Me moton “ Planifiko financat tuaja, mbill të ardhmen tënde” për të 10-tin vit me radhë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënoi “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2023”; fushatë kjo e cila udhëhiqet dhe koordinohet nga OECD-ja dhe marrin pjesë 176 vende të botës.
Edhe këtë vit, si vitet e kaluara BQK organizoi aktivitete të ndryshme për ngritjen e informimit dhe njohurive financiare tek fëmijët dhe të rinjtë e në veçanti fokus i kësaj jave ishin minoritetet që jetojnë në Kosovë.
Këtë vit “Java Ndërkombëtare e Parasë” u mbajt nga data 20 deri më 26 mars 2023 dhe aktivitetet që u organizuan nga BQK-ja për të shënuar këtë javë janë:
Me këtë rast, BQK-ja ka shpallur konkurs për Ese, dedikuar për nxënësit e shkollave te mesme të Kosovës ( klasat X-XII) të cilët mund të aplikojnë me nga një ese me temën ” Planifiko financat tuaja, mbill të ardhmen tënde”.
21 mars, Fushë Kosovë – Zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës vizituan Organizatën “The idea partnership” në Fushë Kosovë ku edhe zhvilluan aktivitetin me nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Nxënësit dëgjuan ligjëratë nga zyrtarët e BQK-së rreth temave të ndryshme relevante për moshën e tyre, duke filluar nga menaxhimi i financave personale, sjellja/ raporti me institucione financiare, kursimet, menaxhimi i shpenzimeve, etj. Nxënësve ju shpërndanë seti prej 5 Librash të Edukimit Financiar dhe materiale të tjera edukative.
22 mars, Prizren– Në “Qendrën e Edukimit Financiar” të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prizren, u pritën një grup nxënësish të komunitetit boshnjak nga F.M.U “ Svjetlost”- Manastirice. Nxënësit patën mundësi të dëgjojnë një ligjëratë nga zyrtarët e BQK-së mbi: vlerën e parasë, historikun e parasë; rëndësinë e të pasurit një mjet shkëmbimi/tregtimi të pranueshëm për të gjithë; rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; përdorimin e euros në Kosovë, e shumë tema të tjera me rendësi ekonomike.
23 mars, Prizren– Nxënësit e komunitetit boshnjak nga shkolla e mesme e ekonomike “Ymer Prizreni” u pritën në “Qendrën e Edukimit Financiar” të BQK-së, në Prizren. Nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë rreth mënyrës së duhur të menaxhimit të financave personale, rëndësia e mbajtjes së buxhetit personal, qëllimet financiare, krijimi i një raporti të mirëfilltë me bankat dhe institucionet tjera financiare. Gjithashtu u bashkëbisedua mbi rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës në ekonominë e vendit, si funksionon sistemi financiar në Kosovë e shumë tema të tjera relevante.