Sektori bankar i Kosovës kontribuues në financimin e ekonomisë

16/01/2017

Në punimet e këtij Paneli të mbajtur në Vjenë me rastin e Publikimit të Bankës Botërore "Rreziqet dhe Kthimet (efektet): "Rreziqet dhe Kthimet (efektet): Menaxhimi i kompromiseve financiare për rritje gjithëpërfshirëse në Evropë dhe Azi Qendrore", zëvendësguvernatori i mbikëqyrjes Financiare në BQK z.Fehmi Mehmeti ka mbajtur një fjalë rasti. Ai fillimisht ka përshëndetur zëvendëspresidentin e Bankës Botërore z.Mueller, pastaj znj. Ellen Goldstein, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor për Euro–Azi, si dhe guvernatorët dhe përfaqësuesit e tjerë zyrtarë të lartë pjesëmarrës në këtë Panel. Më tej në fjalën e tij theksoi: Është kënaqësi që të jem pjesë e këtij paneli diskutues dhe të komentoj mbi rreziqet dhe kthimet (efektet): Menaxhimi i kompromiseve financiare për rritje gjithëpërfshirëse në Evropë dhe Azinë Qendrore, lidhur me këtë studim shumë të rëndësishëm.

Unë do të doja të lavdëroj (komplimentoj) autorët për qasje shumë të plotë që kanë ndjekur në këtë studim dhe me një përfshirje të madhe gjeografike, e cila na ka dhënë një pasqyrë të rëndësishme mbi tendencat e fundit, që shtetet e ECA-së kanë ndjekur, dhe më e rëndësishmja, çka sjell e ardhmja për këto rajone.

Siç ka theksuar edhe zëvendëspresidenti MUELLER në parathënien e tij, shumica prej nesh që vijmë nga vendet në tranzicion, drejt ekonomisë së tregut, kemi pasur shpresa për mundësi të reja, si rezultat i lirisë më të madhe ekonomike dhe qasjes në financa. Ballkani Perëndimor nuk bën përjashtim.

A kemi përjetuar rritje më të madhe ekonomike, si rezultat i lirisë së tillë ekonomike dhe rritjes së qasjes në financa? Sigurisht, progresi gjatë dy dekadave të fundit ka qenë evident duke rezultuar në rritjen e të ardhurave dhe standardit jetësor. Transformimi ka qenë i prekshëm sa i përket progresit dhe arritjeve, në të dyja anët: stabiliteti makroekonomik dhe zhvillimin e sektorit financiar. Ne, gjithashtu duhet të pranojmë se kemi pasur edhe disa mundësi të humbura.

Ekonomitë tona kanë zbatuar me sukses reformat që kanë mundësuar rritje të shëndetshme ekonomike dhe përmirësim të stabilitetit makroekonomik. Reformat kanë hapur potencialin për tregun global, rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat dhe zgjerimin e njohurive të ekspertëve. Sektori financiar ose më mirë të themi sektori bankar, ka qenë një faktor kyç në këto reforma dhe duke përcjellë, pak a shumë, të njëjtën rrugë zhvillimi: Hapja ekonomike ka sjell edhe rritje të investimeve të huaja, veçanërisht në sektorin bankar. Investimet e huaja në sektorin bankar, kanë ndikuar në rritjen e bazës së depozitave e me këtë edhe rritje të kreditimit.

Duke shikuar drejt të ardhmes, sikurse që edhe raporti argumenton, zhvillimi financiar në Evropë dhe Azinë Qendrore duhet të lëvizë përtej kredisë bankare, të bëhet më e balancuar në të gjitha dimensionet e financave, duke përfshirë thellimin dhe ndërmjetësimin financiar. Megjithatë, kjo qasje e balancuar, duhet që pastaj të akomodojë kompromiset në mes të përfshirjes financiare dhe stabilitetit, si financiare ashtu edhe makrofiskale.

Republika e Kosovës dhe Banka Qendrore (BQK) janë përpjekur vazhdimisht që të ndjekin politikën e reformave të shëndosha për stabilitetin makrofiskal dhe zhvillimin e sektorit financiar. BQK-ja ka bërë përpjekje të mëdha për të balancuar rritjen e kredisë me mbikëqyrje dhe rregullore prudente. Mbajta e ekuilibrit mes rritjes së kredisë dhe rregulloreve strikte është gjithmonë sfidë. Ne jemi përpjekur për të zbutur çdo efekt negativ përmes përmirësimit të vazhdueshëm të kornizës rregullatore, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke u angazhuar në zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse, si dhe krijimin e një baze të fortë për zhvillimin e sistemit financiar në Kosovë.

Këto arritje dolën në pah sidomos gjatë krizës globale financiare, ku sistemi financiar në Kosovë dhe në veçanti sektori bankar ka arritur të ruajë dhe mirëmbajë stabilitetin e saj, dhe vazhdojë të mbështesë stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik të vendit.

Sektori bankar i Kosovës është aktualisht një kontribuues i rëndësishëm në financimin e ekonomisë së vendit dhe gëzon një shëndet shumë të mirë financiar të bazuar në të gjithë treguesit përkatës. Kualiteti i portofolit të kredisë, i cili edhe në të kaluarën ishte i mirë, ka shënuar përmirësime të mëtejshme gjatë vitit 2016. Në fund të vitit 2016, norma e kredive joperformuese pësoi rënie në 4.8 për qind krahasuar me 6.2 për qind sa ishte një vit më parë. Sektori bankar vazhdon të ketë një nivel të lartë të kapitalizimit, me tregues të mjaftueshmërisë së kapitalit në rreth 18.4 për qind, që është dukshëm më lartë se minimumi rregullator i kërkuar prej 12 për qind. Likuiditeti vazhdon të jetë i kënaqshëm, me tregues të likuiditeti prej rreth 39 përqind i cili është më e lartë se kërkesat mininale rregullatore prej 25 për qind.

Megjithatë, pavarësisht këtyre arritjeve, ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm për dinamikën e zhvillimit të industrisë financiare në nivel global. Ne gjithashtu pranojmë nevojën për thellimin e sektorit tonë financiar përtej sektorit bankar, si dhe nevojën e ndërmjetësimit financiar në një qasje shumëdimensionale.

Ato paraqesin një mundësi, dhe në të njëjtën kohë sfidë për rregullatorët financiar. Prandaj, ne jemi të angazhuar për të ndjekur nga afër zhvillimet në industrinë financiare, si dhe zhvillimet në fushën e standardeve të rregullimit financiar. Lidhur me këtë, drejtimi aktual strategjik i BQK-së është avancimi i kornizës rregullative në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe akteve ligjore të BE-së për të lehtësuar zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe sektorit financiar, si dhe në fund, integrimin evropian, si qëllim final.

Kontributi i BQK-së për krijimin e një mjedisi të mirë për investime në Kosovë, përfshin promovimin dhe mbajtjen e një sistemi bankar të shëndoshë dhe stabil, dhe përmes politikave të ndjeshme (të arsyeshme) të licencimit dhe mbikëqyrjes së fortë, duke vazhduar me menaxhimin e euros, si monedhë e brendshme e Kosovës, dhe të mbajë një sistem efikas dhe të shëndoshë të pagesave. BQK-ja zotohet për të siguruar që Kosova mban sistem të qëndrueshëm bankar, të tillë çfarë edhe aktualisht gëzon.