Zhvillimi i bashkëpunimit me bankat qendrore të vendeve të BE-së në fushën e mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare

Në kuadër të programit aktual të forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore e Portugalisë (Banco de Portugal) sot filluan aktivitetet e fokusuara në avancimin e proceseve në BQK për rishikimin dhe shqyrtimin e ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.  Ky komponent i programit do të realizohet deri në fund të këtij viti, si dhe do të përfshijë vlerësimin e gjendjes aktuale, nxjerrjen e rekomandimeve për konvergjencë dhe harmonizim me praktikat e zbatueshme nga bankat qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe parashtrimin e mënyrës së zbatimit të këtyre rekomandimeve.  Në rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19, ky komponent i programit do të zhvillohet kryesisht përmes sesioneve me video-konferencë dhe shkëmbimeve të dokumentacionit me postë elektronike.

BQK-ja pret që përmes aktiviteteve përbërëse të këtij komponenti të programit do të kontribuohet në zhvillimin e mëtejmë të funksionit të saj të mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.  Me këtë funksion, BQK-ja synon ta avancojë trajtimin e drejtë dhe efikas të klientëve të institucioneve financiare që operojnë në Republikën e Kosovës.

Programi i forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 26 mars 2019.  Ai po financohet nga Bashkimi Evropian dhe në të janë të përfshira 20 banka qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian, Banka Qendrore Evropiane, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor. Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) administron dhe bashkërendon të gjithë komponentët e programit.