Shqip
Mbyll

Remitancat- Një portë drejt zhvillimit të qëndrueshëm

Remitancat- Një portë drejt zhvillimit të qëndrueshëm

Mësimet e nxjerra nga zbatimi i projektit Greenback në Kosovë

Zhvillohet aktivitet i edukimit financiar me nxënësit e shkollës fillore “Shaban Jashari“ në Skenderaj

Zhvillohet aktivitet i edukimit financiar me nxënësit e shkollës fillore “Shaban Jashari“ në Skenderaj

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës realizoi vizitë/ ligjëratë në Sh.f.m.u“Shaban Jashari” në Skenderaj. Ligjërata u mbajt me nxënësit e klasave të katërta të kësaj shkolle, ku u bashkëbiseduan tema të ndryshme si: vlera e parasë, roli dhe funksionet e BQK-së, si funksionojnë bankat, kreditë, kursimet, buxheti personal, si funksionon sistemi financiar në Kosovë e shumë tema tjera relevante.

Nxënësit ndoqën me interesim ligjëratën nga zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ishin kuriozë të mësojnë më shumë se si i mbikëqyr BQK-ja bankat, sa banka operojnë në Kosovë, pse bankat kërkojnë hipotekën, cilat institucione tjera i mbikëqyr BQK-ja, nga cila moshë mund të hapin llogarinë e tyre në banka, etj.

Drejtoresha e Shkollës “Shaban Jashari“”, znj. Hyra Tahiraj falënderoi përfaqësuesit e BQK-së për realizimin e këtij aktiviteti edukativ në shkollën e tyre dhe u shpreh se aktivitete të tilla janë më se të mirëseardhura sepse duke përfituar njohuri të shtuara rreth funksionimit të ekonomisë dhe financave në përgjithësi fëmijët do të jenë më të përgatitur për jetë. Nxënësve iu dhuruan koleksione të librave për edukim financiar, broshura dhe materiale tjera edukative.

Aktivitet edukimi me fëmijët e SOS Fshatit – bashkëbisedim mbi edukimin financiar

Aktivitet edukimi me fëmijët e SOS Fshatit – bashkëbisedim mbi edukimin financiar

Me qëllim të shtrirjes së aktiviteteve të edukimit financiar dhe përfshirjes të sa më shumë fëmijëve, BQK-ja kësaj radhe mbajti një aktivitet me fëmijët e SOS Fshatit në Prishtinë.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që përmes bashkëbisedimit të inkurajojë fëmijët dhe të rinjtë që të informohen dhe të mësojnë sa më shumë për konceptet bazike ekonomiko financiare, BQK-në, funksionimin e sektorit financiar, informata për produktet dhe shërbimet financiare, relevante për moshën e tyre.

Gjatë aktivitetit u lexuan dhe u diskutuan temat e shtjelluara në librat e edukimit financiar për klasat 1-5 të shkollave fillore, përgatitur nga BQK-ja dhe mbështetur nga EFSE-Finance in Motion. Interesim të madh pati edhe rreth Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ku fëmijët adresuan pyetje të ndryshme rreth funksioneve të BQK-së.

Pedagogët dhe mësueset e SOS Fshatit vlerësuan aktivitetin e përbashkët dhe materialet edukative të shpërndara nga BQK-ja, të cilat do të vazhdojnë t’i diskutojnë me fëmijët edhe në aktivitetet e ardhshme.

Çmimi i BQK-së për ekonomistë të rinj

Çmimi i BQK-së për ekonomistë të rinj

Në kuadër të fushës së edukimit financiar dhe me qëllim të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj të Kosovës, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka krijuar mundësinë e dhënies së një çmimi për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj.

Punimet për këtë çmim duhet të jenë në fushën e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, me theks të veçantë të jenë të fokusuara në temën në vijim:

Ndikimi i inflacionit në Tregtinë Evropiane dhe atë të Kosovës;

Lidhur me këtë, BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara, siç përcaktohet në tekstin vijues;

Rregullat e pranimit:

1. Tema e dorëzuar duhet t’i plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).

2. Në konkurrim me punimin e dorëzuar  kandidati  duhet të jetë autori kryesor.

3. Tema duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe ose gjuhën angleze.

4. Formati: punimi i dorëzuar nuk duhet të ketë më shumë se 25 faqe, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë dyfishe.  Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.

5. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga stafi i BQK-së, jo vetëm që përzgjedh punimet që do të publikohen nga BQK-ja, por mund edhe të sugjerojë një ose më shumë nga ekonomistë e rinj konkurrues për t’u shpërblyer me çmim.

Komisioni përzgjedhës do të gjykojë punimet duke përdorur kriteret e përgjithshme të miratuara nga drejtuesit e BQK-së: (a) interesi i subjektit në ekonominë kosovare-ndërkombëtare (b) cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza, dhe (c) cilësia e të shkruarit. Përveç kësaj, hulumtimet dhe shkrimet e të tjerëve të përfshira në punimin e paraqitur duhet të identifikohen mirë në fusnotat dhe referencat bibliografike.

6. Çmimi i parë do të shpërblehet me 1000 euro, çmimi i dytë me 700 euro dhe çmimi i tretë me 500 euro.

7. Pa paragjykuar pikën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë një ose më shumë se një.

8. Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë me punimet e tyre në këtë konkurs.

9. Studentët e interesuar për aplikim mund të aplikojnë:

– Duke dorëzuar punimet e tyre në version elektronik (PDF), në info@bqk-kos.org të shoqëruar nga tri kopje me shkrim të dërguara në adresën e mëposhtme: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Attn. Çmimi i BQK-së për Ekonomistët e Rinj, Rruga Garibaldi nr 33, Prishtinë, Republika e Kosovës.


– Emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës.(Në rast se studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit të temës)
– Kopjen e letërnjoftimit.

10. Data e fundit për dorëzim do të jetë: 30 nëntor 2022.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon ligjëratë për të rinjtë e Grupit për Ballkan

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon ligjëratë për të rinjtë e Grupit për Ballkan

Një grup prej 30 të rinjsh nën organizimin e Grupit për Ballkanin, kanë realizuar një vizitë studimore në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Znj. Shkëndije Nahi, Ushtruese e Detyrës së Zëvendësguvernatores për Mbikëqyrje Financiare, ka prezantuar para të rinjve rolin, funksionet dhe përgjegjësitë e BQK-së si dhe bashkëpunimin me institucionet financiare vendore dhe ato ndërkombëtare.

Drejtori i Departamentit për Mbikëqyrje Bankare, z. Mentor Geci dhe Drejtoresha e Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve, znj. Ramize Ramadani, gjithashtu prezantuan zhvillimet e fundit në sektorin bankar, të sigurimeve dhe atë të pensioneve.

Përgjatë ligjëratës, janë shpalosur angazhimet e deritashme të BQK-së për të ndihmuar ekonominë e vendit ndërsa të rinjtë me pyetjet e tyre, kanë kërkuar më shumë informata rreth temave të ndryshme e posaçërisht rreth mbikëqyrjes financiare.

Në emër të Grupit për Ballkan, znj. Shqipe Jashari Sekiraqa, ka falënderuar BQK-në për mundësinë dhe është shprehur shumë e kënaqur me informatat e marra në vizite studimore.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdon të organizojë aktivitete informative e edukuese për të rinjtë e Kosovës dhe studentët e universiteteve të Kosovës.

BQK shënon Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve

BQK shënon Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, shënuar ka Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve, përmes një ligjërate me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”.

Koordinatori për Funksione të Përgjithshme, Labinot Preniqi, ka thënë se qëllimi i organizimit të aktiviteteve edukative nga BQK-ja, ka për qëllim për të nxitur të rinjtë që të krijojnë shprehinë e të kursyerit dhe të ndërgjegjësohen rreth menaxhimit të duhur të financave personale të tyre, pasi zhvillimi i shprehive të kursimeve, do të thotë që në të ardhmen të kesh stabilitet të financave personale.

“E dimë që secili prej nesh pothuajse çdo ditë gjendet në një situatë që duhet të marrë vendim se si do t’i shpenzojmë paratë, dhe kjo nuk është e lehtë sepse gjithmonë kemi nevoja dhe dëshira pafund, ndërsa kemi para apo mjete financiare të limituara, diçka duhet të përzgjedhim e diçka duhet të sakrifikojmë. Sa më shumë t’i kushtojmë rëndësi shprehisë së kursimeve në të ardhmen, dhe sa më te kujdesshëm te jemi rreth menaxhimit te financave personale, aq më të lehtë do ta kemi marrjen e këtyre vendimeve”, ka thënë Preniqi para të pranishmëve.

Ndërsa, shefi i Kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari, ka prezantuar rolin e BQK-së në ekonomi, ndërkaq nxënësit dhe stafi akademik, parashtruan pyetje rreth funksionimit të sektorit financiar në përgjithësi.

Dita Botërore e Kursimeve u themelua më 31 tetor 1924, gjatë Kongresit të Parë Ndërkombëtar të Bankave të Kursimeve në Milano të Italisë, në të cilin u vendos që Dita Botërore e Kursimeve, të jetë një ditë e dedikuar për promovimin e kursimeve në të gjithë botën.

Kjo ditë shënohet çdo vit, në mënyrë tradicionale nga BQK-ja.

Në këtë ngjarje, BQK  ka shpallur konkurs për Ese për të gjithë nxënësit e shkollave te mesme te Kosovës, dhe ka ftuar të marrin pjesë në konkursin për ese, që do të ketë si temë kursimet dhe që do të jetë për nxënësit e klasave X-XII të shkollave të arsimit të mesëm të lartë të Kosovës.

Konkursi do të jetë i hapur një muaj dhe pas mbylljes Komisioni përzgjedhës do t’i vlerësojë dhe do t’i përzgjedhë 10 nga punimet më të mira, të cilat do të shpërblehen me një shumë monetare

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon fillimin e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon fillimin e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka hapur Javën Ndërkombëtare të Parasë, aktivitet, i cili tashmë tradicionalisht shënohet në Kosovë.

Para nxënësve të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri”, Guvernatori, Fehmi Mehmeti, ka folur rreth rolit të BQK-së në Edukimin Financiar, duke dhënë kontribut në informimin dhe ngritjen e njohurive të qytetarëve, me qëllim të përmirësimit të njohurive të tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve që i ofron sektori financiar dhe krijimit të shprehive për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.

Sipas Guvernatorit Mehmeti, kjo ndihmon në zvogëlimin e rrezikut të krizave financiare dhe në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.

“BQK do të vazhdoj të jetë e fokusuar që në vazhdimësi me qëllim të avancojë fushën e edukimit financiar, me qëllim që të kontribuojmë në ngritjen e njohurive, transparencës dhe informimit të qytetarëve dhe në veçanti konsumatorëve të produkteve, dhe shërbimeve financiare. Gjithashtu, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me institucione vendore e ndërkombëtare financiare me qëllim që përmes këtij funksioni, të jemi sa më afër qytetarëve”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Në diskutimin e mbajtur në BQK, nxënësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme rreth sektorit financiar dhe rolit të BQK-së në ekonominë e Kosovës.

Në hapje të Javës Ndërkombëtare të Parasë, BQK ka shpallur konkurs për Ese me temën e motos së kësaj jave; “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”, i cili do të qëndroj i hapur deri me 30 prill 2023, ku shtatë Esetë më të mira do t’i fitojnë 7 çmime.

BQK, nga viti 2013 është pjesë e këtij organizimi, i cili udhëhiqet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e në te cilin marrin pjesë 176 vende të botës dhe planifikohet të marrin pjesë mbi 50 milionë nxënës e të rinj nga shtete të ndryshme të botës.

Gjatë kësaj jave, BQK do të organizoj ligjërata të ndryshme me nxënës të disa komunave të vendit dhe të komuniteteve të ndryshme.

KONKURS – “Konkursi për ese”

KONKURS – “Konkursi për ese”

Titulli: “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj!”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të edukimit financiar dhe me qëllim të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, fton nxënësit e klasave dhjeta, njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta, të shkollave të mesme të Kosovës, të marrin pjesë në konkursin për Esenë më të mirë për edukim financar.

Titulli: Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj!

Kriteret e konkursit

  • Eseja duhet të ketë maksimum 2 000 fjalë;

Eseja me temën Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj!”, mund të shtjellojë konceptet si në vijim:

  • rëndësinë e menaxhimit te parave,
  • pikëpamjet tuaja mbi rolin dhe rëndësinë e menaxhimit të financave personale,
  • ndikimi i sjelljes individuale financiare, jo vetëm për të ardhmen financiare, por edhe për mjedisin dhe shoqërinë,
  • Qëndrimin e të rinjve lidhur me nevojat për edukim financiar, si dhe dëshirat / qëllimet që përpiqeni t’i realizoni përmes kursimeve tuaja;
  • Eseja duhet të jetë origjinale, kreative, motivuese dhe jo e kopjuar apo e përkthyer;
  • Eseja duhet të jetë në gjuhën Shqipe/ serbe/turke/boshnjake/angleze.

Punimet tuaja mund t’i dërgoni vetëm përmes postës elektronike në adresën: edukimi@bqk-kos.org

Në subjekt shënoni: “Konkursi për ese”

Mos harroni të shënoni :

– Emrin dhe mbiemrin;      

– Emri i shkollës (klasa/ viti/ komuna/ fshati/ qyteti);
– Emri dhe mbiemri i prindit/kujdestarit si dhe adresa e banimit;
– Numri kontaktues i prindit/ kujdestarit/ profesorit.

Afati i fundit për dorëzimin e punimeve 30 prill 2023.

7 punimet më të mira do të shpërblehen si më poshtë:

Çmimi i I- 200 euro,

Çmimi i II -150 euro,

Çmimi i III-100 euro,( 5) .

Punimet e përzgjedhura si punime fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së, dhe do të përdoren si material edukativ.

Të interesuarit për informata shtesë, mund t’i drejtohen faqes zyrtare të BQK-së  www.bqk-kos.org , platformës së  BQK-së për Edukim Financiar http://edukimifinanciar.org ose mund të na kontaktojnë përmes info@bqk-kos.org. Pas përfundimit të procedurave të përzgjedhjes së eseve më të mira, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues. Suksese!

Aktiviteti i edukimit financiar me nxënësit e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Aktiviteti i edukimit financiar me nxënësit e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vizitoi Organizatën “The Ideas Partnership” ku u zhvilluan një aktivitet me nxënësit e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Qëllimi i aktivitetit ishte të informonte, motivonte dhe mësonte nxënësit rreth menaxhimit të financave personale, kontrollit të shpenzimeve, njohjes së institucioneve financiare dhe tema tjera relevante për grupmoshën e tyre. Nxënësve u dhurua një set prej 5 librash për Edukim Financiar dhe materiale edukimit financiar.

Aktiviteti me nxënësit e komunitetit boshnjak nga sh.f.m.u “Svjetlost” në Manastiricë.

Aktiviteti me nxënësit e komunitetit boshnjak nga sh.f.m.u “Svjetlost” në Manastiricë.

JNP u vazhdua në “Qendrën e Edukimit Financiar dhe Trajnimeve” të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Prizren, ku u prit një grup nxënësish nga komuniteti boshnjak nga sh.f.m.u “Svjetlost” në Manastiricë. Nxënësit patën mundësinë të dëgjonin një ligjëratë nga zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës rreth temave si vlera dhe historiku i parave, roli dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përdorimi i euros në Kosovë, funksionimi i sektorit financiar, veçanërisht sektori bankar, dhe shumë tema të tjera relevante.