Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënoj 1 Qershorin, “Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”, përmes organizimit të aktivitetit edukativ me fëmijët e Shkollës Fillore Ismail Qemali. Aktiviteti edukativ u realizua nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë me dy grupe nxënësish duke respektuar masat e pandemisë. Zyrtarët e DMJ-së, realizuan aktivitetin edukativ me nxënësit e klasës së III-të, të SHFMU “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Me nxënësit u bashkëbisedua, punua dhe festua kryesisht duke komunikuar për temat edukativo-financiare, adekuate për moshën e tyre. Në formë të tregimeve u bashkëbisedua rreth koncepteve bazike ekonomiko- financiare siç janë: Historiku i parasë, kursimet, arkat e kursimeve, menaxhimi i parave, buxheti personal, libri i kursimeve, çka është BQK, çka janë e si funksionojnë bankat, çka janë shpenzimet e si përcaktohen qëllimet financiare në moshën e tyre.
Aktiviteti ishte interaktiv, nxënësit ishin mjaft kureshtar dhe kjo vërehej përmes pyetjeve të shumta, që ata bënin rreth temave të cekura më lart. Gjatë aktivitetit, nxënësit shprehen gjithashtu kreativitetin e tyre përmes punimit të buxhetit të tyre personal duke ndarë kursimet, shpenzimet dhe paratë për dhurim.
Në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, BQK-ja në vazhdimësi synon që të ndikojë në krijimin e kulturës edukative financiare, sidomos të nxitë fëmijët që në moshë të re të fillojnë të mësojnë për mënyrën e duhur të menaxhimit të parasë dhe të kontribuojë, që fëmijët të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të duhura financiare, që do t’ju shërbejnë për një mirëqenie ekonomike në të ardhmen.