SQ
Mbyll

Ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje (1925–2025)”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë (BSH), organizuan hapjen e ekspozitës në Prishtinë “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë 1925–2025”.

Ekspozita shpalosi për publikun e Kosovës, evolucionin e bankingut të parasë shqiptare gjatë një shekulli dhe rolin e tyre në zhvillimin ekonomik, institucional dhe shoqëror në trojet shqiptare.

Në ceremoninë e hapjes u mbajtën fjalët e rastit nga Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, anëtarë të organeve drejtuese të BQK-së si dhe mysafirë të shumtë.

Ekspozita “Paraja Rrëfen” qëndroi e hapur nga data 16 deri më 20 shkurt dhe tërhoqi interes të gjerë nga institucione të ndryshme vendore, personaliteteve të shquara të vendit, si dhe grupe të shumta të qytetarëve, ku ndër to ishin:

  • Nxënësit e Shkollës Milenium,
  • Nxënësit e Shkollës së mesme Sami Frashëri,
  • Nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike në Prishtinë,
  • Studentët dhe Profesorë të Universitetit të Prishtinës,
  • Studentët e UBT-së,
  • Bankierët e rinj të BpB-së,
  • Staf nga Ministria e Kulturës dhe Muzetë e Kosovës,
  • Stafi i Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe stafi i bankave komerciale,
  • si dhe grupe të ndryshme të qytetarëve dhe familjarë të punëtorëve të BQK-së.

Ekspozita u promovua edhe përmes intervistave në media, duke zgjeruar kështu shtrirjen e saj informuese e edukative.

Struktura tematike e ekspozitës

Ekspozita u organizua në 8 etapa historike, duke pasqyruar zhvillimin e sistemit monetar shqiptar nga fundi i shekullit XIX deri në vitin 2025.

I. Gjysma e dytë e shek. XIX – 1912

Në këtë periudhë paraqitet ekonomia shqiptare, nën Perandorinë Osmane, e mbështetur kryesisht në bujqësi e blegtori, ndërsa sistemi monetar bazohej në qarkullimin e monedhave në metale të çmuara.

Në vitin 1899, Sami Frashëri, artikuloi për herë të parë idenë e një banke kombëtare shqiptare,  në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është dhe ç’do të bëhet.

II. Nga Pavarësia drejt Republikës (1912–1924)

Pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, shteti i ri shqiptar u përball me sfida të mëdha politike dhe ekonomike. Në vitin 1921, Frangu ar u vendos njësi llogaritëse e shtetit.

Ismail Qemali ndër nismat e para kishte themelimin e një banke kombëtare për sigurimin e kredive shtetërore dhe zhvillimit ekonomik. Megjithatë marrëveshja për krijimin e një banke kombëtare me koncesion ndërkombëtar për shqiptarët, e firmosur më 4 tetor 1913, mbeti thjesht një akt themelimi institucioni bankar shqiptar, në letër.

II. Vitet 1925–1939: Themelohet Banka Kombëtare

Më 2 shtator 1925, u themelua Banka Kombëtare të Shqipërisë, me kapital Italo-Shqiptar.
Në vitin, pasues, përgjatë 1926 u emetuan kartëmonedhat dhe monedhat e para kombëtare në franga ari dhe lekë. Kështu u zyrtarizua sistemi i parë monetar shqiptar, bazuar në standardin monetar ndërkombëtar të arit.

IV. Lufta e Dytë Botërore (1939–1944)

Gjatë pushtimit italian, sistemi bankar vijoi funksionimin nën kontrollin e pushtuesve. U realizua bashkimi monetar me lirën italiane dhe u rrit inflacioni. Banka zgjeroi aktivitetin e saj dhe hapi degë edhe në Prizren dhe Prishtinë. Ndër figurat e rëndësishme të kësaj periudhe ishte Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), i cili kontribuoi në mbrojtjen e interesave financiare të shtetit shqiptar, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

V. 1944–1961: Shtetëzimi dhe ekonomia e centralizuar

Gjatë kësaj periudhe u bë themelimi i Bankës së Shtetit Shqiptar, me kapital tërësisht kombëtar, më 13 janar 1945,  dhe funksionoi në kuadër të ekonomisë së planifikuar dhe të centralizuar, me orientim bashkëpunimi drejt vendeve të ngjashme të kohës për nga fryma ekonomiko-politike.

VI. 1961–1991: Reforma monetare si dhe Izolimi i vendit

Viti 1965 shënon edhe një nga reformat monetare, që trashëgoi në Shqipëri, të folurën në “lek të vjetra dhe lek të reja.

Ndërprerja e marrëdhënieve me Kinën në vitin 1978, ndikoj që vendi te hynte në një izolim të thellë ekonomik deri në fillimin e periudhës së tranzicionit për Shqipërisë, ku përmbysja e sistemit diktatorial në Shqipëri, krijoi kushtet gjithashtu edhe për hapjen e vendit drejt ekonomisë së tregut.

VII. 1992–2001: Ekonomia e tregut

Viti 1992, u themelua Banka e Shqipërisë, si një Bankë Qendrore e Shqipërisë, si dhe sistemi bankar dy-nivelor.

Kriza e vitit 1997, e shkaktuar nga skemat piramidale, shënoi një tjetër sfidë të madhe për stabilitetin financiar, të Shqipërisë, gjë që u neutralizua shumë shpejt nga politikat ekonomike të kohës.

VIII. 2002–2025: Stabiliteti i çmimeve dhe integrimi evropian

Gjatë këtyre viteve, Banka e Shqipërisë kaloi në regjimin e inflacionit të shënjestruar (2015), dhe forcoi kuadrin rregullator, duke luajtur një rol kyç në procesin e integrimit evropian.
Në vitin 2025 u emetua një monedhë përkujtimore dedikuar 100-vjetorit të themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, si dhe kartëmonedhës së parë shqiptare.

Ekspozita Paraja rrëfen tregoi se historia e parasë është edhe historia e sfidave ekonomike dhe rrugës së shqiptarëve drejt stabilitetit dhe integrimit evropian.

Konkurs për Lojë Edukative BQK hap aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026, ndan çmimet e garave dhe shpall “Çmimin për Ekonomistë të Rinj”