Zëvendësguvernatori Fusha në Punëtorinë Ndërinstitucionale rreth Standardeve të ESG-së: BQK e përkushtuar për adaptimin e një kornize adekuate rregullative dhe fuqizimin e kapaciteteve lidhur me vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të mjedisit dhe ESG-së për sistemin financiar

26/09/2024

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Dardan Fusha së bashku me stafin e BQK-së të dedikuar për përcjelljen e zhvillimeve në fushën e ESG dhe rreziqeve klimatike, morën pjesë në punëtorinë e organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), lidhur me mundësitë e adaptimit të udhëzimeve për adresimin e rreziqeve të mjedisit dhe kritereve të ESG në sektorin bankar.

Zëvendësguvernatori Fusha në fjalën e tij hyrëse, theksoi se BQK është e përkushtuar për të avancuar kornizën rregullative dhe për ngritjen e kapaciteteve me qëllim të identifikimit, raportimit, monitorimit dhe menaxhimit adekuat të rreziqeve të lidhura me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Ai prezantoi zhvillimet e fundit të BQK-së në këtë drejtim, duke përfshirë:
• Anëtarësimin në Rrjetin e Bankimit dhe Financave të Qëndrueshme (SBFN) me 15 dhjetor 2023, si një mundësi për qasje në informacione dhe trajnime të avancuara që ndihmojnë ngritjen e kapaciteteve dhe adaptimin e instrumenteve të nevojshme rregullative për sektorin financiar, lidhur me rreziqet klimatike dhe standardet e ESG;
• Nxjerrjen e Udhëzimit për raportimin e ekspozimeve kreditore nga bankat për kompanitë që ekspozohen ndaj kostove të tranziciont, që lidhen me zbatimin e mekanizmit të rregullimit të kufirit të karbonit, i cili kërkon mbledhjen e të dhënave të nevojshme lidhur me këto rreziqe dhe ndikimin e tyre të mundshëm për bankat, me 03 prill 2024;
• Bashkëpunimin e vazhdueshëm me FinSAC (pjesë e Bankës Botërore), lidhur me përgatitjen e Strategjisë për Ndryshimet Klimatike dhe të Ambientit, të parapara edhe me Planin Strategjik të BQK-së 2024-2028 dhe draftimin e Letrës Këshilluese si një udhëzues për bankat lidhur me rreziqet klimatike dhe të ambientit;
• Avancimin e politikave investuese të BQK-së në pajtim me kriteret e pacaktuara për financim të qëndrueshëm; dhe
• Angazhimin e BQK-së në mbështetje të sektorit financiar dhe në ndërtimin e kapaciteteve përmes pjesëmarrjes në konferenca, punëtori, forume me qëllim të zgjerimit të ekspertizës dhe njohurive në fushën e rreziqeve klimatike, por edhe në mbështetje të institucioneve tjera relevante në nderimin e strategjisë kombëtare në nivel vendi.

Zëvendësguvernatori Fusha theksoi se lidhur me këto zhvillime pritet që bankat të vlerësojnë saktë ndikimin e rreziqeve të lidhura me klimën dhe atyre mjedisore në mjedisin e biznesit ku ato veprojnë dhe të integrojnë këto vlerësime në biznesin dhe planet e tyre zhvillimore. Pra, të marrin në konsideratë rreziqet e lidhura me klimën dhe rreziqet mjedisore, kur zhvillojnë strategjinë e përgjithshme të veprimtarisë së tyre, objektivat dhe kornizën e menaxhimit të rreziqeve.

Gjithashtu, pritet që bankat të mbledhin të dhëna që pasqyrojnë ekspozimet e tyre ndaj rreziqeve mjedisore në mënyrë që organet udhëheqëse të marrin vendime të informuara, si dhe të publikojnë informacionin e rëndësishëm dhe treguesit kryesor lidhur me rreziqet e lidhura me klimën dhe mjedisin që i konsiderojnë të rëndësishme.

Të gjitha institucionet pjesëmarrëse u dakorduan lidhur me nevojën për një fokus më të madh dhe investime në ngritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e njohurive lidhur me këtë fushë me rëndësi për sektorin bankar në veçanti, por edhe për sektorin financiar si tërësi, si dhe për sektorët tjerë në nivel vendi.