Nxënësit nga komuniteti boshnjak i shkollës së mesme ekonomike “Ymer Prizreni” u pritën në “Qendrën e Edukimit Financiar dhe Trajnimeve” të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Prizren. Ata kishin mundësinë të mësonin më shumë rreth praktikave të drejta të menaxhimit të financave personale, rëndësisë së mbajtjes së buxhetit personal, përcaktimit të qëllimeve financiare dhe krijimit të një marrëdhënie të mirë me bankat dhe institucionet financiare të tjera. Gjithashtu u diskutua për rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ekonominë e vendit, si funksionon sistemi financiar në Kosovë dhe shumë tema tjera relevante në këtë fushë.