Banka Qendrore të Republikës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për përfshirjen e edukimit financiar në komunat e ndryshme të Kosovës, me 11 maj 2023 organizoi një aktivitet me nxënësit e klasave VI-IX te SHFMU “Metush Krasniqi” të fshatit Roganë të Komunës së Kamenicës, me qëllim të promovimit të edukimit financiar dhe ndërgjegjësimit te nxënësve për rëndësinë e menaxhimit të financave personale.
Nxënësit, përmes ligjëratës dhe diskutimeve u njoftuan për tema të ndryshme financiare, duke përfshirë menaxhimin e buxhetit personal, rëndësinë e kursimeve, funksionimin e sektorit financiar, dhe çështje tjera relevante për moshën e tyre që do t’u ndihmojnë në rritjen e vetëdijes së tyre financiare dhe marrjen e vendimeve të duhura financiare.
Aktiviteti u prit me entuziazëm nga nxënësit, të cilët treguan një përkushtim të madh për t’u informuar rreth këtyre temave. Drejtoresha dhe stafi pedagogjik i shkollës shprehën falënderimet ndaj Bankës Qendrore për mundësinë e dhënë për ndërgjegjësimin financiar të nxënësve. Me këtë rast nxënësve ju dhuruan pako individuale me materiale edukative financiare të përshtatshme për grup moshën e tyre.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes aktiviteteve të saj, dëshiron të theksojë rëndësinë e edukimit financiar dhe të kontribuojë në përgatitjen e një brezi të ri të informuar dhe të vetëdijësuar për çështjet financiare në mënyrë që në të ardhmen të jenë të gatshëm për t’i menaxhuar financat e tyre me përgjegjësi.