SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të aktiviteteve të edukimit financiar, ka shënuar Ditën Botërore të Kursimeve së bashku me nxënës të njërës nga klasat e katërta të Shkollës Fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Me këtë rast, moto e aktivitetit ishte ofrimi i njohurive nxënësve mbi konceptet themelore të parasë, kursimit dhe menaxhimit të buxhetit personal.

Gjatë vizitës së tyre në BQK,, nga zyrtarët e Edukimit Financiar, fëmijëve iu shpjegua në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme se si dallohen nevojat nga dëshirat, pse është e rëndësishme të kursehet dhe si mund të vendoset një qëllim i vogël financiar personal. Përmes shembujve praktikë, ata u inkurajuan të reflektojnë se si edhe një shumë e vogël e kursimeve të rregullta mund të ndikojë pozitivisht në të ardhmen e tyre.

Nxënësit morën pjesë në një lojë edukative mbi menaxhimin e buxhetit personal, përmes së cilës patën mundësinë të ndajnë idetë e tyre, të diskutojnë prioritetet në shpenzim dhe të zhvillojnë kreativitetin rreth mënyrave të kursimit. Loja u zhvillua në mënyrë interaktive, duke i ndihmuar fëmijët të kuptojnë dallimin mes dëshirave, nevojave dhe mundësive financiare, si dhe rëndësinë e planifikimit financiar që në moshë të hershme.

“Edukimi financiar që në moshë të hershme është investim afatgjatë, sepse ndihmon në krijimin e aftësive të duhura për marrjen e vendimeve të informuara. BQK do të vazhdojë përkushtimin e saj për të sjellë edukimin financiar më afër fëmijëve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve”, u tha gjatë aktivitetit nga përfaqësuesit e BQK-së.

Ky aktivitet është pjesë e fushatave të vazhdueshme të BQK-së për ngritjen e njohurive financiare përmes qasjeve të thjeshta, të kuptueshme dhe të përshtatura për grupmosha të ndryshme. Përmes programeve të tilla, BQK synon të kontribuojë në ndërtimin dhe avancimin e shprehive të përgjegjshme financiare, si kursimi dhe planifikimi financiar, që nga fëmijëria.

BQK do të vazhdojë aktivitetet e edukimit financiar gjatë gjithë vitit, duke përfshirë ngjarje, fushata, punëtori dhe materiale edukative të dedikuara për grupmosha të ndryshme të qytetarëve.

Ky aktivitet shënohet në nderim të ditës së 31 tetorit 1924, kur në Milano të Italisë u mbajt Kongresi i Parë Ndërkombëtar i bankave të kursimit dhe nga ai vit shënohet në gjithë botën me organizime dhe aktivitete të ndryshme të cilat kanë për qëllim kultivimin dhe zhvillimin  e kulturës dhe shprehive të kursimeve për fëmijë, nxënës dhe të rritur. BQK-ja e shënon këtë ditë me aktivitete të ndryshme edukative për disa vite me radhë.

Lansohet gara edukative “Stock Market Learning Competition Game” për avancimin e edukimit financiar në Kosovë përmes pjesëmarrjes në Bursën Virtuale të Shtutgartit BQK lanson Javën e Vetëdijesimit për Qasje në Financa për personat me aftësi të kufizuara