SQ
Mbyll

Rreth Nesh

Edukimi Financiar: Zgjidhni të ardhmen tuaj financiare!

Zhvillimi i tregjeve financiare, ndyshimet ekonomike të viteve të fundit dhe kompleksiteti i produkteve e shërbimeve financiare kanë ndikuar që istitucionet financiare t’i japin gjithnjë e më tepër rëndësi avancimit të edukimit financiar. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka aprovuar Programin e edukimit financiar i cili ka për qëllim ngritjen e nivelit të njohurive financiare në mënyrë që t’iu shërbejë qytetarëve për marrjen e vendimeve të duhura lidhur me produktet dhe shërbimet financiare, kursimet dhe investimet.

Programi i edukimit  financiar në BQK synon që të kontribojë në mirëqenien financiare përmes informimit dhe edukimit më të mirë financiar të publikut si dhe për të nxitur dhe mbajtur një sistem financiar stabil në vend.

Pyetjet më të shpeshta

Cilat ankesa trajton Divizioni për Shqyrtimin e Ankesave në BQK?

Divizioni për Shqyrtimin e Ankesave të Shfrytëzueseve të Shërbimeve Financiare shqyrton vetëm ankesat e shfrytëzueseve (klientëve/konsumatorëve) të shërbimeve financiare, përkatësisht ankesat për shërbime/produkte financiare të ofruara nga institucionet financiare të licencuara në vend.

Si mund të parashtrohet një ankesë?

BQK ju këshillon që së pari të kontaktoni institucionin financiar përkatës dhe të kërkoni zgjidhje nga aty.

Më së miri është që ankesën ndaj institucionit financiar ta parashtroni me shkrim sepse mund të regjistroni çdo gjë që ju thuhet. Institucionet financiare që janë nën mbikëqyrjen e BQK-së janë të obliguara t’ju njoftojnë me shkrim se e kanë pranuar ankesën tuaj dhe duhet t’ju përgjigjen me shkrim brenda 15 ditësh nga data juaj e ankesës, duke ju lënë të kuptoni nëse ankesa juaj është zgjidhur ose refuzuar

Po ashtu, duhet t’ju njoftojnë më shkrim nëse ju nevojitet më shumë kohë për ta shqyrtuar ankesën tuaj.

Prandaj ju lutemi që t’i kushtoni vëmendje afatit prej 15 ditësh prej kur jeni ankuar para se ta kontaktoni BQK-në. Nëse nuk jeni të kënaqur me përgjigjen e ofruar nga institucioni financiar, nëse ata kanë refuzuar ankesën tuaj ose nuk merrni përgjigje brenda afatit prej 15 ditësh, atëherë ju mund t’i drejtoheni BQK-së.

Ankesën në BQK, mund ta paraqitni në njërën nga mënyrat në vijim:

Nëpërmjet sistemit elektronik https://ankesat.bqk-kos.org

Nëpërmjet adresës postare.

Duke e dorëzuar personalisht në zyrën e arkivit të BQK-së.

Nëpërmjet fax-it por jo telefonit.

Pranimi i ankesave bëhet vetëm në formë të shkruar dhe përgjigjen do ta pranoni gjithashtu me shkrim.

Kush i përcakton tarifat për shërbimet bankare?

BQK-ja nuk i cakton çmimet dhe tarifat për produktet/shërbimet e bankave, ato i vendosin çmimet dhe tarifat për produktet dhe shërbimet e tyre individualisht bazuar në politikat e tyre afariste.

Megjithatë, përmes “Rregullores për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje”, BQK-ja kërkon nga bankat që të gjitha çmimet dhe tarifat për produktet dhe shërbimet e tyre të jenë të lidhura direkt me koston e ofrimit të këtyre produkteve dhe shërbimeve, si dhe të shpalosen në mënyrë të dukshme dhe të jetë në dispozicion për të gjithë klientët e tyre në mënyrë që klientët të mund të bëjnë krahasimin e çmimeve dhe tarifave të bankave të ndryshme.

Sa zgjat procedura për mbyllje të kredisë?

Kohëzgjatja e procedurës për mbyllje të kredisë përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, si dhe kushtet e kontratës së kredisë që ju keni lidhur me institucionin financiar përkatës.

Cilat kredi nuk mund të parapaguhen në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit?

Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, thekson se përjashtohen nga fusha e veprimit të këtij ligji, (kreditë jokonsumuese) kreditë e marra për banim, për investim dhe zgjerim të biznesit apo pronës si dhe kreditë që janë të siguruara me anë të hipotekës ose nga ndonjë sigurim tjetër i krahasueshëm, që përdoret zakonisht mbi pronën e paluajtshme apo të siguruara nëpërmjet një të drejte që lidhet me pronën e paluajtshme.

Cilat janë detyrimet dhe përgjegjësitë e palëve të tjera të përfshira në kredi përveç vetë kredimarrësit?

Të gjitha palët e tjera të përfshira në një kredi si bashkëhuamarrësi dhe garantuesi kanë të njëjtat detyrime dhe përgjegjësi ndaj institucionit financiar ashtu si vetë kredimarrësi për mbarëvajtjen dhe shlyerjen me kohë të borxhit.

Cilat dëme paguhen me Raport Evropian?

Raporti evropian plotësohet në rastet e aksidentit me dëme të vogla materiale, (ku vlera e dëmit nuk tejkalon shumën prej 500 eurosh). Ndaj nëse vlera e dëmit të shkaktuar në automjetin tuaj e tejkalon shumën e paraparë, për kompensimin e dëmeve të tilla lënda duhet të plotësohet me Raport policor.

Çka nënkuptojmë me Sigurimin e autopërgjegjësisë (TPL)

Sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë së pronarit dhe poseduesit të mjetit motorik për dëmet e shkaktuara palëve të treta.

Polica e sigurimit kontraktohet vetëm nga sigurues të licencuar nga BQK- ja. Polica e sigurimit duhet të jetë unike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Skip to content