SQ
Mbyll

Guvernatori Ismaili për Ditën Botërore të Kursimeve: BQK-ja nëpërmjet edukimit financiar ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e financave dhe kursimeve

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nëpërmjet edukimit financiar do të kontribuojë në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e përgjegjësisë financiare për kursime në të ardhmen.
Kështu është shprehur Guvernatori Ahmet Ismaili para ligjëratës të mbajtur para nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda”, në hapësirat e BQK-së në Ditën Botërore të Kursimeve, duke shtuar se BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin dhe promovimin e qasjes dhe gjithëpërfshirjes në financa.

“BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin financiar, qasjen në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, ndryshimet mjedisore e sociale, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to”, theksoi Guvernatori Ismaili.

Sipas Guvernatorit Ismaili, këto aktivitete nga BQK-ja po mbahen me qëllim të vetëdijesimit dhe nxitjes së të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të buxhetit dhe planifikimit të së ardhmes.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë ditë për të 8-tin vit me radhë e shënon përmes aktiviteteve të vetëdijesimit, edukative e informuese me qëllim të nxitjes së nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të financave. Sot me shumë se kurrë është e rëndësishme dhe e nevojshme që të kultivojmë një kulture të mirëfilltë te menaxhimit e mbrojtjes se financave personale dhe mbrojtjes se ambientit, në mënyrë që në aspektin social e mjedisor si individ, si familje apo si shoqëri të kemi stabilitet e qëndrueshmëri”, shtoi Guvernatori i BQK-së.

Guvernatori Ismaili po ashtu ka potencuar se të rinjtë duhet të krijojnë njohuri dhe shprehi për kursime.
“Ju jeni ende të ri, por është koha e duhur të mendoni për të ardhmen tuaj financiare, dhe rol të rëndësishëm ka krijimi i njohurive e aftësive të menaxhimit të duhur të financave personale, krijimi i shprehisë se kursimeve dhe ndërgjegjësimi mbi çështjet ekonomike e financiare. Të rinjtë duhet t’i vendosin vetës qëllime të qarta financiare dhe për të arritur këto, duhet të filloni sa me herët të punoni për arritjen e tyre”, ka potencuar Guvernatori Ismaili.

Në këtë prezantim, Guvernatori Ismaili ka zyrtarizuar shpalljen e konkursit për dhjetë esetë më të mira, për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Republikës së Kosovës.
“Duke pas parasysh nxitjen e të rinjve që të mësojnë e informohen sa më shumë rreth rëndësisë së kursimeve, sot shpall Konkurs për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Republikës së Kosovës, të realizojnë punime apo ese, mbi konceptin e tyre për kursimet. Konkursi do të jetë i hapur një muaj dhe pas mbylljes Komisioni Përzgjedhës do t’i vlerësojë dhe do t’i përzgjedhë 10-të nga punimet më të mira, të cilat do të shpërblehen edhe financiarisht”, është shprehur i pari i BQK-së.
“BQK-ja u inkurajon juve dhe të gjithë nxënësit e shkollave të mesme që të konkurroni me punimet tuaja dhe gjithashtu ta ndani këtë informatë edhe me nxënës të tjerë, qoftë në shkollën apo me shoqërinë tuaj”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.
Në fund, nxënësit e pranishëm kanë parashtruar pyetje për Guvernatorin e BQK-së dhe ekipin e Edukimit Financiar, ku gjithashtu kanë komentuar përvojat e tyre jetësore rreth kursimeve, duke bërë një vizitë nëpër ambientet e punës së BQK-së.

BQK mbajti ligjëratë për Edukimin Financiar të fëmijëve në Shkollën “Ahmet Hoxha” në Ferizaj Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për Ese me titull: “Kursej me mençuri – Investoj në të ardhmen time”
Skip to content