Guvernatori i BQK-së z.Bedri Hamza ka ndarë mirënjohje dhe çmime për punimet më të mira për nxënësit fitues, të cilët morën pjesë në garën e titulluar “Kursimet” , garë kjo e lansuar me rastin e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë.
Në kuadër të zhvillmit të projektit të Programit të Edukimit Financiar, BQK-ja ka organizuar këtë garë duke ia dedikuar nxënësve të shkollave fillore të kryeqytetit , me theks të veçantë nxënësve të klasave të katërta dhe të pesta. Nxënësit morën pjesë në këtë garë me punimet e tyre të shprehura me anë të eseve, vjershave, vizatimeve apo punimeve të dorës.
Pasi që BQK-ja u kishte dërguar ftesë për të marrë pjesë në këtë garë të gjitha shkollave tetëvjeçare, në adresë të BQK-së kanë ardhur gjithsej 151 punime. Punimet ishin nga gjini të ndryshme , vizatime,ese, vjersha apo punime dore. Guvernatori Hamza me këtë rast ka emëruar një komision profesional të cilët më pas me një përkushtim të lartë kanë vlerësuar punimet dhe pas një pune profesionale kanë arritur të përcaktohen për më të mirët. Vendin e parë e ka fituar klasa V- 9 nga Shkolla fillore “ Ismail Qemaili”.Vendi i dytë i ka takuar nxënësit Ermir Murati nga klasa V-8 e Shkollës fillore “Meto Bajraktari”. Ndërsa vendin e tretë e kanë ndarë dy nxënëse Erblina Gashi klasa V-1 nga Shkolla fillore “Pavarësia” dhe Almira Gashi klasa V-2 e Shkollës Pjetër Bogdani. Me mirënjohje dhe çmime janë shpërblyer edhe 11 nxënës të shkollave të kryeqytetit si:Shkollat fillore “ Xhavit Ahmeti,Naim Frashëri,Pjetër Bogdani,Hasan Prishtina, Gjergj Fishta dhe Pavarësia. Me rastin e ndarjes së mirënjohjeve dhe çmimeve, Guvernatori Hamza i përgëzoi të gjithë nxënësit për çmimet e marra, si dhe të gjithë ata që morën pjesë me punimet e dorëzuara dhe u premtoi se BQK-ja në vazhdën e programit të edukimit financiar edhe në të ardhmën do të organizojë, konkurse dhe kuize diturie nga fusha financiare si dhe do të ofrojë mundësi edhe për çmime të tjera. Për nder të nxënësve dhe arsimtarëve të pranishëm sot në ceremoninë e marrjes së çmimeve , Guvernatori ka pritur po ashtu në zyrën e tij nxënësit dhe arsimtarët të cilët i ka njoftuar për punën dhe rolin e Bankës Qendrore, si dhe është përgjigjur në pyetjet e tyre. Në vijim fëmijët dhe arsimtarët patën rastin të shohin edhe ambientet e BQK-së, si dhe morën pjesë në një koktej rasti të organizuar enkas për ta. Ky aktivitet ishte paraparë të zhvillohet me rastin e shënimit të 1 Qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve, por për shkak se kjo datë në kalendarin e këtij viti bie ditën e diel, ceremonia u zhvillua sot.
Banka Qendrore në vazhdën e zhvillimit të Projektit të Edukimit Financiar do të organizojë ngjarje dhe aktivitete edhe në vijim në të cilat do të jenë të përfshira edhe shkollat e qyteteve nga gjithë territori i Kosovës.