U.d Guvernatori Mehmeti mori pjesë në forumin ekonomik “10 Vjetori i Pavarësisë Ekonomike të Kosovës”

16/02/2018

Në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u.d Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti mori pjesë në forumin ekonomik “10 Vjetori i Pavarësisë Ekonomike të Kosovës” të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ku morën pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Me këtë rast u.d Guvernatori Mehmeti, si pjesë e panelit, në deklaratën e tij, përpos tjerash veçoi si një nga shtyllat më të rëndësishme të rrugëtimit të ekonomisë së vendit gjatë këtij dhjetë vjeçari, sistemin financiar të vendit, i cili u zhvillua në një sektor që në mënyrë shumë efektive po i ofron ekonomisë shërbime bashkëkohore financiare dhe në të njëjtën kohë, është shndërruar edhe në një burim shumë të rëndësishëm të stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik të vendit.

U.d Guvernatori theksoi se sektori bankar i Kosovës, i cili në kohën e shpalljes së pavarësisë së vendit kishte filluar të përshpejtojë ritmin e rritjes së kreditimit, gjatë këtyre 10 viteve u shndërrua në njërin ndër burimet kryesore të financimit të ekonomisë së vendit, duke i rezistuar madje edhe rrethanave më të pafavorshme gjatë periudhës së krizës globale. Kreditimi bankar, përveç se u karakterizua me rritje të qëndrueshme, në vazhdimësi regjistroi edhe përmirësim të kushteve të financimit për bizneset dhe ekonomitë familjare, duke e fuqizuar kështu edhe më tutje rolin e tij në financimin e zhvillimit ekonomik të vendit, duke theksuar edhe rënien substanciale të normave të interesit në kreditë bankare në 6.8 përqind, të cilat tani më kanë zbritur në nivelin e mesatares së rajonit, duke nxitur kështu kërkesën për kredi dhe duke mundësuar realizimin e shumë projekteve investive të cilat nuk do të mund të ndodhnin pa financimin bankar.

Gjithashtu, u.d Guvernatori potencoi faktin se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fushën e qasjes në financa, të cilën e konfirmon edhe Raporti i të Bërit Biznes i Bankës Botërore, ku kriteri i qasjes në financa e radhitë Kosovën në mesin e vendeve më të avancuara në botë.

Përveç kontributit në financimin e aktivitetit ekonomik, sektori bankar paraqet një shtyllë shumë të rëndësishëm edhe të stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik të vendit në saje të treguesve që e radhitin Kosovën në mesin e vendeve me sektorët më të qëndrueshëm bankar. Në këtë rast u përmend vetëm treguesi i kredive joperformuese prej 3.1 përqind, i cili mjafton për të treguar shëndetin shumë të mirë që gëzon sektori bankar i Kosovës.

Me gjithë zhvillimet pozitive që ka shënuar ekonomia jonë përgjatë dekadës së parë të pavarësisë së vendit, ne jemi të vetëdijshëm se duhet ende shumë për të bërë për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve tanë. Papunësia dhe deficiti tregtar vazhdojnë të përfaqësojnë sfida shumë të rëndësishme për ekonominë tonë dhe kërkojnë të punojmë edhe më intenzivisht dhe më bashkërisht për t’i adresuar ato.

Në përmbyllje të diskutimit të tij, u.d Guvernatori theksoi se gjatë dekadës së parë si shtet i pavarur Kosova ka arritur të dëshmojë se ka një ekonomi të aftë për të gjeneruar rritje dhe stabilitet makroekonomik, por se mbeten ende sfida të rëndësishme para nesh për ta bërë Kosovën një më të zhvilluar, dhe për ta arritur këtë kërkohet që të vazhdojmë punën me intensitet edhe më të madh. Përderisa 10 vjeçari i parë si shtet i pavarur ka qenë i dominuar nga temat e lidhura me shtetformimin, tani ka ardhur koha që të orientohemi më tepër në temat që çojnë drejt një zhvillimi më të hovshëm ekonomik. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndërtuar kapacitete bashkëkohore dhe është e gatshme për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat në fushëveprimin e saj për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit. Për më shumë diskutimi i u.d i Guvernatorit.