28/03/2024
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve ka prezantuar statistikat për institucionet tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave për janar 2024 dhe ato preliminare për shkurt 2024.
Ndërmjetësitë tjerë financiarë
Asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të muajit shkurt 2024, kanë arritur vlerën e 555.2 milionë eurove, duke shënuar rritje për 15.1 milionë euro.
Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 66.8% të gjithsej aseteve. Kreditë bruto të ndërmjetëseve tjerë financiarë në shkurt 2024 arritën vlerën e 370.6 milionë eurove, e cila përfaqëson rritje për 6.8 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake. Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 60.6% totalin e kredive të sektorit mikrofinanciar.
Vlera e kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiarë në muajin shkurt 2024 ishte 41.4 milionë euro.
Kompanitë e sigurimeve
Asetet e kompanive të sigurimit në fund të muajit shkurt 2024, arritën vlerën e 312.7 milionë eurove, e cila përfaqëson rritje për 0.6 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale, që përbëjnë 44.8%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 29.0% dhe risigurimet me pjesëmarrje 14.6%.
Fondet pensionale
Asetet e fondeve pensionale në fund të muajit shkurt 2024, kanë arritur vlerën e 2.8 miliardë eurove, e cila përfaqëson rritje për 46.5 milionë euro.
Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbëjnë 77.8% të gjithsej aseteve.
Remitancat
Remitancat në janar 2024 arritën vlerën 86.4 milionë euro. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin shkurt 2024 ishin rreth 87.9 milionë euro, duke arritur kështu vlerën prej 174.3 milionë euro (preliminare). Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit shkurt kanë qenë përmes IFJB 64.4%, bankave 15.9%, ndërsa kanalet tjera 19.7%.
Për më gjerësisht publikimin mund ta gjeni në adresën në vijim: https://shorturl.at/aqzFV dhe https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/