SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpriti një grup nxënësish nga Shkolla Finlandeze në Kosovë (The Finnish School of Kosovo), nxënësit vinin nga klasat e shkollës së mesme të këtij institucioni. Vizita u organizua në kuadër të aktiviteteve për edukim financiar, duke u mundësuar nxënësve të njihen nga afër me funksionimin e institucionit kryesor financiar të vendit.

Gjatë aktivitetit, nxënësit u pritën nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar , i cili ka për mision ngritjen e njohurive financiare dhe ekonomike tek qytetarët e të gjitha moshave.

Më pas, bashkëbisedimi i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, zgjoi interesim dhe ishte pjesë e veçantë e vizitës me nxënësit e klasave të dhjeta dhe të njëmbëdhjeta të Shkollës Finlandeze.

Gjatë diskutimeve u trajtuan një sërë temash me rëndësi për edukimin financiar të të rinjve, duke përshirë:

  • Funksionimin dhe rolin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës – Nxënësit u njohën me përgjegjësitë kryesore të BQK-së, përshirë mbikëqyrjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
  • Financat personale – U diskutua mbi rëndësinë e planifikimit financiar dhe menaxhimit të duhur të financave në jetën e përditshme.
  • Organizimi i buxhetit – Nxënësit morën informacione mbi menaxhimin e duhur të buxhetit personal dhe familjar.
  • Qëllimet financiare – U theksua domosdoshmëria e vendosjes së objektivave financiare dhe hapat e nevojshëm për realizimin e tyre.
  • Kursimet dhe shmangia e blerjeve impulsive – Guvernatori nënvizoi rëndësinë e kursimeve si një mjet për stabilitet financiar dhe nevojën për shmangien e shpenzimeve të panevojshme.

Gjatë bashkëbisedimit me Guvernatorin, nxënësit shtruan pyetje dhe u angazhuan në diskutime mbi tema si digjitalizimi, inovacionet në sektorin bankar, metodat bashkëkohore të pagesave dhe hapja e llogarive bankare në Kosovë. Nxënësit u treguan tejet interaktiv dhe të interesuar për të fituar njohuri të reja në fushën e financave.

Zyrtaret e edukimit financiar në BQK i udhëzuan nxënësit që të ndjekin faqen e BQK-së, atë të edukimit financiar dhe rrjetet sociale për t’u njohur me të rejat e fundit në sektor si dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve që në vazhdimësi zhvillon BQK-ja nga sfera e edukimit financiar.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të vazhdojë organizimin e vizitave të ngjashme në të ardhmen, duke përshirë grupe të ndryshme të qytetarëve, me qëllim rritjen e njohurive financiare dhe për të kontribuar për një të ardhme financiare më të informuar dhe të qëndrueshme për të gjithë.

Guvernatori Mehmeti bashkëbisedoi me studentë të Universitetit “Haxhi Zeka” Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për videon më të mirë në fushën e financave dhe ekonomisë
Skip to content