Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka vazhduar traditën e shënimit të Ditës Botërore të Kursimeve.
Pjesëmarrës në shënimin e kësaj dite ishin nxënësit e Shkollës Fillore të Mesme dhe të Ulët “Haradin Bajrami”, nga fshati Magurë, Komuna e Lipjanit. Përmes ligjëratës nga zyrtarë të BQK-së, nxënësit patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth mënyrës më të mirë të menaxhimit të parasë, pastaj si të njohim vlerën e parasë, si t’i prioritizojmë nevojat kundrejt dëshirave, si të krijojmë shprehitë e të kursyerit, cili është roli dhe rëndësia e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës në ekonominë e vendit, si funksionon sistemi financiar në Kosovë, e shumë tema të tjera relevante.
Aktiviteti u realizua me pjesëmarrjen e rreth 40 nxënësve të klasës së III-të, të cilët realizuan punime kreative, në mesin e të cilave ishte edhe menaxhimi i buxhetit të tyre personal, duke ndarë kursimet, shpenzimet dhe paratë për dhurim. Ata gjithashtu shprehën edhe interesimin e tyre përmes pyetjeve të shumta rreth kursimeve, parasë, funksionit të BQK-së, si funksionojnë bankat, etj.
Drejtuesit e shkollës SHFMU “Haradin Bajrami”, falënderuan zyrtarët e BQK-së për ligjëratën përmbajtjësore dhe shprehën interesimin që shkolla e tyre të jetë pjesë e aktiviteteve të BQK-së edhe në të ardhmen.
Me qëllim të nxitjes së kursimit të parasë dhe që kjo ditë të jetë sa më gjithëpërfshirëse, BQK ka shpallur edhe konkursin për esenë më të mirë për nxënësit e klasave 6-9, të shkollave fillore të Kosovës, me temë: Rëndësia e kursimeve të mia.
Përmes këtyre aktiviteteve edukuese BQK synon të kontribuojë tek gjeneratat e reja/nxënësit dhe te rinjtë, në ngritjen dhe përfitimin e njohurive bazike ekonomiko-financiare dhe të ndikojë ne krijimin e shprehive të duhura për menaxhim efikas të parasë, duke ndikuar për të siguruar një mirëqenie ekonomike.