Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vazhdën e Programit të Praktikës për Studentë, ka mundësuar edhe këtë vit ndjekjen e praktikës për studentët e dalluar të universiteteve dhe kolegjeve të Kosovës në BQK.
Me rastin e përfundimit të Praktikës Profesionale në një ceremoni rasti, Guvernatori Hamza në prani edhe të menaxherëve të BQK-së u ka ndarë certifikata të gjithë studentëve të cilët me sukses kanë ndjekur programin e praktikës. Guvernatori i BQK-së z.Bedri Hamza ka nënvizuar përkushtimin e treguar të studentëve gjatë kohës sa ishin në BQK. Më tej, Guvernatori Hamza duke folur për rolin dhe mundësinë e ofruar për studentët që të ndjekin praktikën në BQK , ka potencuar se ky program është një mundësi e shkëlqyer e cila do të ndikojë në ngritjen e dijeve dhe formësimin e tyre profesional . Po ashtu ai i ka inkurajuar studentët që pas diplomimit të përcjellin konkurset në BQK dhe pse jo ndonjëri nga ta jenë pjesë e BQK-së.
Programi i praktikës për studentë i ofruar nga BQK-ja mundëson lidhjen midis njohurive teorike të fituara gjatë studimeve dhe punës praktike në institucionet publike të pavarura. Ky program zgjatë katër javë dhe nuk nënkupton në asnjë mënyrë ndonjë marrëdhënie formale pune me BQK-në.
Gjatë praktikës studentet e përzgjedhur sistemohen nëpër njësi organizative të caktuara të BQK-së dhe punojnë nën udhëzimet e mbikëqyrësve të njësive përkatëse. BQK-ja inkurajon studentët që të aplikojnë në Programin e Praktikës për Studentë në BQK.