Shqip
Mbyll

BQK shënon “1 Qershorin- Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”

BQK shënon “1 Qershorin- Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”

Në kuadër të aktiviteteve të Edukimit Financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) organizoi aktivitet edukativ me nxënës të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, për të shënuar “1 Qershorin-Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve” me qëllim të ndërgjegjësimit dhe informimit të tyre rreth përdorimit të duhur të parasë.

Nxënësit u mirëpritën në BQK nga stafi të cilat prezantuan funksionet e Bankës Qendrore, historinë e parasë, mënyrat e menaxhimit të parasë, të shpenzuarit e kujdesshëm dhe kursimet. Përmes bashkëbisedimit dhe shembujve të ndryshëm, zyrtarët e BQK-së këshilluan nxënësit se si të krijojnë shprehi të duhura për përdorimin dhe menaxhimin e parasë.

Aktiviteti ishte interaktiv dhe nxënësit parashtruan pyetje të shumta për BQK-në, bankat, kursimet dhe paratë. Pas ligjëratës dhe bashkëbisedimit me zyrtarët e BQK-së, nxënësit vizituan ambientet e bankës dhe u informuan rreth historikut të BQK-së, monedhave të ekspozuara dhe objektit të BQK-së.

Gjatë javës, me qëllim të ngritjes së njohurive ekonomike e financiare, u realizua edhe një ligjëratë me nxënës të Shkollës së Mesme “Abdyl Ramaj ” nga Suhareka, respektivisht nxënës të drejtimit Banka dhe Sigurime.

Ligjërues nga departamenti i Mbikëqyrjes Bankare dhe të Sigurimeve informuan nxënësit për rolin dhe rëndësinë e BQK-së, funksionet dhe përgjegjësitë e saj ndaj sektorit financiar në vend, aspektet kryesore të rolit mbikëqyrës të BQK-së ndaj sektorit bankar dhe sektorit financiar në përgjithësi. Nxënësit gjithashtu bashkëbiseduan me zyrtarët e BQK-së edhe rreth temave dhe çështjeve bazike si menaxhimi i buxhetit personal, kursimet, sigurinë e blerjeve online si dhe rritjen e njohurive ndaj produkteve financiare, që mund të jenë në interesin e kësaj moshe.

Të dyja këto aktivitete u mbajtën me qëllim të rritjes së njohurive bazike ekonomike dhe financiare të nxënësve, për të siguruar një mirëqenie ekonomike në të ardhmen e gjeneratave të reja në një ambient përherë të ndryshueshëm të ekonomisë globale.

Zyrtarë të BQK-së mbajnë ligjëratë për Studentët e Kolegjit UBT