Themelohet Këshilli Kombëtar i Pagesave

12/03/2010

Më 9 mars 2010 në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) është themeluar Këshilli Kombëtar i Pagesave (KKP).
Në KKP, BQK-ja ka një rol udhëheqës dhe do të përfaqësohet nga guvernatori dhe zëvendësguvernatori për funksionet qendrore bankare . Pos tyre, anëtarë të KKP-së do të jenë edhe drejtori i Departamentit të Thesarit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe drejtorët menaxhues të bankave komerciale. Themelimi i KKP-së është bërë me synim të mbështetjes së përbashkët të zhvillimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas për kliringun dhe shlyerjen e pagesave dhe të letrave me vlerë në Kosovë. KKP-ja paraqet komponentin qendror të bashkëpunimit mes akterëve relevantë në kuadër të sistemit kombëtar të pagesave.
KKP-ja do të ofrojë një mjet shumë të rëndësishëm për diskutime konstruktive mes akterëve të sistemit kombëtar të pagesave. Themelimi i KKP-së është paraparë në strategjinë e zhvillimit të sistemit kombëtar të pagesave dhe në periudhën afatmesme ai do ta ketë një rol me rëndësi në implementimin e kësaj strategjie.
Termave të referencës së KKP-së mund t’i qaseni në faqen e internetit të BQK-së.