Shqip
Mbyll

Banka Qendrore dhe “EFSE Development Facility” (EFSE DF) zgjerojnë qasshmërinë në librat e edukimit financiar të fëmijëve

Banka Qendrore dhe “EFSE Development Facility” (EFSE DF) zgjerojnë qasshmërinë në librat e edukimit financiar të fëmijëve

Në një projekt të përbashkët, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e mbështetur nga EFSE DF, ka prodhuar serinë e librave të edukimit financiar për fëmijët e moshës shkollore. Seria prej pesë librash ka synuar klasat 1-5 dhe i njohu nxënësit me përdorimin e përgjegjshëm të parave, duke përfshirë kursimet, ndjekjen e shpenzimeve dhe më shumë.

Ministria e Arsimit e Kosovës njohu cilësinë dhe vlerën e materialeve dhe më 29 shtator 2020, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Bankën Qendrore për t’i miratuar këto libra në planprogramin e arsimit publik. Gjatë vitit 2021, librat janë shpërndarë në 900 shkolla në mbarë Kosovën.

Për të zgjeruar shtrirjen e këtij projekti, BQK dhe EFSE DF ranë dakord të printojnë dhe shpërndajnë serinë e librave të edukimit financiar në alfabetin Brail dhe formatin B5 për të përfshirë fëmijët me shikim të dëmtuar në këtë projekt.

Librat, të cilët promovojnë praktika të përgjegjshme financiare dhe përmirësojnë edukimin financiar, u shpërndanë fëmijëve në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, nga BQK dhe EFSE DF në një ngjarje të organizuar më 3 nëntor 2021.

Me këtë rast shefi i kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari tha se qëllimi i aktiviteteve të edukimit financiar të BQK-së është të inkurajojë fëmijët dhe të rinjtë që të informohen dhe të mësojnë sa më shumë për produktet, konceptet dhe shërbimet financiare dhe të aplikojnë praktika të mira financiare në jetën e tyre të përditshme. Sa më të informuar dhe të edukuar financiarisht të jenë qytetarët tanë, aq më të aftë do të jenë në rritjen e mirëqenies së tyre ekonomike dhe financiare, në përzgjedhjen e duhur të produkteve financiare dhe në marrjen e vendimeve të shëndosha për financat e tyre personale.

“Sot po ndajmë me nxënësit tuaj koleksionin e librave, i cili është shpërndarë në të gjitha shkollat e Kosovës. Ne synojmë të kontribuojmë në informimin dhe edukimin e fëmijëve të shkollave fillore me konceptet bazë financiare, të cilat ata do t’i zbatojnë gjatë gjithë jetës së tyre dhe do të ndikojnë në kulturën e tyre të menaxhimit financiar që në moshë të vogël. Për të qenë të qasshëm për të gjithë fëmijët në Kosovë, koleksioni i librave është përgatitur në të gjitha gjuhët lokale (në gjuhën shqipe, serbe, turke, boshnjake dhe atë rome), duke përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta. Librat e printuar në alfabetin Braille, formatin B5 si dhe audiolibrat, sigurojnë përfshirjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës në platformën e Edukimit Financiar të BQK-së,” tha Miftari.

Venera Hoxha, në emër të “Finance in Motion” – Menaxhere e EFSE DF, informoi të pranishmit se projekti i serisë së librave të edukimit financiar synon të kontribuojë në edukimin financiar të fëmijëve që nga mosha e hershme. “Duke ditur që fëmijët janë e ardhmja jonë, ne e kemi mbështetur këtë projekt dhe shpresojmë që librat do t’ju shërbejnë si bazë për të krijuar shprehi të mira në menaxhimin e parave sot dhe për të marrë vendime të përgjegjshme financiare gjatë gjithë jetës,” tha Hoxha.

Drejtori i kësaj Qendre, Xhavit Kastrati, falënderoi BQK-në dhe EFSE DF për librat, ndërsa shprehu gatishmërinë për të rritur edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet institucioneve në të mirë të nxënësve.

Ndërkohë, nxënësit u shprehën të lumtur me librat e dhuruar.

Objektivi i Programit të Edukimit Financiar të BQK-së është që të përfshijë të gjitha grupmoshat e qytetarëve të Kosovës në aktivitete edukative dhe të ofrojë qasje në materialet e edukimit financiar, me fokus primar fëmijët e moshës shkollore në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Rreth EFSE

Fond investimesh me ndikim i krijuar në vitin 2005, Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) synon të nxitë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Evropën Juglindore dhe Rajonin e Fqinjësisë Lindore duke investuar në suksesin e ndërmarrjeve mikro dhe atyre të vogla, si dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për ekonomitë familjare private. Duke qenë se qasja në shërbimet financiare është çelës për zhvillimin e këtij segmenti, EFSE fokusohet që të ndihmojë sektorët financiarë lokalë të forcojnë aftësinë e tyre për të ofruar financim të përgjegjshëm për këtë grup të synuar. Krahas aktiviteteve të tij investuese nëpërmjet partnerëve lokalë, EFSE e shumëfishon ndikimin e tij nëpërmjet EFSE DF, i cili ofron asistencë teknike, trajnime dhe mbështetje të tjera jofinanciare për ndërmarrësit dhe institucionet.

EFSE u iniciua nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, me mbështetjen financiare të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Komisionit Evropian. Si partneriteti i parë publiko-privat i këtij lloji, EFSE e merr kapitalin e tij nga agjencitë donatore, institucionet financiare ndërkombëtare dhe investitorët institucionalë privatë.

“Finance in Motion” GmbH, Gjermani, shërben si këshilltar i EFSE dhe Hauck & Aufhäuser Fund Services S.A., Luksemburg, vepron si menaxher.

Për më shumë informacione mbi Fondin Evropian për Evropën Juglindore, ju lutemi vizitoni: www.efse.lu 
Për më shumë informacione mbi “Finance in Motion”, ju lutemi vizitoni: www.finance-in-motion.com

Rreth “EFSE Development Facility”

EFSE DF u krijua në vitin 2006 për të mbështetur mandatin e financimit të zhvillimit të fondit. Ai vendos asistencë teknike efektive, të synuar dhe inovative, për të maksimizuar ndikimin dhe shtrirjen e fondit në vendet e synuara të EFSE. Akademia e Sipërmarrjes e EFSE-së është krah i EFSE DF që fokusohet në mënyrë specifike duke u ofruar sipërmarrësve burimet, trajnimin, mundësitë për mbështetje financiare dhe mjete të tjera të nevojshme për t’i kthyer idetë e mira në ndërmarrje të suksesshme.

Menaxhuar nga menaxheri i aseteve me ndikim, “Finance in Motion”, EFSE DF funksionon në mënyrë të pavarur nga fondi në një marrëveshje fiduciare sipas ligjit të Luksemburgut. Komiteti i EFSE DF, i përbërë nga anëtarë të emëruar nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, Banka Austriake për Zhvillim – OeEB dhe Banka Holandeze për Zhvillim – FMO, është përgjegjës për vlerësimin dhe miratimin e të gjitha propozimeve të projektit dhe ofrimin e udhëzimeve strategjike për EFSE DF.

Për më shumë informacione mbi Fondin Evropian për Evropën Juglindore, ju lutemi vizitoni: www.efse.lu 

Për më shumë informacione mbi “Finance in Motion”, ju lutemi vizitoni: www.finance-in-motion.com

BQK dhe programi i edukimit financiar kësaj radhe në Sh.f.m.u “Mihal Grameno”, në F.Kosovë

BQK dhe programi i edukimit financiar kësaj radhe në Sh.f.m.u “Mihal Grameno”, në F.Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës realizoi vizitë / ligjëratë në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë. Ligjërata u mbajt me nxënësit e klasave të katërta të kësaj shkolle, ku u bashkëbiseduan tema të ndryshme si: vlera e parasë, roli dhe funksionet e BQK-së, si funksionojnë bankat, kreditë, kursimet, buxhetimi e tema të tjera që i përkasin edukimit financiar.           

Nxënësit gjithashtu lexuan dhe diskutuan rreth librit “Një ditëlindje më ndryshe”, libër i klasave të katërta, pjesë e koleksionit të librave të edukimit financiar për klasat 1-5 të shkollave fillore, përgatitur nga BQK-ja dhe mbështetur nga EFSE-Finance in Motion.   

Pas përfundimit me leximin e librit “ Një ditëlindje më ndryshe”, me fëmijët u diskutuan pyetje të ndryshme në lidhje me librin dhe me menaxhimin e parasë në përgjithësi.

Zyrtarët e edukimit financiar të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës vizituan dhe realizuan ligjëratë me nxënësit e Shkollës Pandeli Sotiri, në Obiliq

Zyrtarët e edukimit financiar të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës vizituan dhe realizuan ligjëratë me nxënësit e Shkollës Pandeli Sotiri, në Obiliq

Zyrtarët e Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, realizuan vizitë/ligjëratë në shkollën fillore “ Pandeli Sotiri” në Obiliq.

Ligjërata u mbajt me nxënësit e klasës së katërt dhe u bashkëbisedua për tema të ndryshme rreth Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, funksioneve kryesore të saj, vlerës së parasë, mënyrave të duhura të menaxhimit të parave, çka janë e si funksionojnë bankat,  kursimet, buxheti personal e tema të tjera relevante të fushës së edukimit të përshtatshme për nivelin e nxënësve me të cilët u mbajt ora.

Me  nxënësit u bisedua edhe rreth librit të edukimit për klasat e katërta të përgatitura dhe shpërndara me koleksionin e librave të edukimit financiar për klasat 1-5 të shkollave fillore, gjithashtu  ju shpërndanë materiale edukative të përgatitura nga BQK.

Nxënësit po ashtu  ishin kureshtar  të dinin më shumë për tema të ndryshme rreth BQK-së, nga vijnë monedhat e kartëmonedhat Euro në Kosovë, funksionimin e bankave, kursimet  si dhe  rreth koleksionit të librave.

Studentët e Kolegjit UBT njoftohen me punën e BQK-së

Studentët e Kolegjit UBT njoftohen me punën e BQK-së

Një grup i studentëve të vitit të tretë të Kolegjit UBT është informuar për së afërmi me punën e BQK-së dhe zhvillimet e fundit në sektorët që mbulohen nga ky institucion.

Ligjërata u organizua në kuadër të aktiviteteve të Edukimit Financiar, ku para tyre ka mbajtur një ligjëratë Nexhat Miftari, Shef i Kabinetit të Guvernatorit.

Gjate këtij prezantimi studentet patën rastin të njihen me funksionet, rolin dhe rëndësinë e BQK-së, në ekonominë e vendit, strukturën e sektorit financiar, funksionimin e departamenteve të BQK-së dhe shumë detaje tjera relevante.

Profesori Florin Aliu, falënderoi BQK-në për gatishmërinë që të ofrojë informata për të gjithë studentët.

Studentët bashkëbiseduan me zyrtarët e BQK-së rreth shumë çështjeve ekonomike e financiare, rreth funksionimit të sistemit të pagesave, funksionimit të mbikëqyrjes financiare, menaxhimit të mjeteve, letrave me vlerë e aktiviteteve tjera që po organizohen nga BQK.

Gjithashtu, studentët janë informuar se të aplikojnë me punimet e tyre për çmimin për ekonomistët e rin , si dhe në programin e praktikës në BQK.

Ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për rolin dhe rëndësinë e sigurimeve në ekonominë e vendit

Ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për rolin dhe rëndësinë e sigurimeve në ekonominë e vendit

Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, morën pjesë në ligjeratën për rolin dhe rëndësinë e sigurimeve në ekonominë e vendit. Ligjërata u realizua nga drejtoresha e Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve në BQK, znj. Ramize Ramadani, me studentët e nivelit bachelor, programi Banka dhe Financa në kuadër të lëndës – Kontabiliteti i kompanive të sigurimit, të mbajtur nga profesoresha, znj.Edona Perjuci.

Përveç rolit dhe rëndësisë së sigurimeve në ekonominë e vendit, studentët u informuan gjithashtu për rolin dhe përgjegjësitë e BQK-së, me fokus të veçantë sektorin e sigurimeve, duke shtuar këtu edhe procesin e mbikëqyrjes së këtij sektori dhe të dhëna të tjera relevante për sigurimet. Duke qenë se ligjërata është mbajtur në kuadër të lëndës Kontabilititi i kompanive të sigurimeve, përmbajtja e ligjeratës plotësoj dhe thelloj njohuritë e tanishme të studentëve mbi sigurimet.

Në këtë ligjëratë, studentët pjesëmarrës u interesuan për mënyrën e funksionimit të BQK-së në fushën e mbikëqyrjes financiare dhe parashtruan pyetje të ndryshme rreth këtij sektori.

Profesoresha dhe studentët falënderuan drejtoreshën e Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve në BQK, Ramize Ramadani, për informacionet e ofruara dhe shprehën interesimin që të vazhdohet edhe në të ardhmen me ligjërata.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për punime me titull: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për punime me titull: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpall konkurs për nxënësit e klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, të realizojnë punime mbi konceptin e tyre të menaxhimit të parasë: si fitohen paratë, si shpenzohen paratë në mënyrën e duhur, menaxhimi i financave personale, si të kursejmë, etj.

Punimi duhet të jetë punë krijuese sivizatim, ilustrim, video e shkurtër,tregim, vjershë, punë dore dhe të përcjellë qartë mesazhin e temës.

 Punimi mund të jetë individual ose grupor.

Mos harroni të shënoni emrin, mbiemrin, moshën, klasën, emrin e shkollës tuaj, nr e telefonit, ose emailin!

Punimet tuaja mund t’i dërgoni deri më datë 11 mars 2022, në adresën :

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës

Departamenti për Marrëdhenie me Jashtë

Rr. Garibaldi nr .33, 10000, Prishtinë

apo në email adresën edukimi@bqk-kos.org.

5 punimet më të mira do të shpërblehen si më poshtë:

Çmimi i I- 300 euro,

Çmimi i II -250 euro,

Çmimi i III-200 euro,

Çmimi i IV -150 euro,

Çmimi i V-100 euro

Fituesit do të shpallen gjatë Javës Ndërkombëtare të Parasë 2022 (21-27 mars 2022).

Punimet fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si material edukativ.

Pas përfundimit të procedurave të përzgjedhjes së punimeve më të mira, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues.

Suksese!

Ndahen çmimet për punimet me temën: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Ndahen çmimet për punimet me temën: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka filluar shënimin e Javës Ndërkombëtare të Parasë, me aktivitetin e ndarjes së çmimeve nga konkursi i shpallur  për punimet më të mira me temën: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”.

Java Ndërkombëtare e Parasë organizohet nga Rrjeti Ndërkombëtar i OECD për Edukimin Financiar (OECD/INFE), dhe marrin pjesë 176 shtete nga mbarë bota, duke organizuar aktivitete ndërgjegjësuese rreth menaxhimit të duhur të parasë.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, e cila tradicionalisht shënohet nga BQK, sot u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për pesë nxënësit fitues të garës së  klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, të cilët garuan përmes punimeve të tyre duke realizuar punime mbi konceptin e tyre të menaxhimit të parasë: si fitohen paratë, si shpenzohen paratë në mënyrën e duhur, menaxhimi i financave personale, si të kursejmë, etj.

Qëllimi kryesor i organizimit të këtij aktiviteti është që të kontribuojmë dhe nxitim fëmijët, që qysh në fazë të hershme të fillojnë të mësojnë e ndërgjegjësohen rreth vlerës së parasë dhe menaxhimit të duhur të saj.

Nxënësit u pritën në BQK nga Koordinatori për Funksione të Përgjithshme, Labinot Preniqi i cili tha se BQK do të vazhdojë që të ofrojë mundësi për edukim për fëmijët. “Ne ju inkurajojmë gjithmonë që të përcillni konkurset e tilla dhe të mësoni e njiheni më shumë rreth kësaj fushe e gjithashtu të vazhdoni të aplikoni me punimet tuaja në konkurset e ardhshme, sepse me rritjen e njohurive për konceptet bazike ekonomike e financiare, ju do të jeni të kujdesshëm me paranë tuaj, me kursimet tuaja, do t’i dëgjoni prindërit se si duhet t’i shpenzoni paratë dhe të merrni këshillat më të mira sa i përket parave”, ka thënë Preniqi.

Pas shqyrtimit me kujdes të të gjitha punimeve të sjella nga fëmijët, komisioni vlerësues vendosi që t’i ndajë pesë çmime. Shumica  e punimeve të pranuara në BQK ishin kreative, relevante me temën dhe të punuara me shumë kujdes e përkushtim.

BQK përmbylli me shume aktivitete Javën Ndërkombëtare të Parasë 2022, në Kosovë

BQK përmbylli me shume aktivitete Javën Ndërkombëtare të Parasë 2022, në Kosovë

Motoja: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, tashmë në mënyrë tradicionale është bërë pjesë e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë që nga viti 2013. Edhe  JNP e 2022 e gjeti BQK-në me një varg të aktiviteteve të ndryshme edukativo-financiare.

Përmes këtyre aktiviteteve, BQK-ja vendos Kosovën në fushatën ndërkombëtare mbi rëndësinë e edukimit financiar, fushatë kjo e cila  udhëhiqet dhe koordinohet nga OECD-ja, e në të cilën morën pjesë 170 vende te botës.

Rrjedhimisht këtë vit, nisur nga data 21 deri më 25 mars 2022, BQK-ja zhvilloi aktivitete të edukimit financiar për fëmijë dhe të rinj nëpër disa qytete të Kosovës për grup-mosha të ndryshme, duke filluar nga nxënësit e shkollave fillore, cikli i ulët deri te studentët e universitetit.

Aktivitetet u zhvilluan si në vijim:

21 mars, Prishtinë – U bë hapja e “Javës Ndërkombëtare të Parasë 2022” në Kosovë ku z. Labinot Preniqi, Koordinator për Funksione të Përgjithshme në BQK,  foli në Radio Televizionin e Kosovë për rëndësinë e edukimit financiar dhe gjithë përfshirjes financiare, e me fokus të veçantë për fëmijët dhe të rinjtë, për aktivitetet me të cilat BQK do të shënojë JNP-në, e për tema relevante të sektorit financiar. Për të folur për rëndësinë e edukimit financiar si një nga komponentët më të rëndësishëm të funksioneve të BQK-së në frymën e shpërndarjes së njohurive që ndërlidhen me çështjet e edukimit financiar, përfshirjes financiare, aktiviteteve dhe organizimeve që bën institucioni, gjatë shënimit të kësaj Jave ka pasur prani edhe në mediat e ndryshme të vendit ku Koordinatori për Funksione të Përgjithshme , ishte i pranishëm duke shtjelluar  kryesisht rolin dhe rëndësinë e çështjeve të edukimit dhe përfshirjes financiare për të gjitha grup-moshat.

Banka Qendrore edhe kësaj radhe për  shënimin e JNP-së ka organizuar garën  me një konkurs për fëmijët e  klasave IV-V të shkollave të Kosovës. Në këtë garë morën pjesë nxënës të shkollave të Kosovës të cilët me idetë dhe imagjinatën e tyre, sollën punime konkurruese  ku komisioni profesional nga BQK ka vlerësuar këto punime.

Me këtë rast gjatë ditës së 21 marsit  u realizua ceremonia e ndarjes së çmimeve fituese të konkursit të klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” ku pesë nxënësit fitues të kësaj gare u pritën në BQK dhe i morën shpërblimet për punimet e tyre të vlerësuara.

22 mars, Prizren- Në “Qendrën e Edukimit Financiar” të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prizren, u pritën nxënësit e klasave të 6-ta të shkollës fillore “Loyola” të kësaj komune.. Nxënësit patën mundësi të dëgjojnë një ligjëratë nga zyrtarët e BQK-së mbi: vlerën e parasë, historikun e parasë; rëndësinë e të pasurit një mjet shkëmbimi/tregtimi të pranueshëm për të gjithë; rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; përdorimin e euros në Kosovë, e shumë tema të tjera me rendësi ekonomike.

Aktiviteti u zhvillua kryesisht në formë të një bashkëbisedimi ku interesimi dhe kurioziteti i  nxënësve për të ditur më shumë mbi çështjet financiare dhe ekonomike ishte shumë i lartë.

23 mars, Shtime- Zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës vizituan sh.f.m.u ”Emin Duraku” në Shtime ku edhe zhvilluan aktivitetin me nxënësit e klasave të katërta të kësaj shkolle. Nxënësit dëgjuan ligjëratë nga zyrtarët e BQK-së rreth temave të ndryshme relevante për moshën e tyre, çka nënkupton edukimi financiar, sa është e rëndësishme që në të ardhmen nxënësit të jenë të edukuar financiarisht, duke filluar nga menaxhimi i financave personale, sjellja/ raporti me institucione financiare, kursimet, menaxhimi i shpenzimeve, etj. Nxënësve ju shpërndanë seti prej 5 Librash të Edukimit Financiar dhe materiale të  tjera edukative.

25 mars, Gjakovë- Traditën e ligjëratave në universitetet publike dhe private të Kosovës, me rastin e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë,  këtë vit BQK-ja e ka realizuar  në Gjakovë. Me këtë rast  ekipi i BQK-së  janë mirëpritur nga stafi akademik dhe studentët  e Universitetit “ Fehmi Agani “ në Gjakovë,  ku u mbajt ligjëratë për studentët e Fakultetit të Edukimit, me ç’rast Këshilltari i Guvernatorit në BQK, z. Blerim Terziqi foli për rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në ekonominë e Kosovës, për strukturën dhe funksionimin e sektorit financiar në Kosovë, si dhe tema të tjera relevante. Ligjërata u mirëprit nga studentët dhe u zhvillua në formë të bashkëbisedimit me shumë pyetje e kërkesa të adresuara  për fusha të ndryshme të lidhura me sektorin financiar.

BQK shënon “Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve” me aktivitet edukativ në SHFMU “Asim Vokshi”, në Prishtinë

BQK shënon “Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve” me aktivitet edukativ në SHFMU “Asim Vokshi”, në Prishtinë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon 1 Qershorin, “Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”, përmes aktivitetit edukativ me fëmijët e Shkollës Fillore Asim Vokshi. Aktiviteti edukativ u realizua nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë me të gjithë nxënësit e klasave të IV-ta, të SHFMU “Asim Vokshi” në Prishtinë.

Gjatë aktivitetit u bashkëbisedua rreth koncepteve bazike ekonomike e financiare si: historisë së parasë, vlerës së parasë, kursimeve, buxhetit, buxhetit personal, librit të kursimeve, si funksionon dhe çka bën Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, çka janë e si funksionojnë bankat, çka janë shpenzimet e si përcaktohen qëllimet financiare në moshën e tyre. Pyetje të shumta, që nxënësit bënë gjatë aktivitetit, treguan kureshtjen dhe vullnetin për të mësuar rreth këtyre temave.

BQK përmes aktiviteteve, materialeve e projekteve të shumta të realizuara në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, vazhdon të kontribuojë në krijimin e kulturës edukativo-financiare dhe të kontribuojë, që fëmijët të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjellje adekuate për të marrë vendime të duhura financiare në të ardhmen.

Aktivitet edukimi me nxënësit e komunitetit turk të shkollave fillore në Prizren

Aktivitet edukimi me nxënësit e komunitetit turk të shkollave fillore në Prizren

Në kuadër të aktiviteteve të edukimit financiar, të organizuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, për ndërgjegjësimin dhe edukimin financiar të nxënësve, në “Qendrën e Trajnimit dhe Edukimit Financiar” të BQK-së, në Prizren, u mirëpritën 30 nxënës të klasave të IV-ta, të komunitetit turk, të shkollave fillore, në Prizren.

Nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë rreth historisë e vlerës së parasë, rëndësisë së menaxhimit të duhur të financave personale, krijimit të shprehisë së kursimit qysh në moshën e hershme, rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e tema të tjera relevante, të shpjeguara në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre.

Si funksionon sektori financiar në Kosovë, si funksionon një bankë, si funksionojnë kartelat bankare e si i ruajnë paratë bankat, ishin vetëm disa nga pyetjet e shumta, të cilat ju drejtuan zyrtarëve te BQK-së nga nxënësit. Kureshtja e shfaqur përmes pyetjeve të panumërta, tregoi vullnetin e nxënësve për të mësuar sa më shumë rreth këtyre temave.  

Organizimi i aktivitetit u mundësua me mbështetjen e z. Agron Dida, Koordinator i Qendrës së Vazhdimësisë së Funksioneve të BQK-së, në Prizren, i cili në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit siguruan pjesëmarrjen e nxënësve në këtë aktivitet. Pas përfundimit te ligjëratës nxënësve ju adresua edhe z. Levent Buş, Zëvendëskryetar i Kuvendit Komunal të Prizrenit

Nxënësve ju dhurua koleksioni prej 5 librash për edukim financiar në gjuhën turke, te cilat janë përgatitur nga bashkëpunimi i BQK-se dhe EFSE-S, te cilët e mbështetën realizimin e Librave në gjuhën shqipe dhe në të gjitha gjuhët e komuniteteve në Kosovë.