Në vazhdën e aktiviteteve për të kontribuar në ndërgjegjësimin e nxënësve rreth edukimit financiar Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mbajtur një sesion të edukimit financiar në SHFML “Ahmet Hoxha” në Ferizaj.
Ky aktivitet ka sjellë një mundësi për fëmijët e kësaj shkolle të mësojnë dhe diskutojnë lidhur me tema të ndryshme të edukimit financiar.
Në këtë sesion, zyrtarët nga BQK kanë ligjëruar e bashkëbiseduar rreth temave dhe çështjeve themelore si menaxhimi i buxhetit personal, kursimet, investimet e zgjuara, dhe rritja e ndërgjegjësimit rreth produkteve financiare.
Nxënësit nga Shkolla “Ahmet Hoxha” shfaqën interesim të madh mbi këto tema dhe ishin kureshtar të bënin pyetje specifike lidhur me menaxhimin e duhur të financave personale, funksionimin e sistemit financiar, produktet e ndryshme bankare, mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe funksionet e sajë.
Ekipi i BQK-së inkurajoi nxënësit të vazhdojnë të lexojnë, informohen e të diskutojnë mbi njohuritë e fituara, me qëllim që në të ardhmen të dinë të marrin vendime të duhura rreth financave personale.
Aktivitetet e këtilla të edukimit financiar theksojnë angazhimin e BQK-së për të kontribuar që qytetarët e Kosovës të informohen e ndërgjegjësohen rreth menaxhimi të financave personale.