe financiare, në përzgjedhjen e duhur të produkteve financiare dhe në marrjen e vendimeve të shëndosha për financat e tyre personale.

“Sot po ndajmë me nxënësit tuaj koleksionin e librave, i cili është shpërndarë në të gjitha shkollat e Kosovës. Ne synojmë të kontribuojmë në informimin dhe edukimin e fëmijëve të shkollave fillore me konceptet bazë financiare, të cilat ata do t’i zbatojnë gjatë gjithë jetës së tyre dhe do të ndikojnë në kulturën e tyre të menaxhimit financiar që në moshë të vogël. Për të qenë të qasshëm për të gjithë fëmijët në Kosovë, koleksioni i librave është përgatitur në të gjitha gjuhët lokale (në gjuhën shqipe, serbe, turke, boshnjake dhe atë rome), duke përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta. Librat e printuar në alfabetin Braille, formatin B5 si dhe audiolibrat, sigurojnë përfshirjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës në platformën e Edukimit Financiar të BQK-së,” tha Miftari.

Venera Hoxha, në emër të “Finance in Motion” – Menaxhere e EFSE DF, informoi të pranishmit se projekti i serisë së librave të edukimit financiar synon të kontribuojë në edukimin financiar të fëmijëve që nga mosha e hershme. “Duke ditur që fëmijët janë e ardhmja jonë, ne e kemi mbështetur këtë projekt dhe shpresojmë që librat do t’ju shërbejnë si bazë për të krijuar shprehi të mira në menaxhimin e parave sot dhe për të marrë vendime të përgjegjshme financiare gjatë gjithë jetës,” tha Hoxha.

Drejtori i kësaj Qendre, Xhavit Kastrati, falënderoi BQK-në dhe EFSE DF për librat, ndërsa shprehu gatishmërinë për të rritur edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet institucioneve në të mirë të nxënësve.

Ndërkohë, nxënësit u shprehën të lumtur me librat e dhuruar.

Objektivi i Programit të Edukimit Financiar të BQK-së është që të përfshijë të gjitha grupmoshat e qytetarëve të Kosovës në aktivitete edukative dhe të ofrojë qasje në materialet e edukimit financiar, me fokus primar fëmijët e moshës shkollore në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Rreth EFSE

Fond investimesh me ndikim i krijuar në vitin 2005, Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) synon të nxitë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Evropën Juglindore dhe Rajonin e Fqinjësisë Lindore duke investuar në suksesin e ndërmarrjeve mikro dhe atyre të vogla, si dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për ekonomitë familjare private. Duke qenë se qasja në shërbimet financiare është çelës për zhvillimin e këtij segmenti, EFSE fokusohet që të ndihmojë sektorët financiarë lokalë të forcojnë aftësinë e tyre për të ofruar financim të përgjegjshëm për këtë grup të synuar. Krahas aktiviteteve të tij investuese nëpërmjet partnerëve lokalë, EFSE e shumëfishon ndikimin e tij nëpërmjet EFSE DF, i cili ofron asistencë teknike, trajnime dhe mbështetje të tjera jofinanciare për ndërmarrësit dhe institucionet.

EFSE u iniciua nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, me mbështetjen financiare të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Komisionit Evropian. Si partneriteti i parë publiko-privat i këtij lloji, EFSE e merr kapitalin e tij nga agjencitë donatore, institucionet financiare ndërkombëtare dhe investitorët institucionalë privatë.

“Finance in Motion” GmbH, Gjermani, shërben si këshilltar i EFSE dhe Hauck & Aufhäuser Fund Services S.A., Luksemburg, vepron si menaxher.

Për më shumë informacione mbi Fondin Evropian për Evropën Juglindore, ju lutemi vizitoni: www.efse.lu 
Për më shumë informacione mbi “Finance in Motion”, ju lutemi vizitoni: www.finance-in-motion.com

Rreth “EFSE Development Facility”

EFSE DF u krijua në vitin 2006 për të mbështetur mandatin e financimit të zhvillimit të fondit. Ai vendos asistencë teknike efektive, të synuar dhe inovative, për të maksimizuar ndikimin dhe shtrirjen e fondit në vendet e synuara të EFSE. Akademia e Sipërmarrjes e EFSE-së është krah i EFSE DF që fokusohet në mënyrë specifike duke u ofruar sipërmarrësve burimet, trajnimin, mundësitë për mbështetje financiare dhe mjete të tjera të nevojshme për t’i kthyer idetë e mira në ndërmarrje të suksesshme.

Menaxhuar nga menaxheri i aseteve me ndikim, “Finance in Motion”, EFSE DF funksionon në mënyrë të pavarur nga fondi në një marrëveshje fiduciare sipas ligjit të Luksemburgut. Komiteti i EFSE DF, i përbërë nga anëtarë të emëruar nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, Banka Austriake për Zhvillim – OeEB dhe Banka Holandeze për Zhvillim – FMO, është përgjegjës për vlerësimin dhe miratimin e të gjitha propozimeve të projektit dhe ofrimin e udhëzimeve strategjike për EFSE DF.

Për më shumë informacione mbi Fondin Evropian për Evropën Juglindore, ju lutemi vizitoni: www.efse.lu 

Për më shumë informacione mbi “Finance in Motion”, ju lutemi vizitoni: www.finance-in-motion.com

BQK dhe programi i edukimit financiar kësaj radhe në Sh.f.m.u “Mihal Grameno”, në F.Kosovë