30/06/2010
Sot Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Hashim Rexhepi së bashku me delegacionin e tij, ka vizituar Presidentin e shtetit z Fatmir Sejdiu për të diskutuar lidhur me Raportin vjetor 2009.
Presidenti Sejdiu iu falënderua Guvernatorit dhe delegacionit nga BQK-ja për vizitë si dhe shpalosje të informatave të zhvillimeve në sektorin financiar.
Në anën tjetër edhe Guvernatori Rexhepi ju falënderua Presidentit Sejdiu për kohën e gjetur dhe mundësin që më për së afërmi ta njoftojë me të arriturat e sistemit financiar, sfidat si dhe të ardhmen e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.
Pikat të cilat u përmendën nga Guvernatori për të cilat edhe Presidenti ishte i interesuar, ishin; sektori real, ai financiar; duke u përqendruar në atë bankar dhe të sigurimeve, si dhe e ardhmja e tyre.
Ndërsa Guvernatori i BQK-së pasi përmendi një numër të konsiderueshëm të indikatorëve, nëpërmjet të së cilave Presidenti mori një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes në sistemin financiar, ia ofroj Raportin vjetor 2009 duke e njoftuar se ky raport përmban shumë informata si në nivel ndërkombëtar, atë rajonal me fokus të veçantë në sistemin financiar të Kosovës.
Në fund Presidenti Sejdiu duke ju falënderuar Guvernatorit për të gjitha zhvillimet, kërkoi nga ai që të ketë njoftime të rregullta për zhvillimet e këtij sektori.
Edhe Guvernatori falënderoi Presidentin për mirëpritje dhe për mbështetje të zhvillimeve financiare si dhe shprehu gatishmërinë për njoftim të zhvillimeve në BQK.