Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare Child & Youth Finance International Youth dhe Shoqatën e Bankave, ka mbajtur punëtorinë dyditore me temën:“Punëtori për mundësinë e përfshirjes së palëve të interesit në edukimin financiar”, në të cilën po marrin pjesë institucione financiare dhe institucione të ndryshme publike në Kosovë.
Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe bashkëpunim, duke theksuar se një ndër qëllimet strategjike të BQK-së është nxitja e zhvillimit të shëndoshë të sistemit financiar në Kosovë dhe zhvillimi i mëtejshëm i funksionimit të edukimit financiar me qëllim të krijimit të kulturës së mirëfilltë financiare, që u ndihmon të gjitha palëve të interesit për të marrë vendimet e duhura.
Ai theksoi se çështja e edukimit financiar zë një rol të veçantë në agjendën e rregullatorëve dhe institucioneve financiare.
“Sektori i shërbimeve financiare ka një pjesë të fuqishme në krijimin e vendeve të punës, lehtësimin e infrastrukturës vitale dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit”, ka theksuar Guvernatori Hamza.
“Zhvillimi i një mjedisi të sigurt dhe të drejtë për ofrimin e shërbimeve financiare është një nga qëllimet kryesore strategjike të BQK-së, e cila ka zhvilluar strategjinë e vet për mbrojtjen e konsumatorit, e cila fokusohet në ofrimin e ndihmës ndaj përdoruesve të shërbimeve financiare për të marrë vendime duke qenë të informuar drejt dhe me kohë për të mbrojtur të drejtat e tyre”, ka shtuar Hamza.
Shërbimet dhe produktet e sektorit financiar prekin jetën e secilit qytetarë të Kosovës, prandaj BQK-ja inkurajon të gjitha institucionet financiare në ndërtimin e një tregu financiar që trajton konsumatorët në mënyrë të drejtë, inkurajon përfshirjen financiare, por edhe ndihmon qytetarët në përdorimin efektiv të shërbimeve financiare.
“Menaxhimi i mirë i financave nuk është e mirë vetëm për qytetarët, por ka efekt pozitiv edhe në interesat afatgjata të shtetit dhe ka ndikim në rritjen ekonomike. BQK është e përkushtuar të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit dhe të punojë drejt rritjes së cilësisë në të gjithë sektorët financiarë e mbi të gjitha të kontribuojë në mbrojtjen e konsumatorit”, ka thënë Guvernatori Hamza.Për më shumë fjalimi i Guvernatorit Hamza.
Petrit Balija, kryetar i Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK), foli rreth një studimi të bërë së bashku me Bankën Botërore në të cilin ka dalë që qytetarët e Kosovës janë kursimtar të mirë.
“Tregues pozitiv i kësaj ankete është se 71 për qind e të anketuarve janë të interesuar për edukim financiar dhe të marrin trajnime dhe njohuri më shumë në lidhje me edukimin financiar”, ka thënë Balija.
Sipas tij, Shoqata e Bankave të Kosovës ka zhvilluar një aktivitet për edukimin financiar duke përfshirë edhe një projekte dyvjeçar me Bankën Botërore, me të cilin synojnë të edukojmë rreth 3 mijë qytetarë përmes seminareve të ndryshme.
Karina Avakyan, përfaqësuese e Organizatës Ndërkombëtare për Fëmijë dhe të Rinj (CYFI), theksoi se trajnimet e tilla për edukim financiar janë të pranueshme. Duke shprehur falënderimin për bashkëpunim ajo ndër të tjera theksoi se “më vjen mirë që fëmijët tuaj tashmë po marrin trajnime të tilla”.
“Këto trajnime kanë filluar në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme prej të cilëve pritet të ketë një të ardhme më të mirë ekonomike”, ka theksuar ajo.
Gjatë punëtorisë dyditore janë diskutuar tema të shumta rreth mënyrës së edukimit financiar si psh: Parimet në strategjinë kombëtare të edukimit financiar, shembujt ndërkombëtar të programeve të edukimit financiar për të rinjtë dhe të rriturit, financat për të rinjtë, përfshirja e institucioneve etj .
Në fund të punëtorisë të gjithë pjesëmarrësit janë pajisur me certifikata.