Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë, organizuan Ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) dhe 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë organizuan Ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

Ekspozita ishte pjesë e agjendës shtetërore të organizuar nga Komisioni Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe qëndroi e hapur nga data 10 deri më 12 qershor 2018, nga ora 10:00 deri 20:00, në Muzeun e Lidhjes së Prizrenit në Prizren.

Ekspozita, e cila u hap nga Guvernatori z. Fehmi Mehmeti, përmbajti thesar numizmatik nga Kosova dhe Shqipëria, kryesisht monedha të trojeve shqiptare, që janë përdorur gjatë etapave të ndryshme, që nga shekulli I para Krishtit e deri në ditët e sotme.

Në fjalën e tij Guvernatori Mehmeti, ka vlerësuar lart rolin dhe rëndësinë e kësaj ekspozite, e cila u mbajt më 10 qershor 2018, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, datë që përkon me 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut  dhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai ka theksuar se në saje të një bashkëpunimi të ndërsjellë, në mes të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bankës së Shqipërisë, në koordinim me Muzeun e Kosovës  dhe Muzeun e Lidhjes së Prizrenit si nikoqir, u mundësua realizimi i ekspozitës ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’.

Altin Tanku, zyrtar i lartë nga Banka e Shqipërisë, po ashtu e ka vlerësuar hapjen e ekspozitës si shumë të rëndësishme pasi përkujton ngjarje të mëdha për kombin shqiptar dhe sjellë për publikun një pjesë të historisë monetare të trojeve shqiptare, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.

Përveç thesarit numizmatik, në ekspozitë janë prezantuar edhe imazhe historike dhe produkte të edukimit financiar të dy bankave qendrore, duke prezantuar kështu një shkrirje në mes të numizmatikës, historisë dhe edukimit.

Pjesa e parë e ekspozitës është përbërë nga monedha të cilat BQK i ka huazuar nga Muzeu i Kosovës e që i përkasin periudhave të antikitetit, kryesisht para-mesjetës, mesjetës dhe periudhës romake. Pjesë e këtij koleksioni ishin edhe monedhat që datojnë nga shekulli V para Kr. siç janë Tassos dhe Derrones, e çka dëshmon që dardanët njihnin dhe përdornin monedhën si mjet pagese që në shekullin V para Kr.

Koleksioni i përzgjedhur nga Banka e Shqipërisë për këtë ekspozitë ka prezantuar kryesisht monedha dhe kartëmonedha shqiptare të viteve 1921-1996, të cilat paraqesin Heroin Kombëtar dhe simbole të lidhura me të, elemente shtypi të këtyre prerjeve.

Veçantia e kësaj ekspozite ishte se aty u prezantuan edhe monedhat përkujtimore, që ndërlidhen me histori kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit dhe Shpallja e Pavarësisë.

Ekspozita është vizituar nga personalitete të larta, përfshirë Kryeministrin z. Ramush Haradinaj,  Presidentin e Shqipërisë z. Ilir Meta, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, Ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë z. Shyqiri Bytyqi, përfaqësuesin e Familjes Jashari, z. Rifat Jashari, ambasadorë dhe përfaqësues e  zyrtarë të lartë nga të gjitha trojet shqiptare.

Ekspozita ka zgjuar interesim të madh si tek mediat ashtu edhe te qytetarët. Gjatë tri ditëve sa ka qëndruar e hapur,  qindra qytetarë dhe nxënës  e kanë vizituar këtë ekspozitë, ku rreth përmbajtjes dhe eksponateve janë njoftuar nga zyrtarë të edukimit financiar të BQK-së dhe BSH-së si dhe ekspertë të numizmatikës. Gjithashtu shumë mediave vendore transmetuan lajme dhe imazhe nga ekspozita.

Ekspozita është shoqëruar edhe me një kënd edukativ me broshura të ndryshme informative për funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës se Shqipërisë, si dhe broshura me tematika të tjera të edukimit financiar për grup-mosha të ndryshme.

Më shumë artikuj

Pupu ka nje ide

Libër për klasën e pestë të arsimit fillor

Lexo më shumë

Një ditëlindje më ndryshe!

Libër për klasën e katërt të arsimit fillor

Lexo më shumë

A do të shkojë Pupu në cirk?

Libër për klasën e tretë arsimit fillor

Lexo më shumë

Pupu shkon në bankë

Libër për klasën e dytë të arsimit fillor

Lexo më shumë

Pupu në garën e vrapimit

Libër për klasën e parë të arsimit fillor

Lexo më shumë