SQ
Mbyll

Në kuadër të aktiviteteve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) në fushën e edukimit financiar, një grup studentësh nga Universiteti “Isa Boletini” i Mitrovicës vizituan BQK-në.

Gjatë kësaj vizite studentët patën mundësinë që nëpërmes prezantimeve nga ana e udhëheqësve nga Divizioni i Pensioneve, Divizioni i Rrezikut Operacional dhe Vazhdimësisë së Punës, si dhe Divizioni i Rrezikut Financiar të informohen rreth funksioneve kryesore të BQK-së, si rregullator kryesor i sektorit financiar në vend, me theks të veçantë në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve dhe pensioneve, si dhe menaxhimin e rreziqeve financiare dhe operacionale.    

Gjatë ligjëratës, studentët u angazhuan në bashkëbisedim e diskutime duke parashtruar pyetje  mbi temat e trajtuara.

Vizita shërbeu si një mundësi e vlefshme për studentët që të thellojnë njohuritë e tyre mbi funksionimin e BQK-së dhe sistemin financiar të Kosovës, duke nxitur interesin e tyre për zhvillimin profesional në këtë fushë dhe mbi proceset e rregullimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së sektorit të sigurimeve, pensioneve  dhe investimeve, duke theksuar rolin e BQK-së si rregullator kryesor i sektorit financiar në vend.

Gjatë kësaj vizite, studentët,  u informuan nga Divizioni për Edukim Financiar për Platformën e re për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare , e cila ka për qellim që të ndihmojë konsumatorët në informimin dhe krahasimin e normave të interesit dhe tarifave të produkteve dhe shërbimeve më të përdorura të cilat ofrohen nga institucionet financiare, duke kontribuar në rritjen e transparencës, mbrojtjen e konsumatorit, edukimin financiar dhe avancimin e qasjes në financa.

Studentët u informuan gjithashtu për konkursin e Çmimit për Ekonomistin e Ri, një iniciativë e BQK-së për promovimin e hulumtimeve shkencore në fushën e ekonomisë dhe financave. Ata u njoftuan edhe  rreth mundësisë së përfshirjes në programin e praktikës për studentë në BQK, që u mundëson atyre të fitojnë përvojë profesionale dhe të zhvillojnë aftësi praktike në fushën e ekonomisë dhe financave duke ndihmuar studentët në lidhjen e njohurive akademike me përvojën praktike, duke i pajisur ata me kompetencat e nevojshme për karrierën e tyre.  

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmbylli “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2025” BQK shënon Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me aktivitet edukativ