Studentët e UBT-së mësojnë për rolin e BQK-së Studentë të vitit të dytë të Universitetit për Biznes dhe Teknologji-UBT kanë vizituar Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, ku kanë marrë informata të shumta për mënyrën e funksionimit dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit. Arbërie Buçaj, drejtoreshë e Departamentit Juridik ka treguar para studentëve gjithë rrugëtimin e BQK-së nga koha e themelimit, pastaj kalimi i kompetencave nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore dhe masat e ndërmarra që gjithë sektori financiar që mbikëqyret nga BQK-ja të funksionoj sipas rregullave që janë në fuqi.
“Objektivi parësor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave. Objektiv shtesë i cili i nënshtrohet objektivit parësor të saj, është të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore. Gjithashtu, BQK-ja mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë dhe vepron në pajtim me parimin e ekonomisë së tregu të hapur me konkurrencë të lirë. Sa i përket ligjeve që janë në fuqi, BQK-ja ka në përgjegjësi licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare, promovimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë, po ashtu ka për detyrë furnizimin me kartëmonedha dhe monedha Euro në Kosovë. Si pikë tjetër, BQK-ja merret edhe me mbledhjen dhe publikimin e statistikave, informon Kuvendin e Republikës së Kosovës, Qeverinë dhe publikun e gjerë rreth politikave, detyrave dhe operacioneve të saj, si dhe vepron si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal për Qeverinë”, ka deklaruar Buçaj. Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Korab Sejdiu falënderoi zyrtarët e BQK-së për informacionet e dhëna, të cilat do tu shërbejnë shumë studentëve për të ardhmen.