Shqip
Mbyll

Aktivitet me nxënësit nga komuniteti boshnjak i shkollës së mesme ekonomike “Ymer Prizreni”- Prizren

Aktivitet me nxënësit nga komuniteti boshnjak i shkollës së mesme ekonomike “Ymer Prizreni”- Prizren

Nxënësit nga komuniteti boshnjak i shkollës së mesme ekonomike “Ymer Prizreni” u pritën në “Qendrën e Edukimit Financiar dhe Trajnimeve” të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Prizren. Ata kishin mundësinë të mësonin më shumë rreth praktikave të drejta të menaxhimit të financave personale, rëndësisë së mbajtjes së buxhetit personal, përcaktimit të qëllimeve financiare dhe krijimit të një marrëdhënie të mirë me bankat dhe institucionet financiare të tjera. Gjithashtu u diskutua për rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ekonominë e vendit, si funksionon sistemi financiar në Kosovë dhe shumë tema tjera relevante në këtë fushë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shënuar “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2023” në shkolla të qyteteve të ndryshme  

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shënuar “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2023” në shkolla të qyteteve të ndryshme

 Me moton” Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj ” për të 10-tin vit me radhë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënoi “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2023”; fushatë kjo e cila udhëhiqet dhe koordinohet nga OECD-ja dhe marrin pjesë 176 vende të botës.

Edhe këtë vit, si vitet e kaluara BQK organizoi aktivitete të ndryshme për ngritjen e informimit dhe njohurive financiare te fëmijët dhe të rinjtë, e në veçanti fokus i kësaj jave ishin minoritetet që jetojnë në Kosovë.

Këtë vit “Java Ndërkombëtare e Parasë” u mbajt nga data 20 deri me 26 mars 2023 dhe aktivitetet që u organizuan nga BQK-ja për të shënuar këtë javë janë:

20 mars, Prishtinë – Java u hap nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili mbajti një ligjëratë për nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Guvernatori foli për rëndësinë e edukimit financiar dhe ndikimin që ka edukimi financiar në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Guvernatori bashkëbisedoi me nxënësit të cilët iu drejtuan me pyetje të ndryshme në lidhje me sektorin financiar dhe menaxhimin e parasë. Më pas nxënësit patën rastin të dëgjojnë një ligjëratë të detajuar mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe patën mundësi të realizojnë një vizitë në ambientet e  Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Nxënësve ju shpërnda material edukativ adekuat për nivelin e nxënësve të shkollave të mesme dhe gjimnazeve në Kosovë!

Me këtë rast, BQK-ja  shpalli konkurs për Ese, dedikuar për nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës (klasat X-XII) të cilët mund të aplikojnë me nga një ese me temën

 ” Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj ”.

21 mars, Fushë Kosovë – Zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës vizituan Organizatën “The Ideas Partnership” në Fushë Kosovë ku edhe zhvilluan aktivitetin me nxënësit e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Aktiviteti kishte për qëllim që t’i informojë, motivojë e mësojë me shumë se si të menaxhojnë financat personale, t’i menaxhojnë shpenzimet, t’i njohin institucionet financiare, e tema tjera relevante për moshën e tyre. Nxënësve ju shpërnda seti prej 5 Librash të Edukimit Financiar dhe materiale të  tjera edukative.

22 mars, Prizren– Në “Qendrën e Edukimit Financiar dhe Trajnimeve” të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prizren, u pritën një grup nxënësish të komunitetit boshnjak nga  sh.f.m.u “ Svjetlost”- Manastirice. Nxënësit patën mundësi të dëgjojnë një ligjëratë nga zyrtarët e BQK-së mbi: vlerën e parasë, historikun e parasë; rolin dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; përdorimin e euros në Kosovë, funksionimin e sektorit financiar e sidomos atij bankar, e shumë tema të tjera relevante.

23 mars, Prizren– Nxënësit e komunitetit boshnjak nga shkolla e mesme ekonomike “Ymer Prizreni” u pritën në “Qendrën e Edukimit Financiar dhe Trajnimeve” të BQK-së, në Prizren. Nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë rreth mënyrës së duhur të menaxhimit të financave personale, rëndësisë së mbajtjes së buxhetit personal, qëllimet financiare, krijimi i një raporti të mirëfilltë me bankat dhe institucionet tjera financiare. Gjithashtu u bashkëbisedua mbi rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ekonominë e vendit, si funksionon sistemi financiar në Kosovë e shumë tema tjera të kësaj fushe.

Aktivitet me nxënësit e SHFMU “Metush Krasniqi “, Roganë, Kamenicë

Aktivitet me nxënësit e SHFMU “Metush Krasniqi “, Roganë, Kamenicë

Banka Qendrore të Republikës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për përfshirjen e edukimit financiar në komunat e ndryshme të Kosovës, me 11 maj 2023 organizoi një aktivitet me nxënësit e klasave VI-IX te SHFMU “Metush Krasniqi” të fshatit Roganë të Komunës së Kamenicës, me qëllim të promovimit të edukimit financiar dhe ndërgjegjësimit te nxënësve për rëndësinë e menaxhimit të financave personale.

Nxënësit,  përmes ligjëratës dhe diskutimeve u njoftuan për tema të ndryshme financiare, duke përfshirë menaxhimin e buxhetit personal, rëndësinë e kursimeve, funksionimin e sektorit financiar, dhe çështje tjera relevante për moshën e tyre që do t’u ndihmojnë në rritjen e vetëdijes së tyre financiare dhe marrjen e vendimeve të duhura financiare.

Aktiviteti u prit me entuziazëm nga nxënësit, të cilët treguan një përkushtim të madh për t’u informuar   rreth këtyre temave. Drejtoresha dhe stafi pedagogjik i shkollës shprehën falënderimet ndaj Bankës Qendrore për mundësinë e dhënë për ndërgjegjësimin financiar të nxënësve.   Me këtë rast nxënësve ju dhuruan pako individuale me materiale edukative financiare të përshtatshme për grup moshën e tyre.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  përmes aktiviteteve të saj, dëshiron të theksojë rëndësinë e edukimit financiar dhe të kontribuojë në përgatitjen e një brezi të ri të informuar dhe të vetëdijësuar për çështjet financiare në mënyrë që në të ardhmen të jenë të gatshëm për t’i menaxhuar financat e tyre me përgjegjësi.

1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, shënohet me aktivitet edukativ në SHFMU “Emin Duraku”, në Prishtinë

1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, shënohet me aktivitet edukativ në SHFMU “Emin Duraku”, në Prishtinë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon 1 Qershorin, “Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”, përmes aktivitetit edukativ me nxënësit e Shkollës Fillore Emin Duarku.

Aktiviteti edukativ u realizua nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë me nxënësit e klasave të I-ra dhe të II-ta, të SHFMU “Emin Duraku” në Prishtinë.

Aktiviteti kryesisht u realizua përmes bashkëbisedimit me nxënës rreth koncepteve bazike ekonomike e financiare, si: vlera e parasë, kursimeve, buxheti, buxhetit personal, si funksionon një bankë, çka bën Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, dhe koncepte tjera relevante për moshën e nxënësve. 

Nxënësit treguan kureshtje dhe bënë pyetje të shumta gjatë aktivitetit, si dhe treguan vullnet për të mësuar rreth këtyre temave.

BQK përmes aktiviteteve, shpërndarjes se materialeve edukative dhe projekteve të shumta të realizuara në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, kontribuon në krijimin e kulturës edukativo-financiare me qellim që te fëmijët të përcjellë informata se si te krijojnë shprehi dhe sjellje adekuate për të marrë vendime të duhura financiare në të ardhmen.

BQK ndanë çmimet për esetë më të mira në garën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”

BQK ndanë çmimet për esetë më të mira në garën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”

Në vazhdën e aktiviteteve vjetore që i zhvillon në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Esenë më të mirë, garë kjo e shpallur gjatë shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, me moton që shënohet këtë vit në gjithë botën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”.

U.d. Guvernatori i BQK-së, Bashkim Nurboja ka falënderuar dhe përgëzuar nxënësit për punën e bërë në esetë e tyre, duke i inkurajuar që të vazhdojnë tutje me angazhimin në rolin dhe rëndësinë e parasë.

Po ashtu Guvernatori shtoi se BQK-ja do të vazhdojë të jetë e fokusuar që të avancojë në vazhdimësi fushën e edukimit financiar, gjithnjë në funksion të ngritjes së transparencës dhe njohurive të qytetarëve dhe publikut të gjerë për produktet, shërbimet dhe rolin e sistemit financiar në vend me qëllim që përmes funksionit të edukimit të jemi sa më pranë qytetarëve.

“Edukimi financiar është një funksion përmes të cilit BQK kontribuon në informimin dhe ngritjen e njohurive të qytetarëve me qëllim të përmirësimit të njohurive të tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve që i ofron sektori financiar dhe krijimit të shprehive për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare. Qytetarët e informuar e të edukuar financiarisht, njohin dhe kuptojnë më shumë produktet dhe shërbimet e sektorit financiar, janë më të mbrojtur dhe më të aftë për të marrë vendime të zgjuara dhe të menaxhojnë më mirë financat e tyre, gjithashtu edhe për të përballuar situata të vështira financiare. Me anë të konkurseve për esenë më të mirë, qëllimi parësor është që të nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka deklaruar Nurboja.

Bazuar në vlerësimet e komisionit të formuar nga BQK, nxënësit që morën çmimin për esenë më të mirë janë: Çmimi i parë për punimin më të mirë iu nda nxënësit Kreshnik Beqiri nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri, vendi i dytë iu nda nxënësit Latif Qorri nga Gjimnazi “Gjergj Kastrioti“ në Drenas, ndërsa vendin e tretë e ndanë pesë nxënës të shkëlqyeshëm të kësaj gare: Omer Honsiq, nxënës i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Pejë, Vlona Selimi, nxënëse e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, Erin Laçi, nxënës i Shkollës së Mesme “Gjin Gazulli” Prishtinë, Shkurte Elshani, nxënëse e Gjimnazit “17 Shkurti“ në Obiliq dhe Granit Kalaja, nxënës i Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Nga ana tjetër, në emër të nxënësve fitues, Kreshnik Beqiri dhe Omer Honsiq falënderuan BQK-në për mundësinë e dhënë që të jenë pjesë e garës, por edhe të ngritjes së njohurive të tyre nga sfera e bankingut dhe financave.

Këto aktivitete BQK-ja i organizon në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë që zhvillohet nga viti 2013. Organizime këto që udhëhiqen nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e që ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve rreth çështjeve ekonomike e financiare. Java Ndërkombëtare e Parasë, organizohet në 176 vende të botës dhe në këtë ngjarje pothuajse çdo vit marrin pjesë rreth 53 milionë fëmijë e të rinj nga shtete të ndryshme të botës.

Llogari pagese me shërbime bazike

Llogari pagese me shërbime bazike

Kjo broshurë informative është përpiluar bazuar në Rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike

Për më shumë shfletoni fletushkën

Guvernatori Ismaili ndau certifikatat për studentët që përfunduan programin e praktikës profesionale për vitin 2023 në BQK

Guvernatori Ismaili ndau certifikatat për studentët që përfunduan programin e praktikës profesionale për vitin 2023 në BQK

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili ndau certifikatat për studentët e universiteteve publike dhe kolegjeve private, që përfunduan me sukses programin e praktikës profesionale për vitin 2023 në BQK.
Me këtë rast Guvernatori Ismaili përgëzoi studentët për sjelljen e tyre në departamentet e BQK-së gjatë kohës së praktikës duke i inkurajuar që të vazhdojnë angazhimin dhe rrugëtimin e tyre të trasuar drejt profesionit të bankierëve të rinj të së ardhmes.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë këtë program, duke iu ofruar mundësinë të gjithë studentëve që të njihen e të mësojnë nga afër punën në BQK. Organizimi i praktikës për studentë, tashmë është aktivitet tradicional i BQK-së, dhe ka për qëllim t’iu mundësojë studentëve ndërlidhjen midis njohurive teorike të fituara gjatë studimeve dhe punës praktike në institucionet publike të pavarura”, tha Guvernatori Ismaili.
Guvernatori, informoj studentët që së shpejti BQK do të shpallë edhe konkursin për Çmimin për Ekonomist të Ri, ku studentët mund të bëhen pjesë e kësaj gare dhe mund të jenë edhe fitues të çmimeve, që BQK-ja ndanë për këtë çmim.
Programi i praktikës për studentë i ofruar nga BQK-ja, zgjatë një muaj dhe e veçanta e këtij viti ishte pjesëmarrja e studentëve edhe nga jashtë vendi.

Gjatë programit të praktikës në BQK, studentët e përzgjedhur zakonisht vendosen nëpër njësi organizative të ndryshme të BQK-së, ku u mundësohet puna nën udhëzimet e mbikëqyrësve të njësive përkatëse. Si risi sipas Guvernatorit, do të jetë nga viti tjetër, program i praktikës për studentë që mos të fokusohet vetëm gjatë muajve të verës por të zhvillohet gjatë gjithë vitit sipas kërkesave dhe kritereve të plotësuara nga studentët aplikantë. Programi i praktikës për studentë i ofruar nga BQK-ja, zgjatë një muaj dhe e veçanta e këtij viti ishte pjesëmarrja e studentëve edhe nga jashtë vendit, ku pjesëmarrës pati edhe studentë që ndjekin studimet në Londër dhe Mynih.
Gjatë muajit korrik dhe gusht në programin e praktikes kanë marrë pjesë 19 praktikant (6 prej tyre kane qenë ne programin e realizimit të anketës për emigrant në Departamentin e Statistikës), ndërsa pjesa tjetër kanë qenë në departamente të ndryshime si: Mbikëqyrja Bankare, Mbikëqyrja e Sigurimeve, Licencimi dhe Standardizimi, Menaxhimit të Rrezikut, Juridik, Planifikim dhe Raportim Financiar, Marrëdhënie me Jashtë, Rishqyrtimit, Analizat Ekonomikë dhe Stabiliteti Financiar, Menaxhimit të Mjeteve, Statistikës. Studentët pjesëmarrës të praktikës ishin nga Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina, e deri te Universiteti Queen Mary në Londër, Angli dhe Universiteti International School of Management në Munich, Gjermani.

Aktivitet me nxënësit e SHFMU “Andon Zako Çajupi”, në fshatin Bardhosh, Prishtinë

Aktivitet me nxënësit e SHFMU “Andon Zako Çajupi”, në fshatin Bardhosh, Prishtinë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në kuadër të angazhimit për promovimin e edukimit financiar gjithëpërfshirës në Kosovë, më 21 shtator, 2023 ka zhvilluar një aktivitet për edukim financiar me nxënësit e klasave VI-IX të SHFMU “Andon Zako Çajupi”, në fshatin Bardhosh, komuna e Prishtinës.

Përmes prezantimit, ligjëratës dhe bashkëbisedimit, nxënësit patën mundësinë të fitojnë njohuri rreth rolit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, koncepte të ndryshme financiare, përfshirë menaxhimin e financave personale, rëndësinë e krijimit të shprehisë së kursimeve dhe tema tjera të përshtatshme për moshën e tyre,  që do t’u shërbejnë në marrjen e vendimeve të duhura financiare në të ardhmen.

Me rastin e kësaj vizite, nxënësve ju dhuruan pako individuale me materiale edukative financiare të përshtatshme për grup moshën e tyre.

Drejtori i SHFMU “Andon Zako Çajupi,”, z Fehmi Zeqiri shprehi mirënjohjen për Bankën Qendrore të Kosovës dhe rolin e saj në edukimin financiar te nxënësve. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për Ese me titull: “Kursej me mençuri – Investoj në të ardhmen time”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për Ese me titull: “Kursej me mençuri – Investoj në të ardhmen time”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpall konkurs për nxënësit e klasave X – XII të shkollave të mesme të Kosovës, të realizojnë punime (Ese) mbi konceptin e tyre për kursimet: çka janë kursimet, si të krijohet shprehia e kursimit të parave, pse janë të rëndësishme kursimet për të ardhmen tonë, si t’i menaxhojmë financat personale në mënyrën e duhur, si t’i shfrytëzojmë paratë me mençuri, etj.

Qëllimi i këtij konkursi është që të ndikojmë në nxitjen dhe motivimin e nxënësve për të zhvilluar të kuptuarit e rëndësisë së kursimeve dhe menaxhimit të duhur të financave personale.

Komisioni përzgjedhës do të vlerësojë punimet dhe do të përzgjedhë 10 nga punimet më të mira, të cilat do të shpërblehen me një shumë monetare.

Rregullat e pranimit:

1. Eseja duhet të jetë individuale.

2. Eseja duhet të jetë punë krijuese dhe të përcjellë qartë mesazhin e temës.

3. Eseja mund të jetë e shkruar në gjuhën shqipe, serbe apo angleze.

4. Eseja duhet të përmbajë minimumi 600 fjalë, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë e dyfishtë.

5. Eseja duhet të jetë punë origjinale dhe të mos jetë e kopjuar.

6. Shpërblimi monetar do të jetë: çmimi i parë 200 € , i dyti 150 € , ndërsa çmimi i 3-10 nga 100 euro.

7. Pa paragjykuar pikën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë dhjetë.

8. Nxënësit e interesuar për aplikim mund të aplikojnë duke dorëzuar esetë e tyre në version elektronik (PDF), në edukimi@bqk-kos.org. Punimet gjithashtu mund të dërgohen edhe në formë fizike në adresën e mëposhtme:

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës

Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë

Rr. Garibaldi nr .33, 10000, Prishtinë.

9. Mos harroni të shënoni emrin, mbiemrin, emrin e shkollës tuaj, klasën, nr e telefonit tuaj dhe prindit tuaj si dhe e-mailin!

Punimet fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si material edukativ.

Pas përfundimit të procedurave të përzgjedhjes së punimeve më të mira, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues.

BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara.

Data e fundit për dorëzim do të jetë: 30 nëntor 2023.

Suksese!

Guvernatori Ismaili për Ditën Botërore të Kursimeve: BQK-ja nëpërmjet edukimit financiar ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e financave dhe kursimeve

Guvernatori Ismaili për Ditën Botërore të Kursimeve: BQK-ja nëpërmjet edukimit financiar ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e financave dhe kursimeve

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nëpërmjet edukimit financiar do të kontribuojë në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e përgjegjësisë financiare për kursime në të ardhmen.
Kështu është shprehur Guvernatori Ahmet Ismaili para ligjëratës të mbajtur para nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda”, në hapësirat e BQK-së në Ditën Botërore të Kursimeve, duke shtuar se BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin dhe promovimin e qasjes dhe gjithëpërfshirjes në financa.

“BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin financiar, qasjen në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, ndryshimet mjedisore e sociale, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to”, theksoi Guvernatori Ismaili.

Sipas Guvernatorit Ismaili, këto aktivitete nga BQK-ja po mbahen me qëllim të vetëdijesimit dhe nxitjes së të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të buxhetit dhe planifikimit të së ardhmes.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë ditë për të 8-tin vit me radhë e shënon përmes aktiviteteve të vetëdijesimit, edukative e informuese me qëllim të nxitjes së nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të financave. Sot me shumë se kurrë është e rëndësishme dhe e nevojshme që të kultivojmë një kulture të mirëfilltë te menaxhimit e mbrojtjes se financave personale dhe mbrojtjes se ambientit, në mënyrë që në aspektin social e mjedisor si individ, si familje apo si shoqëri të kemi stabilitet e qëndrueshmëri”, shtoi Guvernatori i BQK-së.

Guvernatori Ismaili po ashtu ka potencuar se të rinjtë duhet të krijojnë njohuri dhe shprehi për kursime.
“Ju jeni ende të ri, por është koha e duhur të mendoni për të ardhmen tuaj financiare, dhe rol të rëndësishëm ka krijimi i njohurive e aftësive të menaxhimit të duhur të financave personale, krijimi i shprehisë se kursimeve dhe ndërgjegjësimi mbi çështjet ekonomike e financiare. Të rinjtë duhet t’i vendosin vetës qëllime të qarta financiare dhe për të arritur këto, duhet të filloni sa me herët të punoni për arritjen e tyre”, ka potencuar Guvernatori Ismaili.

Në këtë prezantim, Guvernatori Ismaili ka zyrtarizuar shpalljen e konkursit për dhjetë esetë më të mira, për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Republikës së Kosovës.
“Duke pas parasysh nxitjen e të rinjve që të mësojnë e informohen sa më shumë rreth rëndësisë së kursimeve, sot shpall Konkurs për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Republikës së Kosovës, të realizojnë punime apo ese, mbi konceptin e tyre për kursimet. Konkursi do të jetë i hapur një muaj dhe pas mbylljes Komisioni Përzgjedhës do t’i vlerësojë dhe do t’i përzgjedhë 10-të nga punimet më të mira, të cilat do të shpërblehen edhe financiarisht”, është shprehur i pari i BQK-së.
“BQK-ja u inkurajon juve dhe të gjithë nxënësit e shkollave të mesme që të konkurroni me punimet tuaja dhe gjithashtu ta ndani këtë informatë edhe me nxënës të tjerë, qoftë në shkollën apo me shoqërinë tuaj”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.
Në fund, nxënësit e pranishëm kanë parashtruar pyetje për Guvernatorin e BQK-së dhe ekipin e Edukimit Financiar, ku gjithashtu kanë komentuar përvojat e tyre jetësore rreth kursimeve, duke bërë një vizitë nëpër ambientet e punës së BQK-së.