Zhvillimi i tregut të kapitalit

15/11/2012


/Fjalimi i Guvernatorit Gërguri në Konferencën regjionale mbi tregun e kapitalit: “Mundësitë regjionale të rritjes së kapitalit për ndërmarrjet e Kosovës”, 15 nëntor 2012, Hotel Emerald, Prishtinë/

I nderuar Ministër Hamza,
E nderuar znj.Shauket, drejtoreshë e Misionit të USAID,
E nderuar znj.Sulenta,USAID - Partneriteti për Stabilitet Financiar
E nderuar znj.Schwartz,Këshilltare nga Departamenti i Thesarit Amerikan
I nderuar z.Wright,Kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës,
Te nderuar përfaqësues të tregut të kapitalit/bursave nga Kroacia, Maqedonia, Shqipëria
Zonja dhe zotërinj,

***
Kam kënaqësinë të përshëndes këtë audiencë të çmuar që po merrë pjesë në këtë Konferencë kaq të rëndësishëm si për nga tema ashtu edhe për nga diversiteti në përfaqësim institucional dhe  gjeografik. Më lejoni që qysh në fillim të falenderoj USAID i cili me Programin e tyre të partneritetit për stabilitet vazhdon të na mbledh sëbashku për të këmbyer përvojat dhe sfidat tona drejt një zhvillimi të qendrueshëm ekonomik.

Me përjashtime të vogëla, regjioni ynë shikuar në përgjithësi ka kaluar pa telashe të mëdha gjatë krizës së fundit globale financiare si dhe krizës aktuale në eurozonë. Mirëpo, pavarësisht faktit se vendet tona kanë arritur të zhvillojnë sektore financiare të qendrueshme dhe në funksion të zhvillimit ekonomik, një mbështetje e këtillë në vetëm një burim të financimit nuk mund të kontribuojë mjaftueshëm për të ecur më shpejtë drejt konvergjencës sonë si individuale ashtu edhe si rajon me ekonomitë e shteteve të zhvilluara.

Pë më tepër, koncentrimi një burimor ose njëdimensional i mbështetjes financiare i bën ekonomitë e vendeve tona edhe më të ndieshme ndaj tronditjeve të mundshme. Rrjedhimisht, zhvillimi i tregut të kapitalit përveq që ofron mundësi alternative shtesë për zhvilim paraqet edhe një mundësi të shkëlqyeshme të diversifikimit të ekspozimit të ekonomive tona ndaj krizave të mundshme. Thjeshtë, tashmë ekziston një pajtim i përgjithshëm se zhvillimi i tregut të kapitalit është mekanizëm me dobi të dyfishtë – si shtytës i zhvillimit dhe si masë mbrojtëse për stabilitetin financiar dhe makroekonomik të një vendi.

Nisur nga kjo, besoj se është pajtim i përgjithshëm se zhvillimi i tregut të kapitalit kërkon plotësimin e disa parakushteve shumë të rëndësishme por jo edhe të lehta për t’u arritur. Në këtë kontekst, duhet ritheksuar rëndësinë që për zhvillimin e tregut të kapitalit e ka stabilitetit makroekonomik i vendit. Pastaj, këtu duhet theksuar edhe rëndësinë e fuqizimit të institucioneve financiare (bankat,sigurimet,pensionet,etj.) – institucione këto me rëndësi për mobilizimin e kursimeve të individëve dhe ekonomive familjare dhe vënien e tyre në dispozicion të tregjeve të kapitalit. Gjithashtu, raportimi financiar dhe transparenca,përkatësisht avancimi drejt standardeve më të mira të kontabilitetit dhe të auditimit sëbashku me avancimin e ekzekutimit të kontratave mbesin fusha me rëndësi për të krijuar themelet e shëndosha të tregut të kapitalit. Rëndësi të njëjtë ka edhe mbrojtja adekuate e investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm si dhe angazhimi në edukimin financiar me fokus në rolin dhe rëndësinë e tregut të kapitalit, etj. Nisur nga parakushtet e cekura më lartë del se me një angazhim dhe koordinim ndërinstitucional të shtuar ne mund të përshpejtojmë afrimin drejt fazës kur edhe në vendet tona tregu i kapitalit do të jetë biznes i zakonshëm. Vullneti politik i institucioneve është krucial në këtë drejtim.
***
Sa i përket Kosovës, më lejoni të nënvizoj progresin tonë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik të karakterizuar me stabilitet financiar dhe fiskal. Më konkretisht, paralel me normën më të ultë të deficitit fiskal dhe të borxhit publik të jashtëm në raport me PBB në rajon dhe më gjerë, ne vazhdojmë të gjenerojmë normë më të lartë të rritjes së PBB në rajon. Njëkohësisht, Kosova vazhdon së avancuari në fushën e përmirësimit të ambientit për biznes, gjë që shihet edhe nga Raporti i fundit i Bankës Botërore mbi “Të bërit biznes”.

Në këtë kontekst, edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është duke avancuar legjislacionin financiar, qeverisjen korporative dhe shpalosjen e informacionit, gjithnjë duke pasur parasysh se për një  treg efektiv dhe efikas të kapitalit kërkohen edhe akterë të shëndoshë. Zhvillimi i tregut të kapitalit përputhet tërësisht me objektivat kryesore të BQK sepse një treg i shëndoshë i kapitalit kontribuon në fuqizimin e mëtejmë të rolit të BQK në sigurimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar si dhe shpërndarjen efikase të resurseve në kushtet e tregut të hapur dhe konkurrues. Për më tepër, tregu i kapitalit do të kontribuonte në profilizimin e ri të sektorit financiar të Kosovës prej një tregu njësegmentor (i bazuar vetëm në kredinë bankare), në një treg shumësegmentor ku tregu i parasë, pastaj instrumenta të ndryshëm të tregut të kapitalit e plotësojnë financimin bankar.

Kur jemi ke akterët, në rrafshin nacional por edhe regjional, bizneset kanë ende detyra shtëpie për të kryer, përkatësisht për të reflektuar gatishmërinë e tyre për t’iu përshtatur rregullave themelore të tregut të kapitalit që midis tjerash nënkupton gatishmërinë për ndarje të menaxhimit nga pronësia – përkatësisht migrimit nga biznesi familjar drejt biznesit të organizuar në shoqëri aksionare, për përgjegjësi dhe lloogaridhënie publike dhe transparencë si rruga më e drejtë për sigurim të financimit shumëdimensional. Natyrisht, këtu duhet cekur edhe rëndësine e gjetjes së stimujve fiskal dhe të stimujve tjerë të cilët do të kontribuonin në krijimin e një profili të ri biznesor cfarë e kërkon një treg i shëndoshë i kapitalit i cili duke i bërë sëbashku shfrytëzuesit e kapitalit me ofruesit e kapitalit, në esencë, është thjeshtë një lehtësues i formimit të kapitalit.

Sidoqoftë, pavarësisht progresit të cekur, duhet pasur parasysh se në kushtet e globalizimit të sotëm, krahas të menduarit globalisht duhet edhe të veprojmë në mënyrë regjionale, përkatësisht globale. Ekonomitë e vendeve tona ofrojnë mundësi dhe potencial të konsiderueshëm ekonomik, por duke pasur parasysh se globalizimi sfidon në veçanti tregjet e vogëla me likuiditet dhe produkte të kufizuara lypset matur stabilitetin dhe konkurrentshmërinë reale të tregjeve tona lokale duke u konsoliduar gjithnjë e më shumë në nivelin regjional. Përvojat e deritashme nga regjione të ndryshme flasin se perspektiva qendron në krijimin e një strategjie te bashkëpunimit midis vendeve të regjionit, pikërisht edhe në fushën e tregut të kapitalit dhe nëse fizibile pse jo edhe të krijimit të bursës regjionale. Natyrisht se për të ecur me shpejtë në këtë drejtim, lypset identifikuar dhe tejkaluar dallimet e natyrës ligjore e rregulative, të kleringut dhe barazimit, të kontabiliteit, të valutës për tregtim, pastaj ato kulturore e gjuhësore, etj. Unë jam thellë i bindur se ky seminar do të kontribuojë dukshëm në ecjën tonë drejt zvogëlimit të këtyre dallimeve.

Ju falemnderit!