Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sot u vizitua nga një grup studentësh të fushës së ekonomisë të Universitetit Amerikan në Kosovë – (RIT-Kosova). Studentët u pritën nga Guvernatori i Bankës së Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza i cili i njoftoi për së afërmi studentët për rolin dhe funksionet e BQK-së në ekonominë e Kosovës. Guvernatori Hamza foli për sistemin financiar në Kosovë duke diskutuar në detaje për indikatorët financiarë dhe ekonominë në përgjithësi. Gjithashtu u diskutua edhe struktura monetare në Kosovë duke u fokusuar në eksperiencën e Kosovës me euroizimin e ekonomisë së saj, sfidat dhe përfitimet.
Studentët u njoftuan që Banka Qendrore organizon praktikën studentore dhe kjo është një mundësi e mirë që për së afërmi studentët të njoftohen me aktivitetet e departamenteve të ndryshme në BQK.
Po ashtu, studentët patën mundësi që përmes pyetjeve të përforcojnë njohuritë e përfituara nga lënda e ekonomisë.