Në vazhdën e aktiviteteve vjetore që i zhvillon në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Esenë më të mirë, garë kjo e shpallur gjatë shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, me moton që shënohet këtë vit në gjithë botën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”.
U.d. Guvernatori i BQK-së, Bashkim Nurboja ka falënderuar dhe përgëzuar nxënësit për punën e bërë në esetë e tyre, duke i inkurajuar që të vazhdojnë tutje me angazhimin në rolin dhe rëndësinë e parasë.
Po ashtu Guvernatori shtoi se BQK-ja do të vazhdojë të jetë e fokusuar që të avancojë në vazhdimësi fushën e edukimit financiar, gjithnjë në funksion të ngritjes së transparencës dhe njohurive të qytetarëve dhe publikut të gjerë për produktet, shërbimet dhe rolin e sistemit financiar në vend me qëllim që përmes funksionit të edukimit të jemi sa më pranë qytetarëve.
“Edukimi financiar është një funksion përmes të cilit BQK kontribuon në informimin dhe ngritjen e njohurive të qytetarëve me qëllim të përmirësimit të njohurive të tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve që i ofron sektori financiar dhe krijimit të shprehive për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare. Qytetarët e informuar e të edukuar financiarisht, njohin dhe kuptojnë më shumë produktet dhe shërbimet e sektorit financiar, janë më të mbrojtur dhe më të aftë për të marrë vendime të zgjuara dhe të menaxhojnë më mirë financat e tyre, gjithashtu edhe për të përballuar situata të vështira financiare. Me anë të konkurseve për esenë më të mirë, qëllimi parësor është që të nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka deklaruar Nurboja.
Bazuar në vlerësimet e komisionit të formuar nga BQK, nxënësit që morën çmimin për esenë më të mirë janë: Çmimi i parë për punimin më të mirë iu nda nxënësit Kreshnik Beqiri nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri, vendi i dytë iu nda nxënësit Latif Qorri nga Gjimnazi “Gjergj Kastrioti“ në Drenas, ndërsa vendin e tretë e ndanë pesë nxënës të shkëlqyeshëm të kësaj gare: Omer Honsiq, nxënës i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Pejë, Vlona Selimi, nxënëse e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, Erin Laçi, nxënës i Shkollës së Mesme “Gjin Gazulli” Prishtinë, Shkurte Elshani, nxënëse e Gjimnazit “17 Shkurti“ në Obiliq dhe Granit Kalaja, nxënës i Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Nga ana tjetër, në emër të nxënësve fitues, Kreshnik Beqiri dhe Omer Honsiq falënderuan BQK-në për mundësinë e dhënë që të jenë pjesë e garës, por edhe të ngritjes së njohurive të tyre nga sfera e bankingut dhe financave.
Këto aktivitete BQK-ja i organizon në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë që zhvillohet nga viti 2013. Organizime këto që udhëhiqen nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e që ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve rreth çështjeve ekonomike e financiare. Java Ndërkombëtare e Parasë, organizohet në 176 vende të botës dhe në këtë ngjarje pothuajse çdo vit marrin pjesë rreth 53 milionë fëmijë e të rinj nga shtete të ndryshme të botës.