Shqip
Mbyll

BQK mbajti ligjëratë për Edukimin Financiar të fëmijëve në Shkollën “Ahmet Hoxha” në Ferizaj

BQK mbajti ligjëratë për Edukimin Financiar të fëmijëve në Shkollën “Ahmet Hoxha” në Ferizaj

Në vazhdën e aktiviteteve për të kontribuar në ndërgjegjësimin e nxënësve rreth edukimit financiar Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mbajtur një sesion të edukimit financiar në SHFML “Ahmet Hoxha” në Ferizaj.

Ky aktivitet ka sjellë një mundësi për fëmijët e kësaj shkolle të mësojnë dhe diskutojnë lidhur me tema të ndryshme të edukimit financiar.

Në këtë sesion, zyrtarët nga BQK kanë ligjëruar e bashkëbiseduar rreth temave dhe çështjeve themelore si menaxhimi i buxhetit personal, kursimet, investimet e zgjuara, dhe rritja e ndërgjegjësimit rreth produkteve financiare.

Nxënësit nga Shkolla “Ahmet Hoxha” shfaqën interesim të madh mbi këto tema dhe ishin kureshtar të bënin pyetje specifike lidhur me menaxhimin e duhur të financave personale, funksionimin e sistemit financiar, produktet e ndryshme bankare, mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe funksionet e sajë.

Ekipi i BQK-së inkurajoi nxënësit të vazhdojnë të lexojnë, informohen e të diskutojnë mbi  njohuritë e fituara, me qëllim që në të ardhmen të dinë të marrin vendime të duhura rreth financave personale.

Aktivitetet e këtilla të edukimit financiar theksojnë angazhimin e BQK-së për të kontribuar që qytetarët e Kosovës të informohen e ndërgjegjësohen rreth menaxhimi të financave personale.

BQK ndan çmimet për esetë më të mira në garën “Kursej me mençuri – investoj në të ardhmen time”

BQK ndan çmimet për esetë më të mira në garën “Kursej me mençuri – investoj në të ardhmen time”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vazhdën e aktiviteteve vjetore që i zhvillon në kuadër të Programit të Edukimit Financiar ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për esenë më të mirë për nxënësit e klasave X – XII të shkollave të mesme, garë kjo e shpallur gjatë shënimit të Ditës Botërore të Kursimeve, me moton “Kursej me mençuri – investoj në të ardhmen time”.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka përgëzuar nxënësit për punën e bërë në esetë e tyre, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë me angazhimin për rëndësinë e parasë dhe kulturës së kursimeve në veçanti.

“Ju përgëzoj për punën e bërë në esetë e juaja. BQK ju inkurajon që të vazhdoni tutje duke treguar për rëndësinë e edukimit financiar, parasë dhe kulturës së kursimeve në veçanti”, tha Guvernatori Ismaili para nxënësve fitues.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin financiar dhe promovimin e qasjes dhe gjithëpërfshirjes në financa të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“BQK-ja do ta ketë në fokus edukimin financiar, qasjen në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, ndryshimet mjedisore e sociale, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to”, theksoi Guvernatori Ismaili.

Çmimi i parë për punimin më të mirë iu nda nxënëses Yllza Islami nga Gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë, vendi i dytë iu nda nxënëses Hira Mashkulli nga Shkolla e Muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren, derisa vendeve të treta i ka takuar nxënësve Narta Kajtazi, Rumesa Bejiqi, Klesta Qehaja, Ron Kaçuri, Lis Ademi nga Gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, Yll Musliu nga Gjimnazi Shoqëror-Gjuhësor “Dr. Shaban Hasani” në Ferizaj, Verona Beqiri nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë dhe Sena Tyfekçi nga Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren.

Nga ana tjetër, në emër të nxënësve fitues, Yllza Islami dhe Rumesa Bejiqi falënderuan BQK-në për mundësinë e dhënë që të jenë pjesë e garës, por edhe të ngritjes së njohurive të tyre në financa.

Ky aktivitet BQK-se përmbyll aktivitetet e saj në kuadër të Ditës Botërore të Kursimeve që zhvillohet nga viti 2013, organizime këto që udhëhiqen nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Në fund, nxënësit e pranishëm kanë parashtruar pyetje për Guvernatorin e BQK-së dhe ekipin e Edukimit Financiar, ku gjithashtu kanë komentuar përvojat e tyre jetësore rreth kursimeve, duke bërë një vizitë nëpër ambientet e punës së BQK-së.

BQK nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Edukimit Financiar me përfaqësuesit e sektorit financiar në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë

BQK nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Edukimit Financiar me përfaqësuesit e sektorit financiar në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit në fushën e Edukimit Financiar me përfaqësuesit e sektorit financiar: Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK), Asociacionin e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS).

Nënshkrimi i këtij Memorandumi është bërë në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë që po shënohet nga BQK-ja, e përcjellë me aktivitete të shumta në kuadër të Edukimit Financiar.

Qëllim i këtij Memorandumi është avancimi i gjithëpërfshirjes dhe vendosjes bashkëpunimit në fushën e Edukimit Financiar, në mënyrë që të ketë aktivitete të koordinuara dhe bashkërenduara të edukimit si një përgjegjësi e përbashkët midis shumë palëve të tjera të interesit.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili theksoi se institucioni që ai drejton do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, me qëllim të promovimit të qasjes dhe gjithëpërfshirjes në financa të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“BQK-ja do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, me qëllim të qasjes në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante”, theksoi Guvernatori Ismaili.

“Bota po ndryshon shpejt, e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, rreziqeve kibernetike, ndryshimet mjedisore e sociale, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to”, shtoi i pari i BQK-së.

Marrëveshja do të nxitë dhe promovojë iniciativa, ngjarje, aktivitete dhe materiale nga fusha e Edukimit Financiar (jokomerciale), përmes institucioneve të përfshira. Do të kontribuojë në organizime që rritin njohuritë e qytetarëve mbi produktet dhe shërbimet bankare e të sigurimeve dhe produktet/shërbimet tjera financiare dhe informimin e qytetarëve.

Përmes Edukimit Financiar dhe Javës Ndërkombëtare të Parasë, synohet të avancohen njohuritë edukative financiare, me qëllim të përmirësimit të njohurive për çështjet ekonomike e financiare për të gjitha grup-moshat e shoqërisë tonë, duke filluar nga fëmijët dhe të rinjtë, për konsumatorët individualë e deri te ndërmarrësit.

BQK nënshkruan Marrëveshje me Fakultetin Ekonomik për avancim të bashkëpunimit dhe aktiviteteve në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financia

BQK nënshkruan Marrëveshje me Fakultetin Ekonomik për avancim të bashkëpunimit dhe aktiviteteve në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financia

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë, ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të avancuar bashkëpunimin dhe mbështetur aspektin akademik, avancimin e njohurive ekonomike dhe financiare, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financiar.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili potencoi se ky Memorandum pritet të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë e financave në përgjithësi dhe edukimit financiar në veçanti. Nisma të tilla do të konkretizohen edhe me bartësit tjerë të arsimit të lartë në Kosovë, meqë BQK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në këtë fushë të ndikimit, në pajtim me Planin Strategjik të saj.

Përmes ligjëratave të dakorduara në fushën e ekonomisë, banka dhe financa, si dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta, kjo nismë ka për qëllim kontributin në reduktimin e hendekut midis kërkesave të tregut të punës dhe edukimit. Veprimet e përbashkëta do të kontribuojnë në avancimin e dijes dhe zhvillimin e sektorit ekonomik në përputhje me objektivat e të  dyja institucioneve.

“Aktivitetet e përcaktuara në këtë Memorandum do të ndihmojnë në avancimin e bashkëpunimit midis BQK-së dhe Fakultetit Ekonomik, duke kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë dhe financave. Zhvillimet në sektorin financiar janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të një vendi. Sektori financiar është pjesë integrale e strukturës ekonomike dhe ka një ndikim të madh në shumë aspekte të ekonomisë së një vendi”, potencoi Guvernatori Ismaili me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes.

Përmes këtij Memorandumi, BQK-ja synon të ndërtojë një platformë të përbashkët me Fakultetin Ekonomik, ku do të mund të zhvillohen projekte dhe iniciativa të përbashkëta për të ngritur dhe avancuar njohuritë edukative ekonomike dhe financiare në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të njohurive për çështjet ekonomike dhe financiare për të rinjtë.

Shkëmbimi i publikimeve dhe të dhënave, ligjëratat për studentët, angazhimi i ekspertëve, bashkëpunimi hulumtues, mundësia e praktikës për studentët, shqyrtimi i kurrikulës dhe organizimi i ligjëratave me ekspertët e BQK-së, janë disa nga aktivitetet e zotuara nga BQK në këtë Memorandum.

Marrëveshja shpreh vullnetin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm dhe konstruktiv për të kontribuar në rritjen e stabilitetit ekonomik dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

Pas nënshkrimi të këtij Memorandumi, Guvernatori Ismaili para studentëve të Fakultetit Ekonomik mbajti ligjëratën me titull “Banka Qendrore dhe roli i saj në sistemin financiar të Republikës së Kosovës” dhe në fund hapi zyrtarisht edhe thirrjen për çmimin vjetor “Ekonomist i ri”.

Çmimi i BQK-së për ekonomistë të rinj

Çmimi i BQK-së për ekonomistë të rinj

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me qëllim të promovimit të hulumtimeve shkencore, fton të gjithë hulumtuesit e rinj të aplikojnë me punën e tyre shkencore për çmimin e BQK-së për ekonomistët e rinj. Nëpërmjet të kësaj thirrjeje, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall:


KONKURS PËR PUNIME KËRKIMORE
me temat:

  • Roli i financave të gjelbra (Green Finance) në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.
  • Siguria kibernetike, privatësia dhe besimi në financa.
  • Anëtarësimi në SEPA si faktor nxitës për integrime evropiane.
  • Inovacionet teknologjike financiare dhe ndikimi i tyre në qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen financiare.
  • Rëndësia e edukimit financiar në mbrojtjen e konsumatorit.

Kriteret e përmbajtjes së punimit

  • Punimi duhet të jetë në fushën e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.
  • Punimi duhet t’i plotësojë kriteret e një punë shkencore dhe mund të jetë në formën e ngjashme të një  temë të diplomës (Bachelor), pjesë nga tema e  diplomës pasuniversitare (Master) apo pjesë nga  tema e  doktoratës (Ph.D.).
  • Punimi duhet të jetë i shkruar në gjuhën shqipe apo serbe, por secili version duhet të jetë edhe në gjuhën angleze sepse do të bëhet verifikimi i standardeve etike për plagjiaturë.
  • Punimi nuk duhet të jetë më gjatë se sa 8500 fjalë.
  • Rregullat dhe standardet e citimeve të referencave duke përdorur manualin e publikimeve APA (Edicioni 7), Chicago, Harvard apo edhe çdo model tjetër.
  • Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.
  • Punimi kërkohet të jetë në versionin M.S Word lloji i shkrimit duhet të jetë Times New Roman, madhësia 12 me hapësirë 1,5.
  • Sistemi i citimit  të referencave preferohet të përdoren programet softverike: Mendelay (Mendeley – Reference Management Software), Endonte (EndNote – The Best Citation & Reference Management Tool)  apo edhe Zotero (Zotero | Your personal research assistant).

Kriteret për përzgjedhjen e punimit nga komisioni vlerësues në BQK

  • Pa paragjykuar pikën paraprake, vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve, varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni vlerësues, andaj cilësia e punimeve shkencore të dërguara përcakton numrin e shpërblimeve që do të ndahen. BQK ruan të drejtën të zvogëlojë numrin e shpërblimeve, varësisht nga cilësia e punimeve të pranuara.
  • Fituesit e çmimeve të mëparshme, punonjësit aktualë dhe të mëparshëm (në tri vitet e fundit) të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë në këtë konkurs.
  • Punimet që nuk përkojnë me rregullat e etikës apo që janë të përgatitura përmes platformave të inteligjencës artificiale do të refuzohen dhe procedohen sipas praktikave ligjore në fuqi, duke njoftuar edhe universitetet përkatëse lidhur me këtë.

Kriteret për aplikim

  •  Kandidatët duhet të jenë studentë të Kosovës që studiojnë në Kosovë apo jashtë Kosovës.
  •  Kandidati mund të jetë autor individual apo autor kryesor apo mund të ketë bashkautor të punimit.
  • Kandidati që sjell tema të tjera e që nuk janë relevante me temat e caktuara në këtë konkurs, punimi i tyre nuk do të merret parasysh.
  • Kandidati duhet të jetë student i nivelit Bachelor, Master apo të Doktoratës.
  • Punimi nuk mund të jetë punim i publikuar në gazeta shkencore më parë.

Procedura e aplikimit

  • Studentët e interesuar mund të aplikojnë:
    Duke dorëzuar punimet e tyre në versionin elektronik (PDF), në info@bqk-kos.org, apo kopje me shkrim të dërguar në adresën: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Attn. Çmimi i BQK-së për ekonomistët e rinj, Garibaldi 33, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.
  • Biografinë tuaj për referencë.
  • Emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës, e cila vlen në rastin kur studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit.
  • Kopjen e letërnjoftimit dhe detajet e kontaktit, si: e-mail adresën, numrin e telefonit dhe adresën postare të banimit.
  • Dëshmi që vërteton nivelin e studimeve Bachelor, Master apo Doktoraturë në Kosovë.
  • Pas analizimit të punimeve të pranuara, do të njoftohen vetëm kandidatët, punimet e të cilëve do të përzgjidhen nga komisioni vlerësues.


Shpërblimet

Fituesve do t`ju akordohet mirënjohje nga BQK për kontributin e tyre. Fituesit do të shpërblehen:

Çmimi i parë 1600 euro

Çmimi i dytë me 1100 euro

Çmimi i tretë 900 euro

Çmimi i katërt 800 euro

Çmimi i pestë 600 euro

Data e fundit për dorëzimin e punimit është 30 shtator 2024, ora 16.30.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për videon më të mirë me titull: “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për videon më të mirë me titull: “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpall konkurs për nxënësit e klasave X-XII-të, të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Kosovës, të realizojnë video rreth konceptit të tyre për: Menaxhimin e sigurt të parave, si të jemi të kujdesshëm nga rreziqet e mundshme kur bëjmë blerje online, si të bëjmë kujdes ndaj rreziqeve që mund të përfshijnë mashtrime financiare duke përfshirë phishing, mashtrime gjatë blerjeve në internet dhe rreziqe që lidhen me privatësinë e të dhënave.

Qëllimi i videos është të bart mesazhin – mbrohu duke u informuar për të mos rënë pre e  mashtrimeve financiare për shkak të njohurive të kufizuara.

Qëllimi i këtij konkursi është zhvillimi i njohurive dhe nxitja e nxënësve për të zhvilluar të kuptuarit e rëndësisë së të qenurit të informuar rreth rreziqeve dhe mashtrimeve financiare gjatë qasjes në internet.

Videot e pranuara do të vlerësohen nga komisioni i cili do të themelohet për të përzgjedhur 3 nga videot më të mira.

Çmimet për videot e fituese do të jenë:

Çmimi i parë 300 €,

Çmimi i dyti 200 €,

Çmimi i tretë 150 €.

Rregullat e pranimit:

1. Videoja mund të jetë individuale apo grupore.

2. Videoja duhet të jetë punë origjinale krijuese dhe të përcjellë qartë mesazhin e temës.

3. Videoja mund të jetë në gjuhën shqipe ose serbe.

4. Videoja duhet të ketë përmbajtje dhe strukturë adekuate për temën, të jetë punë origjinale dhe të mos jetë e kopjuar.

5. Videoja nuk duhet të jetë më e gjatë se 2 minuta.

6. Nxënësit e interesuar mund të aplikojnë duke dorëzuar videot e tyre në e-mailin  edukimi@bqk-kos.org ose përmes https://wetranfer.com. Punimet gjithashtu mund të dërgohen edhe në formë fizike, me CD në adresën e më poshtme:

Për: Departamentin për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar

Rr. Garibaldi nr .33, 10000, Prishtinë.

7. Mos harroni të shënoni emrin, mbiemrin, emrin e shkollës tuaj, klasën, nr. e telefonit, nr. e telefonit të prindit dhe e-mailin tuaj!

Videot fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si material edukativ.

Pas përfundimit të procedurave të përzgjedhjes së videove më të mira, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues.

Data e fundit për dorëzim do të jetë: 10 maj 2024.

Suksese!

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizoi “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2024”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizoi “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2024”


Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të organizimit të aktiviteteve përmes Edukimit Financiar ka për synim që të kontribuojë në përmirësimin e njohurive për çështjet ekonomike e ato financiare, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, për konsumatorët individualë e deri te ndërmarrësit.

Java Ndërkombëtare e Parasë (JNP) është ndër ngjarjet e tilla që BQK-ja e shënon që nga viti 2013. Për vitin 2024, ky aktivitet e kishte moton “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”, që u mbajt nga 18 deri më 22 mars 2024.

  • JNP 2024 u hap me ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit në fushën e Edukimit Financiar me përfaqësuesit e sektorit financiar: Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK), Asociacionin e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), përmes së cilës edhe u themelua Këshilli i Edukimit Financiar.

Qëllim i këtij Këshilli është angazhimi rreth avancimit të gjithëpërfshirjes dhe vendosjes së bashkëpunimit në fushën e Edukimit Financiar, në mënyrë që të ketë aktivitete të koordinuara dhe bashkërenduara të edukimit, si një përgjegjësi e përbashkët midis BQK-së dhe institucioneve të tjera financiare të Republikës së Kosovës.

Ky Këshill do të kontribuojë në nxitjen dhe promovimin e iniciativave, ngjarjeve dhe materialeve nga fusha e Edukimit Financiar (jo-komerciale), përmes institucioneve të përfshira. Gjithashtu, Këshilli do të kontribuojë në organizime që rritin njohuritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi produktet dhe shërbimet bankare, sigurimeve dhe produktet/shërbimet tjera financiare dhe informimin e qytetarëve.

  • Java Ndërkombëtare e Parasë vazhdoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes në aspektin akademik, përmes njohurive ekonomike e financiare, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë, financave dhe të Edukimit Financiar në veçanti.

BQK-ja përmes këtij Memorandumi synon të ndërtojë një platformë të përbashkët me Fakultetin Ekonomik, ku do të mund të zhvillohen projekte dhe iniciativa të përbashkëta për të ngritur dhe avancuar njohuritë edukative.

Pas nënshkrimi të këtij Memorandumi, Guvernatori Ahmet Ismaili para studentëve të këtij fakulteti mbajti ligjëratën me titull “Banka Qendrore dhe roli i saj në sistemin financiar të Republikës së Kosovës” dhe në fund hapi zyrtarisht edhe thirrjen për çmimin vjetor “Ekonomist i ri”.

Çmimi “Ekonomisti i ri”, të cilin BQK-ja e ndan çdo vit, ka për qëllim promovimin e hulumtimeve shkencore, ku ftohen të gjithë hulumtuesit e rinj (studentët) që të aplikojnë me punimet e tyre shkencore.

Këtë vit studentët kanë mundësi që t’i përgatitin punimet e tyre kërkimore bazuar në këto tema:

  • Roli i Financave të Gjelbra (Green Finance) në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë;
  • Siguria kibernetike, privatësia dhe besimi në financa;
  • Anëtarësimi në SEPA si faktor nxitës për integrime evropiane;
  • Inovacionet teknologjike financiare dhe ndikimi i tyre në qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen financiare; dhe
  • Rëndësia e edukimit financiar në mbrojtjen e konsumatorit.

Konkursi për punimet kërkimore për studentë do të jetë i hapur deri më 30 shtator 2024, ku fituesit do të shpallen në prag të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Aktivitetet e JNP-së vazhduan me mbajtjen e ligjëratës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ”Ismail Qemali” në Prishtinë, të cilën e mbajti Guvernatori Ahmet Ismaili para nxënësve të klasave të IX-ta. Përveç ligjëratës, nxënësve ju shpërndanë edhe disa materiale edukative e informuese.

  • Në kuadër të kësaj jave u organizua edhe konferenca “Qasja në financa për gratë ndërmarrëse”, bashkëorganizuar nga BQK dhe AMIK. Të pranishmëve i është drejtuar Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme, Nesrin Shileku-Shala, e cila hapi këtë ngjarje.

Organizimi i kësaj konference kishte për qëllim identifikimin e sfidave dhe pengesave që gratë ndërmarrëse përballen me bizneset e tyre, në aspektin e qasjes në financa dhe diskutimi mbi identifikimin dhe kontributin që BQK-ja mund të japë në adresimin e këtyre sfidave.

Konferenca mblodhi akterë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, sektorit mikrofinanciar, zyrtarë qeveritarë (Agjencia për Barazi Gjinore), histori suksesi nga gratë ndërmarrëse dhe një panel diskutimi me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e vendore, si: USAID, EFSE, FKGK, BQK e AMIK, të cilët para të pranishmëve folën rreth identifikimit të sfidave dhe rekomandimeve për përmirësimin e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse. Në konferencë ishin të pranishëm rreth 60 pjesëmarrës.

Pjesë e Javës Ndërkombëtare të Parasë 2024 ishte edhe ligjërata me studentët e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), përmes një vizite në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, ku ata patën rastin të zgjerojnë njohuritë e tyre për funksionet e BQK-së, ekonominë dhe sektorin financiar të Republikës së Kosovës.

Ligjërata u mbajt nga Drejtoresha e Departamentit për Stabilitet Financiar dhe Analiza Ekonomike, Zana Gjocaj, ku para të pranishmëve foli për rolin dhe funksionet e  dhe për analizat ekonomike dhe stabilitetin financiar në veçanti, duke ofruar një pasqyrë të qartë dhe të detajuar mbi përgatitjen e këtyre analizave. Të dhënat e paraqitura ofruan një pasqyrë të gjerë të performancës së ekonomisë së Republikës së Kosovës, duke identifikuar sektorët kryesorë të zhvillimit dhe sfidat potenciale që ndikojnë në stabilitetin e saj.

Në fund të ligjëratës, studentët u informuan dhe inkurajuan të aplikojnë për çmimin e BQK-së për “Ekonomistë të rinj”, konkurs tradicional i ndërmarrë nga BQK-ja për të nxitur dhe stimuluar punën e hulumtuesve të rinj në fushën e ekonomisë dhe financave.

  • Në vazhdën e aktiviteteve për Javën Ndërkombëtare të Parasë  është organizuar edhe një vizitë/ligjëratë në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Abdyl Ramaj” në Suharekë.

Fokusi i ligjëratës së mbajtur ishte Edukimi Financiar për të rinjtë, duke trajtuar temat: menaxhimi i financave personale, rëndësia e kursimeve për të ardhmen, roli i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në stabilitetin ekonomik të vendit, funksionimi i të gjithë sektorit financiar, etj.

Aktiviteti u shënua me një angazhim dhe pjesëmarrje aktive të nxënësve, të cilët përmes pyetjeve shprehen interesim për të kuptuar më shumë rreth koncepteve financiare dhe rolin e BQK-së në ekonominë e vendit, duke reflektuar mbi rëndësinë e menaxhimit të financave në jetën e tyre të përditshme, si një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit dhe zhvillimit të aftësive financiare, për të qenë më të përgatitur për sfidat dhe mundësitë financiare në të ardhmen.

Nxënësit u pajisën me materiale të ndryshme për Edukim Financiar si libri “Financat për të rinj” dhe fletushka tjera, për t’i ndihmuar ata në thellimin e njohurive drejt një të ardhme financiare më të qëndrueshme dhe më të sigurt.

• Në përmbyllje të aktiviteteve në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë 2024, BQK-ja shpalli konkursin për video për nxënës të shkollave të mesme me moton “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”, i cili do të jetë i hapur deri më 10 maj 2024.

BQK ndau çmimet e konkursit për Videon më të mirë edukative

BQK ndau çmimet e konkursit për Videon më të mirë edukative

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpalli fituesit e konkursit për videon më të mirë edukative me titull: “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”. Ky konkurs ishte i hapur në kuadër të javës së parasë për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Kosovës, të cilët u ftuan të realizojnë video që paraqesin konceptet e tyre mbi:
• Menaxhimin e sigurt të parave,
• Kujdesin ndaj rreziqeve të mundshme gjatë blerjeve online,
• Parandalimin e mashtrimeve financiare, duke përfshirë phishing,
• Mashtrimet gjatë blerjeve në internet dhe rreziqet që lidhen me privatësinë e të dhënave.

Pas një vlerësimi të kujdesshëm të aplikimeve të pranuara nga shkolla të ndryshme të Kosovës, Komisioni për Vlerësimin e Videove ndau dy çmime për videot më të mira, të cilat u vlerësuan për përmbajtjen, kreativitetin dhe efektivitetin në përcjelljen e mesazheve edukative për menaxhimin e sigurt të parave dhe mbrojtjen ndaj rreziqeve financiare:
• Çmimi i parë iu nda Olta Rexhepit, nxënëse nga Shkolla e Mesme e Lartë “Kuvendi i Lezhës” në Viti për videon https://youtu.be/NGKpdiwXLe0
• Çmimi i dytë iu nda Rumesa Bejiqit, nxënëse e gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë për videon https://youtu.be/B-wtPyHtJS0

BQK do të vazhdojë të organizojë gara dhe konkurse me qëllim të nxitjes së nxënësve për t’u informuar dhe mësuar më shumë rreth temave dhe çështjeve ekonomike e financiare.

Zyrtarë të BQK-së mbajnë ligjëratë për Studentët e Kolegjit UBT

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në vazhdim të organizimit të aktiviteteve edukative e informuese për të rinjtë organizoi një ligjëratë me studentët e vitit të II-të, drejtimi Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, të Kolegjit të UBT-së në Prishtinë.

Studentët fillimisht u informuan mbi mandatin, objektivat dhe funksionet kryesore të BQK-së, e pastaj u vazhdua me pjesën kryesore të ligjëratës, me fokus te Mbikëqyrja e Sektorit financiar, respektivisht funksionimi i Mbikëqyrjes Bankare dhe Mbikëqyrjes së Sigurimeve.

Për t’i informuar studentët rreth këtyre fushave, ligjërata u realizua nga ekspertë të BQK-së nga Departamenti i Mbikëqyrjes Bankare dhe ai i Mbikëqyrjes së Sigurimeve. Ligjëruesit ndanë me studentët njohuritë rreth rolit dhe përgjegjësive të BQK-së për fushat përkatëse, për rregullimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e sektorit bankar dhe të sigurimeve si rregullator kryesor në vend.

Ligjërata u përcoll me shumë interes nga studentët me bashkëbisedim të ndërthurur me  pyetje dhe përgjigje për çështje të ndryshme, statistika e të dhëna për fushat e mbuluara nga prezantuesit.

Në fund studentët u informuan edhe për çmimin për Ekonomist të Ri, për kriteret dhe rregullat që duhet të ju kushtojnë vëmendje gjatë përgatitjes së punimeve në mënyrë që t’i plotësojnë kushtet e kërkuara për të hyrë në garë për këtë çmim. BQK e ka publikuar konkursin në mars dhe i njëjti vazhdon të jetë i hapur deri me 30 shtator 2024.

BQK në kuadër të edukimit financiar do të vazhdojë të organizojë aktivitete të tilla me qëllim të avancimit të njohurive rreth çështjeve ekonomike e financiare.

BQK shënon “1 Qershorin- Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”

BQK shënon “1 Qershorin- Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”

BQK shënon “1 Qershorin- Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”

Në kuadër të aktiviteteve të Edukimit Financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) organizoi aktivitet edukativ me nxënës të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, për të shënuar “1 Qershorin-Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve” me qëllim të ndërgjegjësimit dhe informimit të tyre rreth përdorimit të duhur të parasë.

Nxënësit u mirëpritën në BQK nga stafi të cilat prezantuan funksionet e Bankës Qendrore, historinë e parasë, mënyrat e menaxhimit të parasë, të shpenzuarit e kujdesshëm dhe kursimet. Përmes bashkëbisedimit dhe shembujve të ndryshëm, zyrtarët e BQK-së këshilluan nxënësit se si të krijojnë shprehi të duhura për përdorimin dhe menaxhimin e parasë.

Aktiviteti ishte interaktiv dhe nxënësit parashtruan pyetje të shumta për BQK-në, bankat, kursimet dhe paratë. Pas ligjëratës dhe bashkëbisedimit me zyrtarët e BQK-së, nxënësit vizituan ambientet e bankës dhe u informuan rreth historikut të BQK-së, monedhave të ekspozuara dhe objektit të BQK-së.

Gjatë javës, me qëllim të ngritjes së njohurive ekonomike e financiare, u realizua edhe një ligjëratë me nxënës të Shkollës së Mesme “Abdyl Ramaj ” nga Suhareka, respektivisht nxënës të drejtimit Banka dhe Sigurime.

Ligjërues nga departamenti i Mbikëqyrjes Bankare dhe të Sigurimeve informuan nxënësit për rolin dhe rëndësinë e BQK-së, funksionet dhe përgjegjësitë e saj ndaj sektorit financiar në vend, aspektet kryesore të rolit mbikëqyrës të BQK-së ndaj sektorit bankar dhe sektorit financiar në përgjithësi. Nxënësit gjithashtu bashkëbiseduan me zyrtarët e BQK-së edhe rreth temave dhe çështjeve bazike si menaxhimi i buxhetit personal, kursimet, sigurinë e blerjeve online si dhe rritjen e njohurive ndaj produkteve financiare, që mund të jenë në interesin e kësaj moshe.

Të dyja këto aktivitete u mbajtën me qëllim të rritjes së njohurive bazike ekonomike dhe financiare të nxënësve, për të siguruar një mirëqenie ekonomike në të ardhmen e gjeneratave të reja në një ambient përherë të ndryshueshëm të ekonomisë globale.