Me moton “Mëso, Kurse, Fito” po shënohet Java Ndërkombëtare e Parasë edhe në Kosovë. Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe Muzeun e Kosovës me rastin e fillimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë kanë organizuar hapjen e kësaj jave, qëllimi i së cilës është të nxisë ndërgjegjësim më të gjerë dhe të kuptuarit mbi nevojën për arsimim më të mirë financiar dhe përmirësimin e edukimit financiar në përgjithësi. Me këtë rast zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Lulzim Ismajli, mbajti një fjalë rasti para nxënësve dhe të pranishmëve, duke folur për rëndësinë e kursimit, menaxhimit të financave, si dhe për rolin e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë. “Objektiv parësor i Bankës Qendrore të Kosovës është ruajtja e stabilitetit financiar në mënyrë që paratë e qytetarëve të jenë të sigurta. Për t’i menaxhuar në mënyrë të duhur ne duhet të mësojmë për paratë dhe financat”, ka thënë ai.
Ndër të tjera zëvendësguvernatori Ismajli i ka këshilluar nxënësit që gjithmonë ta mbajnë në mend se paraja rritet pak nga pak dhe një ditë do të jeni të befasuar sa shumë para do t’i keni nëse ato i keni kursyer nga pak çdo ditë apo çdo javë. Kur paranë e keni në dorën tuaj, ajo është e juaja, por kur e harxhoni nuk mund ta ktheni parapa, prandaj kursejeni atë me shumë kujdes në mënyrë që kur të vijë koha ju të mund ta shpenzoni për gjërat që kanë rëndësi dhe vlerë siç janë p.sh. librat, fletoret, biçikleta, studimet dhe natyrisht edhe ndonjë lodër apo çokollatë aty këtu, ka theksuar zëvendësguvernatori Ismajli. Për më shumë fjalimi i zëvendësguvernatorit Ismajli.
Ndërsa Petrit Balija nga Shoqata e Bankave të Kosovës tha se kjo javë shënohet në mbi 135 vende të botës. “Edukimi financiar është aftësia për të ruajtur paratë. Në masë të madhe iu ka mbetur prindërve të merren me edukimin financiar. Edukimi financiar do të jetë shtyllë kryesore për fuqizimin e shtresës së mesme në Kosovë”, ka thënë ai. Kurse drejtori i Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj ka thënë se gjatë këtyre ditëve fëmijët do të kenë mundësi që përmes lojës së tyre të krijojnë para. Në Kosovë ka dhe ka pasur mijëra vjet miniera të arit dhe argjendit, në këtë vend janë krijuar metalet dhe njëri prej produkteve ka qenë edhe paraja. Historikisht në këtë vend është prodhuar paraja”, ka thënë ai. Ndërsa nxënësit të cilët ishin shumë aktiv dhe entuziast për aktivitetin po ashtu shprehën idetë e tyre rreth parasë, kursimeve etj.
Nxënësit kanë vazhduar aktivitetin e tyre përmes punimeve me glinë, gjurmimeve për gjetjen e monedhave antike, demonstrimin e tregtisë, gjithashtu kanë pasur mundësinë për të parë ekspozitën e numizmatikës dhe fotografive të parasë. Pjesëmarrës të këtij aktiviteti ishin nxënës të shkollës fillore ‘Elena Gjika”, fëmijë me sindrom down si dhe fëmijë të minoriteteve.
BQK-ja përmes këtyre aktiviteteve synon që ta fuqizojë sa më shumë fushën e edukimit financiar në mënyrë që të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Për këtë arsye BQK-ja ka paraparë që gjatë tërë javës të vazhdojë shënimin e kësaj jave me nxënës, si edhe me studentë ku do të mbahen disa ligjërata në universitete të ndryshme.