Sot fillon përdorimi i IBAN-it në Kosovë

02/02/2015

Duke filluar nga 2 shkurt 2015, numrat e llogarive bankare në Kosovë do të kenë edhe formatin IBAN (Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare).  Formatin IBAN banka përkatëse ia përcakton çdo llogarie të klientëve të saj, në përputhje me standardin ndërkombëtar ISO 13616. 

Përdorimi i IBAN-it në Kosovë është i rregulluar nga BQK-ja me Rregulloren për Sistemin e Numrave Standardë të Llogarive Bankare.  Formati IBAN i llogarive bankare përbëhet prej njëzetë (20) karakteresh.  Katër (4) karakteret e para janë të njëjta për të gjitha llogaritë bankare XK05, duke përfaqësuar në mënyrë unike karakteret e identifikimit të shtetit në formatin IBAN dhe të kontrollit të saktësisë së formatit IBAN, ndërsa gjashtëmbëdhjetë (16) karakteret e tjera përfaqësojnë numrin e llogarisë bankare të klientit në formatin vendor.  Për ilustrim, formati IBAN i llogarisë bankare me numër brenda vendit 1212 0123 4567 8906 është XK05 1212 0123 4567 8906.

Qëllimi parësor i përdorimit të formatit IBAN është zvogëlimi i rrezikut të gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare, duke përkufizuar ato në mënyrë strukturore dhe aritmetike.  Formati IBAN do t’i lehtësojë pagesat ndërkombëtare në Kosovë, duke iu mundësuar bankave të jashtme identifikim më të qartë dhe kontroll plotësues të saktësisë së llogarive bankare në Kosovë.  Po ashtu, përdorimi i formatit IBAN do të forcojë afirmimin ndërkombëtar të bankave të vendit tonë, si dhe paraqet një hap me rëndësi drejt integrimit evropian në lëmin e pagesave.

Në regjistrin zyrtar të IBAN-it, Kosova është e listuar krahas vendeve të tjera të botës që e përdorin IBAN-in në pajtim me ISO 13616 (www.swift.com/dsp/resources/documents/IBAN_Registry.pdf).  Informata plotësuese mbi përdorimin e IBAN-it në Kosovë mund të merren edhe në rregulloren përkatëse të BQK-së (www.bqkkos.org/repository/docs/korniza_ligjore/shqip/Sistemi%20i%20Numrave%20Standard%20te%20Llogarive%20Bankare.pdf).  Përndryshe, për çdo sqarim specifik lidhur me formatin IBAN të llogarive të tyre, klientët e bankave të vendit mund t’i drejtohen edhe vetë bankave të tyre.