Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdoi aktivitet e saj në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë 2018, duke mbajtur Ligjëratë në Kolegjin Universitar UBT. Tema e ligjëratës ishte: Tregjet Financiare dhe Tregu i Letrave me Vlerë” të cilën e ligjëroj znj. Shkendije Nahi, Drejtoreshë në Departamentin për Menaxhimin e Mjeteve.
Znj. Nahi fillimisht njoftoi studentët se qëllimi i ligjëratës është të informojë studentët rreth instrumenteve financiare të borxhit, zhvillimeve në tregjet financiare me fokus të veçantë zhvillimit të Tregut të Letrave me Vlerë të Qeverisë.
Prezantimi filloi duke njoftuar studentet si ka filluar tregtimi i letrave me vlerë në Kosovë, cilat kanë qenë sfidat për zhvillimin e këtij tregu dhe cilat janë sukseset e arritura në këtë fushë. Znj. Nahi po ashtu prezantoi se si zhvillohet dhe realizohet praktikisht një ankand i letrave me vlerë përmes tregut primar dhe sekondar duke përfshirë pjesëmarrësit në treg dhe instrumentet financiare të cilat tregtohen gjatë realizimit të ankandeve.
Ligjërata zgjoi interes të madh tek studentët duke marrë parasysh pyetjet e shumta që ju drejtuan znj. Nahi gjatë gjithë prezantimit. Studentët ishin të interesuar të informohen më shumë për kohëzgjatjen e maturimit të letrave me vlerë, cili është rreziku i tregtimit të letrave me vlerë të Qeverisë, cila është shuma minimale që mund të ofertohet për këto lloj instrumentesh, si dhe pyetje të tjera relevante.
Ligjërata e sotme ishte ligjërata e fundit që BQK organizoi në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, megjithatë BQK është e përkushtuar që në kuadër të fushës së edukimit financiar të vazhdojë me mbajtjen e ligjëratave me tema të ndryshme edhe në universitete e kolegje të tjera edhe në komuna të tjera të Kosovës.