16/02/2018
Në shënim të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, u.d Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti, mori pjesë në konferencën “Zhvillimi i profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në dekadën e parë të Pavarësisë”, e organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), në të cilin morën pjesë edhe Kryetari i ShKÇAK-së, z. Nazmi Pllana, Zëvendësministri i Financave, z. Fatmir Gashi, Kryesuesi i Këshillit Kosovar për Raportim Financiar, z. Gem Maloku, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Sakip Imeri dhe Drejtori i Agjencisë për investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA, z.Besian Mustafa.
Në konferencë, nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme u diskutua mbi zhvillimet në sferën e profesionit gjatë dekadës së parë të Pavarësisë dhe sfidat e përballura në zbatimin e kërkesave për raportim financiar dhe auditim efektiv, si bazë për krijimin e një mjedisi për tërheqjen dhe ruajtjen e investimeve të huaja dhe vendore, si dhe mbi rëndësinë e kontributit të profesionistëve në avancimin e raportimit financiar dhe auditimit në Kosovë.
Me këtë rast, u.d Guvernatori mbajti një fjalim në të cilin përveç pasqyrimit rreth zhvillimeve pozitive në sektorin financar, potencoi se standardizimi sot përbën një koncept të domosdoshëm në të gjitha fushat e jetës. Profesioni i kontabilitetit është një nga fushat ku kjo përbën një imperativ. Përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe për një kohë të gjatë, SHKÇAK ka bërë një punë kolosale në këtë drejtim, përveç tjerash edhe përmes organizimit të kurseve për certifikim në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.
Gjithashtu, u.d Guvernatori theksoi se ne si Bankë Qendrore e Republikës së Kosovës i kemi dhënë peshë të veçantë standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, gjë që është specifikuar edhe në Ligjin për Banka, IMF dhe IFJB. Për më shumë, bankave ju kërkohet që llogaritë dhe pasqyrat financiare t'i kenë në formë më të detajuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit. Kjo, përveç tjerash bën të mundur edhe krahasimin e treguesve të caktuar financiarë me vendet e tjera. Në funksion të konvergjencës dhe përcjelljes lidhur me zhvillimet e fundit me standardet ndërkombëtare, BQK-ja është në proces të avancimit lidhur me standardin IFRS 9, ku deri më tani janë bërë zhvillime domethënëse. Për më shumë diskutimi i u.d.i Guvernatorit.