Në kuadër të programit të edukimit financiar, më 30 maj 2017 është organizuar vizita e fëmijëve të SOS Fshatit, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, ku këta fëmijë ishin të ftuarit e veçantë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, z. Bedri Hamza. Gjatë zhvillimit të bashkëbisedimit të Guvernatorit me fëmijë, u diskutuan çështje të ndryshme si puna, rëndësia e menaxhimit të parasë, kursimet, funksionet e BQK-së, operimi i institucioneve financiare në Kosovë etj.
Guvernatori Hamza u zotua se Banka Qendrore e Kosovës do t’u kushtojë vëmendje të veçantë fëmijëve të SOS Fshatit, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen dhe përfshirjen e tyre në të gjitha aktivitetet edukative financiare.
Përveç takimit me Guvernatorin, fëmijët patën mundësi të njoftohen për së afërmi me strukturën e Bankës Qendrore, si dhe me punën dhe funksionet e disa nga departamenteve më të rëndësishme në BQK.
Në shenjë falënderimi, fëmijët e SOS Fshatit kishin përgatitur një dhuratë simbolike për BQK-në, me mesazh të kursimit të parasë
Femijët e SOS Fshatit u përfshinë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në aktivitetet e saj lidhur me edukimin financiar, me rastin e shënimit të Javës Ndërkombetare të Parasë.