Fillon shpërndarja e librave të edukimit financiar nëpër shkollat e Kosovës

Me qëllim të ngritjes së njohurive ekonomike dhe financiare Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të Edukimit Financiar, ka filluar për herë të parë, shpërndarjen e një koleksioni edukativ në tërë territorin e Kosovës.

BQK konsideron se duke avancuar e investuar në fushën e edukimit financiar në mënyrë të drejtpërdrejtë kontribuon, që qytetarët e Kosovës të kenë njohuri në marrjen e vendimeve të drejta me mjetet e tyre financiare.

Gjatë shpërndarjes së koleksionit edukativ në shkollën fillore të mesme dhe të ulët ”Meto Bajraktari” në Prishtinë, Koordinatori për Funksione të Përgjithshme në BQK, Labinot Preniqi tha se me programin e saj të edukimit financiar, BQK-ja ka fokus primar nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë, pasi përmes realizimit të aktiviteteve dhe materialeve edukative, nxënësit do të nxiten të krijojnë shprehi adekuate për menaxhimin financiar.

“Koleksioni i Librave përbëhet nga pesë libra me tregime për fëmijë të moshave 6-10 vjeç, përkatësisht për nxënësit e  klasave I – V, të arsimit fillor dhe do të përdoret si material shtesë në lëndën mësimore ”Shkathtësi për jetën”. Librat do të shpërndahen në formë fizike nëpër të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në tërë territorin e Kosovës, së bashku me listën për shpërndarje në të gjitha shkollat fillore të secilës komune. Me qëllim të gjithëpërfshirjes, librat do të shpërndahen për të gjithë nxënësit, pra janë përgatitur librat në gjuhën shqipe, serbe, turke, boshnjake dhe rome, gjithashtu janë përgatitur edhe për nxënësit me aftësi të kufizuara d.mt.th librat me zë e librat në format Braj për nxënësit me të pamë të dobësuar. Institucionalizimi i edukimit financiar në shkolla është hap tejet i rëndësishëm sepse kjo është mënyra e duhur, më gjithëpërfshirëse dhe më e qëndrueshme për të ndikuar në krijimin e një kulture të mirëfilltë financiare”, ka thënë Preniqi duke shtuar se ky projekt vendos bazën për fillimin e përfshirjes së kësaj fushe në kurrikulat shkollore.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, u shpreh e kënaqur me këtë iniciativë, ndërsa shprehu gatishmërinë që në bashkëpunim me BQK-në të nisin trajnimin e mësimdhënësve për fushën e edukimit financiar.

“Falënderoj BQK-në për këtë mundësi pasi ka qenë nevojë e kahmotshme që fëmijët të edukohen që nga vegjëlia për edukimin financiar në mënyrë që në të ardhmen të kemi një zhvillim ekonomik më të mirë. Ne e dimë nga ekonomitë familjare që një edukim financiar, ndikon në zhvillimin e ekonomisë, në mënyrën e të kursyerit”, tha drejtoresha Shala.

Venera Hoxha nga Fondi Evropian per Evropen Juglindore, EFSE foli për rëndësinë e realizimit të këtij projekti me BQK-në.

“Kemi vleresuar se ky është një projekt shumë i rëndesishëm duke pasë parasysh se shprehia e kursimit mësohet në moshë të re. Jemi të lumtur që përmes këtij projekti edukimi financiar po bëhet pjesë e kurrikulës shkollore dhe shpresojmë që projekti të vazhdojë duke perfshirë edhe nxënesit e klasave të larta.”, deklaroi Hoxha.

Ndërsa Zana Zeqiri, Drejtoreshë e SHFM ”Meto Bajraktari”, u shpreh e lumtur me nisjen e këtij projekti për të cilin tha se do t’i kushtojnë kujdes, ndërsa uroi që kjo nismë të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.

Koleksioni prej 5 librash është përgatitur nga ekspertë përkatës të fushës dhe është në pajtueshmëri me kurrikulën bërthamë për arsimin fillor të Kosovës.

Shpërndarja e librave vjen pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Më shumë artikuj

Pupu ka nje ide

Libër për klasën e pestë të arsimit fillor

Lexo më shumë

Një ditëlindje më ndryshe!

Libër për klasën e katërt të arsimit fillor

Lexo më shumë

A do të shkojë Pupu në cirk?

Libër për klasën e tretë arsimit fillor

Lexo më shumë

Pupu shkon në bankë

Libër për klasën e dytë të arsimit fillor

Lexo më shumë

Pupu në garën e vrapimit

Libër për klasën e parë të arsimit fillor

Lexo më shumë