Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të Javës së Parasë, ka vazhduar aktivitetin e saj duke mbajtur ligjëratë me studentë të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
Për rolin dhe funksionin e BQK-së para studentëve ka prezantuar z.Nexhat Miftari, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve.
Ai tha se misioni i BQK-së është ruajta e stabilitetit financiar, sigurimi i një sistemi efektiv të pagesave, furnizimi me para të gatshme, ofrimi i këshillave për Qeverinë dhe subjektet e tjera publike si dhe të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë dhe te qëndrueshëm të Kosovës përmes zhvillimit të tregut financiar.
“BQK shërben si bankier për Qeverinë e Kosovës dhe për bankat komerciale, menaxhon furnizimin e vendit me monedha.
Miftari prezantoi strukturën organizative përfshire organet vendimmarrëse të BQK-së, rreth funksionimi të sistemit të pagesave, foli për regjistrin e kredive dhe karakteristikat kryesore të tij për menaxhimin e mjeteve financiare dhe për përbërjen dhe strukturën e sistemit financiar në Kosovë.
Sektori bankar, sektori i sigurimeve dhe sektori i pensioneve kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit gjithashtu.
Gjatë kësaj ligjërate z. Miftari ofroi informata dhe të dhëna rreth të gjitha fushave që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i realizon në kuadër të objektivave të saj.