SQ
Mbyll

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpriti në ambientet e saj rreth 40 nxënës të klasës së III-të të SHFMU “Gjergj Fishta” nga Prishtina, në një aktivitet të veçantë edukativ. Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të BQK-së për të promovuar edukimin financiar te fëmijët dhe të rinjtë, si një ndër faktorët kyçë për të ardhmen e tyre financiare dhe mirëqenien e qëndrueshme.

Gjatë vizitës, ekipi i edukimit financiar i BQK-së i informoi nxënësit për funksionet kryesore të institucionit, duke theksuar rëndësinë e edukimit financiar që nga mosha e hershme si bazë për zhvillimin e aftësive për vendimmarrje të duhura në të ardhmen.

Për dallim nga vizitat e mëparshme, këtë vit nxënësit u angazhuan gjatë gjithë aktivitetit, duke u bërë pjesë e vendimmarrjes për menaxhimin e buxhetit të tyre personal. Përmes lojërave dhe simulimeve interaktive, ata diskutuan mbi mënyrat më të mira për t’i dalluar nevojat nga dëshirat, rëndësinë e kursimit dhe kujdesin në shpenzimin e parasë – si në shkollë ashtu edhe në shtëpi.

Përmes këtij formati gjithëpërfshirës, stafi i BQK-së i këshilloi nxënësit për krijimin e shprehive të mira financiare, dhe ju ofroj hapësirë që zëri dhe idetë e fëmijëve të vijnë në shprehje përmes aktiviteteve edukative, të përshtatura për moshën e tyre.  

Aktiviteti u zhvillua përmes bashkëbisedimit dhe përmes lojërave edukative, simulimeve të menaxhimit të buxhetit dhe diskutimeve të hapura me zyrtarët e BQK-së, duke nxitur mësimin praktik për financat personale, si dhe ndërgjegjësuar për rreziqet që vijnë nga digjitalizimi dhe kanalet elektronike.

BQK mbetet e përkushtuar në zhvillimin e qasjeve bashkëkohore për edukimin financiar dhe përmes iniciativave të tilla synon të kontribuojë në ngritjen e njohurive ekonomike dhe financiare të fëmijëve dhe të rinjve, duke iu dhënë atyre njohuri të vlefshme për një të ardhme të qëndrueshme dhe të përgjegjshme financiarisht.

Vizitë  e studentëve të Universitetit “Isa Boletini” të Mitrovicës në ambientet e BQK-së Lansohet gara edukative “Stock Market Learning Competition Game” për avancimin e edukimit financiar në Kosovë përmes pjesëmarrjes në Bursën Virtuale të Shtutgartit