17/10/2024
Marrëveshja mes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), e cila synon mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është një konfirmim shtesë se sektori financiar vazhdon të jetë një shembull i suksesshëm, ku përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar janë hapur mundësi të reja për investime dhe qasje në financa, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kështu ka theksuar Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për Mbikëqyrje Financiare, z. Milot Cakaj, duke shtuar se BQK-ja përmes instrumenteve të saj prudente, vazhdimisht siguron që institucionet financiare të zbatojnë praktika të drejta financimi, me qëllim që të rritet qasja në financa përfshirë sektorët me sfidues dhe më në nevojë.
Ai në fjalën përshëndetëse ka potencuar se sektori financiar i Republikës së Kosovës është ndër më të qëndrueshmit në rajon.
"Sektori financiar i vendit tonë është ndër më të qëndrueshmit në rajon, me nivelin më të ulët të kredive jo-përformuese dhe një nivel që është afër mesatares evropiane", ka potencuar Zëvendësguvernatori Cakaj.
"Ky indikator, së bashku me indikatorë të tjerë që pasqyrojnë stabilitetin tonë financiar, tregon se kemi një treg të qëndrueshëm, i cili vazhdimisht merr mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë", ka përfunduar ai.
Kjo Marrëveshje ka për synim forcimin e ndërmarrësisë, ku Republika e Kosovës do të përfitojë 22.1 milionë euro nga 50 milionë euro gjithsej fondet e ri-garancisë të ndara për rajonin e Ballkanit Perëndimor.